Në vitin 1906 në ndërrmarjet e fijes së pambukut në SHBA punonin këmbëzbathur fëmijë 6 vjeçarë; në 1913 në SHBA vdesin ose plagosen rëndë në punë gati 800 mijë punëtorë pa ndonjë pasojë për kompanitë që majmen nga puna e tyre. Vetëm pas Depresionit të Madh të 1929 dhe New Deal në 1933,  punëtorët fituan të drejtën të krijojnë sindikata dhe të kërkojnë rritje rrogash.   SHBA nuk janë ende sot parajsa e paqes sociale, ama të drejtat e punonjësve janë të pakrahasueshme me 90 vite më parë.

E gjitha kjo sa për të kujtuar se një situatë që sot duket e pamundur e ndoshta e pakuptimtë, mund të evoluajë pozitivisht nëse mbizotërojnë vullneti politik dhe sensi i të mirës publike.

Pakti i kryeministrave Rama dhe Meloni mbi trajtimin në kampe në Shëngjin të rreth 30 mijë emigrantëve në vit, mund të duket sot i pakuptimtë dhe i panevojshëm. Por për Shqipërinë ai është një hap në drejtimin e duhur për të paktën dy arsye.

Arsyeja e parë është angazhimi I Shqipërisë në procesin e integrimit europian që prej vitit 2006 me marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit. Prej 17 vitesh Shqipëria bën njëfarësoj detyrat e shtëpisë, për tu bërë mbase një ditë pjesë e familjes europiane. 17 vite janë sidoqoftë jo pak, që edhe të marrësh përgjegjësi për familjen, proporcionalisht me takatin dhe përmasat e vendit.

Shqipëria kontribuon tashmë sot në dy çështje madhore për Europën : në sigurinë e kufijve dhe hapësirës europiane si anëtare e Nato-s dhe në autonominë energjitike të Europës me garancinë për transportin e gazit nga Azerbajxhani ;  nesër ndoshta edhe më shumë me mix-in energjitik të gjelbër diellor dhe hidrik.

Solidaritet me familjen  Europiane për emigracionin

Shqipëria ka mundësinë të kontribuijë në një cështje të tretë  madhore të Europës, në cështjen e emigracionit e cila ngjall emocione negative kudo, në cdo vend. Në këtë kontekst, komentet në rrjetet sociale shqipfolëse mbi paktin Rama-Meloni për trajtimin e një numri emigrantësh në Shëngjin, janë përgjithësisht humoristike ndonëse me doza serioze racizmi. Situatë e pritshme kjo në Shqipëri ku popullata është etnikisht homogjene, ka emigruar jashtë vendit gjerësisht ne 30 vitet e fundit, por pak është hasur me emigrim hyrës në Shqipëri. Mjafton të shikojmë Italinë e cila ka qenë në një situatë të ngjashme me ne pas Luftës së Dytë Botërore dhe ende sot e ka të vështirë pranimin e emigrantëve, sidomos kur janë të një feje apo rrace të ndryshme.

Në shumë vende të tjera të BE, frika nga emigracioni  është motorri elektoral i ekstremeve të djathtë, në Francë, në Gjermani, në Hungari, në Poloni etj. Ndërkohë për arsye ekonomike e klimatike, për tu larguar nga luftrat dhe nga shtypja e të drejtave individuale, lëvizjet e popullsive drejt BE me gjasa do të intensifikohen në vitet në vijim.

Shqipëria për nga pozicioni gjeografik në brigjet e Mesdheut e në rrugën e kalimit nga Lindja e Mesme drejt Europës, është dhe do të vijojë të jetë e prekur nga lëvizjet e popullsisë.

Pakti Rama-Meloni është një hap në drejtimin e duhur, duke u bëre solidarë në një problem që prek gjithë kontinentin, duke marrë pjesën tonë të vogël tek një problem me përmasa shumë më të mëdha, duke mos qenë më vetëm një « vend kandidat për BE » por pjesëtar i familjes që sjell konributin e vet sipas takatit.

Të mos harrojmë që Turqia, e cila është ende formalisht në procesin e integrimit në BE (procesi është I ngrirë në mënyrë të dyanshme)  që prej marsit 2016 vitesh zbaton një pakt emigrimi me BE, duke mbajtur në territorin e vet emigrantë kryesisht sirianë në shkëmbim të kapitalit politik e financiar.

A lipset të pranojmë emigracion hyrës në Shqipëri ?

Rënia e natalitetit dhe emigracioni intensiv i vetë shqipëtarëve, veçanërisht të rinjve ka sjellë tashmë mungesë krahu pune të kualifikuar e të pa-kualifikuar në shumë sektorë, me pasoja në rritjen ekonomike dhe zhvillimin afatgjatë. Gjithnjë e më shumë në pika të ndryshme benzinatash, hotelesh, sallone masazhi etj shikon punonjës të huaj. Një sërë ndërrmarjesh fasoneri, hotele por edhe familje që kërkojnë punonjës shërbimi ju drejtohen agjensive të specializuara, të cilat kundrejt pagesash sjellin punëtorë nga jashtë, në kushte jo gjithmonë të përshtatshme. Shpesh këta punëtorë rrijnë pak e nisen përsëri drejt Europës nëpërmjet rrjetesh trafikimi. Vec trafikantëve nga kjo situatë nuk përfiton kush.

Ndaj më duket e rëndësishme që të hapet debati publik mbi emigracionin hyrës në Shqipëri : Me apo pa kuota vjetore ? Nga cilat vende ?  Me cfarë kushtesh ? Cfarë garancish ju ofrohen në pagesa, në sigurime shoqërore ? A ju propozohen kurse gjuhe ? A integrohen fëmijët e tyre në shkolla ? etj, etj.

Zbatimi I marrëveshjes dhe Pakti Europian I Azilit dhe Emigracionit

Prej vitit 2019  shtetet e institucionet Europiane janë të angazhuar për të forcuar rregullat e brendshme të BE mbi politikat migratore. Konsensusi ka qenë i vështirë por hapa të rëndësishëm janë arritur dhe ende ka shpresë që brenda kësaj legjislature europiane, në pranverë 2024 pakti të aprovohet nga Parlamenti European. Një ndër elementet thelbësore të reja të Paktit është parimi I solidaritetit. Flukset migratore arrijnë zakonisht në të njëjtat vende mesdhetare : Greqi, Itali, Spanjë. Vendet e tjera të BE do të kenë detyrimin e solidaritetit duke paguar ose duke marrë ne vendet e tyre kuota emigrantësh.

Shqipëria si vend ende jo anëtar,  nuk do ta ketë detyrimin e zbatimit të Paktit European të Azilit dhe Emigracionit, pour ajo mund të vendosë të zbatojë të njëjtat parime. Duke filluar nga zbatimi I paktit Rama-Meloni, I cili sigurisht do të kalojë në sitën e qeverisë dhe të parlamentit.

Shqipëria mund të ketë gjithashtu akses në bankën europiane të të dhënave Eurodac (duke dhënë garancitë e domosdoshme të konfidencialitetit) e cila regjistron kërkesat e azilantëve dhe lëvizjet ilegale të popullsisë midis shteteve dhe rregullat paraprake të verifikimit para hyrjes në BE.

Nga ana tjetër, vec solidaritetit europian, mbajtja e refugjatëve në kampe të mbyllura, nuk do të kishte ndonjë benefit tjetër për Shqipërinë. Pa harruar në asnjë rast se do të duhet kontroll I fortë që refugjatët të mos ribëhen pre e rrjeteve të trafikimit, gjë që do të ishte krejtësisht e papranueshme moralisht e politikisht.

Benefitet reale mund të vijnë nëse pas një debati publik, gjendet një konsensus kombëtar mbi politika të mira emigracioni, të cilat mundësojnë nëpërmjet emigracionit hyrës kompensimin e krahut të punës që na mungon sot e do të mungojë edhe më shumë nesër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: