TIRANË

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare Ksenofon Krisafi e shikon heqjen e ligjit të luftës nga pala greke nëse do të ndodhë si një mundësi për relaksimin e marrëdhënieve por dhe për hapjen e çështjeve të tjera.

Krisafi tha në “Real Story” në News24 se pala shqiptare nuk duhet të përzihet fare në procesin e heqjes së ligjit të luftës nga Greqia, pasi është një akt unilateral që i takon palës greke dhe është në nderin e saj. Por nga ana tjetër ai thotë se kjo do të krijonte mundësinë për të diskutuar për lumin Vjosë, pasi me punimet që janë ndërmarrë nga pala greke në rrjedhën e sipërme të lumit, janë marrë deri tani 83% të prurjeve mesatare vjetore në stinë të thatë ose 50% në stinë të lagësht.

“Kushtet janë pjekur që ligji i luftës të hiqet. Është një atavizëm, është një anakronizëm, është një absurditet historik por dhe aktual që s’ka kuptim të qëndrojë më aty. Është fakt që ne nuk mund ta mohojmë dot që shqiptarët dhe grekët, popujt kanë qenë miq, kanë bashkëjetuar pa probleme. Ka plot skena në sensin e kundërt dhe plot skena në sensin pozitiv. Mendoj që ligji i luftës do hiqet patjetër, problemi është si do hiqet. Unë jam kundër mendimeve që përhapen, hajt të bisedojmë tani me grekët si do e heqin ligjin. Është akt unilateral, e abrogojnë ata. Heqja e ligjit të luftës i relakson jashtëzakonisht shumë marrëdhëniet, hap shumë mundësira për shumë gjëra të tjera. Ne kemi problemin e ujërave të Vjosës që është një problem i cili ka mbetur në hije, por që është goxha i madh. Sepse me punimet që janë ndërmarrë nga pala greke në rrjedhën e sipërme të lumit të Vjosës janë marrë deri tani 83% të prurjeve mesatare vjetore në stinë të thatë ose 50% në stinë të lagësht. Ne nuk duhet të kërkojmë të bëhemi palë në procedurat e ligjit të luftës. Po e hoqën është në nderin e tyre po s’e hoqën çështje e tyre.
Këto çështje i kanë trajtuar dhe zgjidhur. Kanë të bëjnë me kadastrën me pronat”, deklaroi Krisafi.
Sa i përket çështjes çame dhe pronave, ai tha se ligji i luftës nuk kishte të bënte me pronat çame, se çamët atëherë ishin shtetas grekë. “Ligji i luftës kishte të bënte me shqiptarët”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb