ELBASAN- “Standardi i reformës në administratën publike është tashmë një risi esenciale e cila ka hedhur rrënjët e saj dhe nuk ka kthim mbrapa”, kështu deklaroi Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito teksa nisi sot turin për takime me studentë dhe të rinj për të prezantuar reformën në administratën publike dhe procesin e konkurseve për vendet vakante në administratë. Në takim Harito shoqërohej nga përfaqësues të Departamentit të Administratës Publike.

“Administrata e ka të domosdoshme që të fillojë të shkojë drejt standardeve evropiane. Që të shkojmë drejt këtyre standardeve duhet të kemi një administratë që është e aftë t’i përballojë ato. Kjo është arsyeja që një nga parakushtet e marrjes së statusit kandidat ishte kjo reformë e administratës publike të cilën ne po përpiqemi ta çojmë përpara me shumë ngulm”, tha ministrja Harito.

Harito zhvilloi një takim me studentët në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” ku bisedoi me studentët për procesin e ri të rekrutimeve për të motivuar studentët e niveleve master të besojnë në aftësitë e tyre profesionale dhe të konkurrojnë në konkurset e zhvilluara nga Departamenti i Administratës Publike duke garantuar transparencë të lartë në këtë proces.

Në konkurset e para të realizuara në tetor u shpallën fitues 38 nga 5.200 aplikime, ndërkohë konkurset e dyta sollën një tablo krejt tjetër dhe shifrat flasin qartë. Në dhjetor për vendet vakante patëm rreth 7.000 aplikime për 148 vende pune dhe nga konkurset dolën 114 fitues.

“Këtë mesazh dua t’iu përçojë juve: Besojeni sistemin! Kur të vijë momenti të konkurroni, konkurroni. Mos u dekurajoni nëse humbni një herë sepse mësoni procesin. Përpiquni, përpiquni të jeni më të aftët dhe keni gjithë shanset për të hyrë në shërbimin civil”, përmbylli fjalën e saj Harito.
(a.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: