TIRANË- Prokuroria ka sekuestruar prozhektorët e ndriçimit që u përdorën në mitingun e hapjes së fushatës elektorale të Partisë Demokratike. Një ditë pas helmimit të rreth 140 mbështetësve të PD-së, prokuroria vijon hetimet intensivisht për zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e shkaqeve të helmimit.

Gazetarja Klodiana Lala tha për “BalkanWeb” se prokuroria ka marrë vendimin për sekuestrimin e prozhektorëve pasi dyshohet se pikërisht ndriçimi ka qenë shkaku i lëndimit të dhjetëra personave që morën pjesë në miting, mes tyre edhe kreu i PD-së Lulzim Basha.

“BalkanWeb” mëson se oficeret e policisë gjyqësore kanë sekuestruar prozhektorët e ndriçimit në kompaninë që ka marrë përsipër aktivitetin. Prozhektorët do dërgohen për ekzaminim në laborator për të përcaktuar nëse kanë ose jo rrezatim të dëmshëm.

Janë 140 raste të paraqitura dje për të marrë ndihmën e parë, ku midis tyre 14 pacientë janë shtruar.

Personat e prekur nga ky helmim, kane pasur shenja klinike si skuqje të syve, dhimbje të syve, marramendje, të vjella, turbullim shikimi, skuqje në zonat e fytyrës dhe qafës, marrje fryme.

Kreu i PD-së Lulzim Basha doli dje para mediave dhe kërkoi nga organet kompetente zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe vënien para ligjit të autorëve.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb