Hora Sadat ishte një grua që kishte ndërtuar një audiencë të madhe në YouTube përmes krijimit të videove lidhur me jetën në Afganistan.

Edhe pasi talebanët morën pushtetin më 2021, 25-vjeçarja vazhdoi të gjeneronte përmbajtje multimediale për më shumë se 300.000 ndjekësit e saj, pavarësisht përpjekjeve të grupit militant që të zhdukin gratë nga jeta publike.

Javën e kaluar, llogaritë në rrjetet sociale të Sadatit ranë në heshtje. Ajo dyshohet se është helmuar për vdekje pasi mori pjesë në një ngjarje private në kryeqytetin afgan, Kabul, më 21 gusht. Talebanët thanë se kanë arrestuar dy persona, një burrë dhe një grua lidhur me vdekjen e saj.

Dhe pse motivet e helmimit të dyshuar nuk janë të qarta, vdekja e saj ka pasur një efekt drithërues për gratë që janë personalitete online apo në rrjetet sociale, e të cilat vazhdojnë të jenë aktive në Afganistan.

Duke folur për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë, disa gra që postojnë përmbajtje në YouTube, të cilat folën në kushte anonimiteti për shkaqe sigurie, thanë se kanë frikë për jetën e tyre dhe kanë ndërprerë prezencën e tyre online.

“Çdo grua që punon në media, është aktive në jetën shoqërore apo shfaqet në mediat sociale përballet me kërcënime ekstreme”, tha për Radion Azadi, Shakeela, e cila kërkoi që emri i saj i vërtetë të mos publikohej.

Shakeela tha se më nuk incizon videon në publik dhe tani prodhon video vetëm në shtëpinë e saj ku ndihet e sigurt. Por, ajo nuk e shfaq më fytyrën e saj nëpër video. “Për shkak të frikës, unë më as fqinjëve nuk mund t’iu tregoj se kam një kanal në YouTube”, tha Shakeela, e cila jeton në Kabul.

Vetëm pak gra të reja afgane, që kanë kanale në YouTube kanë vazhduar aktivitetin e tyre nën sundimin taliban, sundim që po kryen një shtypje brutale ndaj disidencës.

Shumë personalitete në rrjetet sociale, përfshirë edhe burra, kanë shmangur kritikat ndaj talibanëve apo komentimin e politikave të tyre. Ata janë fokusuar në shfaqjen e kulturës afgane dhe bukurive natyrore. Pavarësisht natyrës apolitike, përmbajtja online ka hedhur dritë mbi sundimin taliban në Afganistan.

Suraya, një tjetër grua nga Kabuli, që ka kanalin e saj në YouTube, tha se vdekja e Sadatit ka përhapur frikë në mesin e grave afgane që kanë rol të dukshëm në shoqëri. “Jam e tmerruar”, tha ajo për Radion Azadi.

“Je vetëm”
Disa aktiviste për të drejtat e grave në Afganistan kanë fajësuar talebanët për vdekjen e Sadatit, edhe pse nuk ka asnjë provë për përfshirjen e grupit militant.

Javën e kaluar, anëtare të Lëvizjes për Fuqizimin e Grave Afgane u mblodhën pranë varrit të Sadatit për të shprehur shqetësimet e tyre lidhur me atë që ato i quajtën vrasje të shënjestruara të grave të njohura.

“Duke shkuar te varri i Horas, ne fillimisht duam të ndajmë dhimbjen me familjen dhe miqtë e saj. Ne po ashtu duam që komuniteti ndërkombëtar të ndëshkojë ata që qëndrojnë pas vrasjeve të mistershme dhe shënjestruese ndaj grave”, tha për REL-in, Halima Hakimi, anëtare e kësaj lëvizjeje.

Në janar, Mursal Nabidzadah, ish-ligjvënëse afgane, u qëllua për vdekje së bashku me truprojën e saj pasi një sulmues i paidentifikuar hyri në shtëpinë e saj në Kabul. Motivi i vrasjes së saj vazhdon të jetë i paqartë.

Vrasja e Sadatit vë në pah rreziqet me të cilat përballen gratë nën sundimin taliban.

Që kur morën pushtetin, grupi islamik i linjës së ashpër ka ndaluar gratë që të shkollohen dhe pothuajse të gjitha format e punësimit, duke ua mohuar në mënyrë efektive rolin e tyre në shoqëri. Talibanët kanë vendosur kufizime strikte sa i përket lëvizjeve të grave dhe dukjes së tyre. Militantët po ashtu kanë shtypur me dhunë protestat e grave dhe kanë arrestuar aktiviste.

Talibanët po ashtu kanë shkatërruar Ministrinë për Çështje të Grave dhe Komisioni i Pavarur për të Drejtat e Njeriut në Afganistan ka mbyllur strehimoret, ka ndaluar programet e asistencës ligjore dhe gjykatat speciale që ishin të dizajnuara të luftonin dhunën ndaj grave dhe vajzave.

“Mesazhi që u është dërguar grave dhe vajzave është se nëse ju përballeni me dhunë apo kërcënime, administrata talibane nuk do t’iu ofrojë asnjë ndihmë: jeni vetëm”, tha Heather Barr, drejtoreshë për të drejtat e grave në organizatën Human Rights Watch. “Gratë kanë çdo arsye që të kenë frikë për sigurinë e tyre”./REL/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb