BRUKSEL- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ndodhet sot në Bruksel ku po zhvillon takime me përfaqësues të Komisionit Evropian, Drejtorinë e Transportit dhe Drejtorinë e Fqinjësisë, për të diskutuar mbi përcaktimin e rrjetit bazë të korridoreve të transportit në vendin tonë. Kjo iniciativë vjen në kuadër të nismës “Konektiviteti në vendet e Ballkanit Perëndimor”, pjesë e procesit të Berlinit të filluar gushtin e vitit 2014.

“Qëllimi i nismës është përcaktimi i korridoreve bazë të transportit në vendet e Ballkanit Perëndimor, mbi bazën e disa kritereve, pjesë e metodologjisë së provuar Evropiane, kritere si lidhja e kryeqendrave të rajonit, lidhja e zonave ekonomike dhe porteve në rajon. Dy korridoret që u diskutuan sot me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, me Z. Jean Erique Paquet dhe të tjerë, ishin ato të Korridorit Veri-Jug, me hyrjen në Hanin e Hotit dhe dalje në Kakavijë, si dhe korridori VIII”, u shpreh pas takimit Ministri Haxhinasto.

Gjithashtu, u diskutua dhe nga Ministri Haxhinasto e u mbështet përfshirja e Korridorit VIII-të si pjesë e rrjetit bazë evropian rrugor dhe hekurudhor. “Ky është një hap i rëndësishëm pasi do të na mundësojë thithjen e më shumë investimeve për këto dy korridore, me qëllim përfundimin e tyre brenda 2030″, tha ai.

Gjatë vizitës së tij një ditore Ministri zhvilloi takime pune bilaterale koordinuese edhe me homologët e tij maqedonas Mile Janakieski, atë kosovar Lutfi Zharku, homologun malazez Ivan Brajevic si dhe atë Boshnjak Izet Bajrambashiq, me të cilët u diskutua për koordinimin për mbështetjen e projekteve të përbashkëta, si dhe futjen e tyre si pjesë të korridoreve evropiane. Takimi i ardhshëm për këtë qëllim është në Prishtinë më 25 Mars.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb