TIRANË – Ramush Haradinaj,ish-Komandanti i UÇK-së dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është vlerësuar sot në Tiranë për kontributin e tij të paçmuar për lirinë e Kosovës duke u dekoruar dhe vlerësuar nga qeveria shqiptare dhe partitë politike.

Së pari, atij iu dha titulli “Nderi i Qarkut të Tiranës” me motivacionin “Luftëtar dhe strateg i shquar për lirinë e Kosovës. Burrë shteti e politikan vizionar, figurë e shquar mbarë shqiptare dhe dishepull i bashkimit kombëtar. Lider me kontribut të spikatur në ndërtimin e Kosovës demokratike e të integruar në strukturat euroatlantike”.

Së dyti, atij iu dha edhe “Urdhri i Mirënjohjes” nga shoqata Çamëria dhe grupi parlamentar i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Kryetari i PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi i dhuroi urdhrin e mirënjohjes të shoqatës “Çamëria” një ditë para 17 shkurtit, ditën e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, ditës simbol të PDIU-së, e cila në vitin 2011 u krijua pas bashkimit të PDI-së dhe PDU-së, në shenjë të bashkimit që është e nevojshme për kombin shqiptar.

Haradinaj, në fjalën e tij pas marrjes së “Mirënjohjes” ka folur edhe për aktualitetin e Kosovës. Ai shprehu shqetësimin e tij mbi braktisjen e vatrave amtare nga mijëra shqiptarë të Kosovës dhe se keqqeverisja dhe mungesa e prespektivës kanë krijuar një situatë të keqe, ndaj kërkoi angazhimin e të gjithë faktorëve për tejkalimin e këtij problemi.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb