Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar nga detyra ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo. Njoftimin për shkarkimin e Rikalos e ka bërë të ditur vetë kryeministri Haradinaj përmes një postimi në Facebook. “Sot kam marrë vendim dhe kam liruar nga detyra Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo. Z.Rikalo i shprehi falënderim për bashkëpunim gjatë kohës sa ishte aktiv si ministër në Qeverinë e Kosovës. Në proceset politike para vetes, do të respektoj angazhimin e secilit. Ministri Rikalo ishte ministër i respektuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës. ashkëpunimi me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve dhe përfaqësuesit e komunitetit serb, do të vazhdon palëkundur. RH”, ka shkruar Haradinaj.

Shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, ishte vënë kusht nga PSD-ja me qëllim që ta votonte Buxhetin e vitit 2019, që pritet të bëhet sot në seancën e Kuvendit.

Kujtojmë se vetëm katër ditë pasi Ramush Haradinaj si kryeministër kishte prezantuar ministrat e tij, ishte pikërisht Rikalo që mori vëmendjen më të madhe. Banorët e lagjes ‘Dardania’ në kryeqytet, e njihnin shumë përpara Rikalon, por jo si komshiun e mirë.

Pretendimet për krime lufte, aktivizuan Prokurorinë dhe dëshmitarë filluan të merren në pyetje. Duke tërhequr paralele me situatën ku ishte gjendur një tjetër ministër që vinte nga komuniteti serb, Aleksandar Jabllanovic, opozita nxitoi që përmes Kuvendit ta shkarkonte Rikalon.

Në debatin e ashpër në Kuvend, tetorin e vitit 2017, Rikalo ishte mbrojtur nga kryeministri Haradinaj. Mocioni i LDK-së për shkarkimin e tij, kishte marrë 27 vota pro, 40 kundër, ndërsa në fillimin e muajit nëntor, Prokuroria Speciale, bëri të ditur se nuk kishin gjetur prova të mjaftueshme se Rikalo ishte i implikuar në krime lufte.

Kurse, subjekti politik i Rikalos, Lista Serbe, pjesë e koalicionit qeverisës, është larguar nga qeveria që nga marsi i vitit të kaluar, si reagim ndaj arrestimit të Marko Gjuricit nga Policia e Kosovës.

REAGIMI

Pas vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj që ta shkarkojë ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, ka reaguar Lista Serbe, duke cilësuar si Qeveria e Kosovës nuk ka legjitimitet.

“Rikalo është shkarkuar sot, sepse Lista Serbe, dhe anëtarët e saj nuk pranojnë politikë e shkeljes së të drejtave të serbëve dhe interesave të tyre”, thuhet në reagimin e Listës Serbe. Lista Serbe thonë se nga marsi i vitit 2018 janë në dorëheqje dhe se “për asnjë çmim nuk do të pranojnë të bëhen folklor dhe dekor i dikujt”.
“Qeveria e Kosovës nuk ka legjitimitet pa pjesëmarrjen e anëtarëve legjitim të popullit serb”, thuhet në reagim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb