I ftuar në emisionin Pressing, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj komentoi darkën aq shumë të përfolur me liderët e koalicionit qeverisës, me presidentin Thaçi dhe me kryeministrin Rama. Ai u shpreh se idenë për tu takuar e ka pasur Rama, ndërsa gjatë darkës i ka kërkuar kryeministrit shqiptar të merret me përgjegjësitë e tij.

“Ka pasur një iniciativë prej kryeministrit Edi Rama për një takim të përbashkët. Në fillim ishte ideja që takimi të ndodhte në Tiranë por ndodhi në Prishtinë. Ka qenë një bisedë e kujdesshme. Janë të njëjtat tema që i dijmë: taksa, dialogu, opsionet e zgjidhjes finale. Këto kanë qenë bisedat por nuk ka pasur ndonjë ndryshim qëndrimesh”, tha ai.

Më tej Haradinaj shtoi se Rama ka qënë i mendimit se taksa me Serbinë duhej pezulluar.

“Ai qeveris në Shqipëri, s’mundet të vendosë në Kosovë. Por mundet me pas mendim të vetin që për ne është i respektueshëm. Kërkesa për Kosovën s’mund të ketë askush. Kosova është shtet sovran dhe askush s’mund të na bëjë kërkesa. Ai kishte mendimin e vetë se është mirë me u pezullu taksa”,- sqaroi Haradinaj.

Ndër të tjera kryeministri i Kosovës u shpreh se prekja e kufijve të Kosovës, kthen një precedent në Ballkan që Putini e ka përmendur dy-tre raste në disa deklarata të tij.

“Pse përshembull forcat politike opozitare proevropiane në Serbi po e kundërshtojnë Vuçiçin për çështjen e kufijve me Kosovën, pasi kështu edhe Serbia largohet nga rruga drejt BE-së’, u shpreh Ramush Haradinaj.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb