SHBA- Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare në SHBA, ka takuar Ed Feulner, president nderi i “Heritage Foundation”, me të cilin ka biseduar për proceset zhvillimore në Kosovë.

Haradinaj ka theksuar rolin e qeverisë në bashkëpunimin konkret dhe të frytshëm me përfaqësuesit e shoqërisë civile, për avancimin e agjendës shtetformuese në Republikën e Kosovës.

“Shembulli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në forcimin e demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut, është modeli më i mirë i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile në avancimin dhe zhvillimin demokratik të një vendi”, tha ai.

Në këtë takim është biseduar edhe për përkushtimin e institucioneve për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, takim ku kryeministri Haradinaj kërkoi mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, si një hap tejet i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për vendin tonë.

Ed Feulner, president nderi i “Heritage Foundation”, përgëzoi kryeministrin Haradinaj për arritjet e vendit, dhe shprehu përkushtimin e tij për ta ndihmuar Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb