Analisti Skënder Minxhozi tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se shoqëria shqiptare është treguar e paaftë të certifikojë vetë klasën politike, ndaj dhe sipas tij, është dashur gjithmonë ndërhyrja e të huajve.

Duke komentuar vendimin për largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD, Minxhozi theksoi se tashmë Lulzim Basha ka shansin të jetë vetvetja.

“Të huajt janë aty, nuk janë as të mirë, as të këqij. Ne jemi kaq të paaftë si shoqëri, si klasë politike, si institucione, që të bëjmë gjënë e duhur kur është puna për të vënë pikat mbi i e për t’iu thënë ca burrave të këqij që na qeverisin ‘basta’, që të certifikojmë vetë klasën politike. Të dyja palët janë njësoj, ka 30 vite që vendosin të huajt. Gjithçka neve na e bëjnë të huajt. Kjo është një demokraci shumë e brishtë, e korruptuar, që nuk qeveris dot vetveten dhe që duhet një ndryshim kursi. Sa i përket nëse Basha është më i fortë apo më i dobët, mendoj se është shumë herët të bësh llogari. Basha ka shansin më në fund të jetë vetvetja, pa hijen e më të vjetrit, dhe kjo është një rrethanë pozitive për atë. E dyta, që hiqet nga fusha një ‘dordolec’ politik, e bën pozitën të mbetet në fushën e lojës me një argument më pak, pasi nuk e akuzon dot më opozitën për Berishën, për sa kohë është përjashtuar. Kam thënë që Berishë nuk e votojnë dhe tani Basha ka disa vota gri, por prishja e marrëdhënieve mes Bashës e Berishës do duhet parë edhe në anën tjetër, Berisha sa mbështetës ka. Kur sot gjen ende nanoist nëpër Shqipëri, 16 vite pasi ai e ka këputur litarin, sa berishistë gjen? “, tha Minxhozi.

Ndërkohë, gazetari dhe analisti Ervis Iljazaj deklaroi se Sali Berisha ka mbështetës në PD, por sipas tij, kur të vijë momenti për të votuar, mes të shkuarës dhe të ardhmes, ata do të zgjedhin të ardhmen.

“Është e vërtetë që Berisha ka mbështetës në PD, por zakonisht votuesit kanë tendencën të shkojnë drejt pushtetit. Edhe ata që e duan Berishën sot, do vijë momenti që do të pyesin ‘ku do shkojmë?’ Ka dhe nanoistë sot, por po të dilte Nano me një parti tjetër, njerëzit do të votonin PS. Unë gjykoj që ka mbështetës të Berishës, por kur të vijë momenti të zgjedhin mes të ardhmes dhe të shkuarës, mendoj se do të zgjedhin të ardhmen. Nëse opozita vazhdon e ndjek akoma bojkotin, radikalitetin e tepruar si këto 4 vite, për mua nuk vjen në pushtet as në 2025, por nëse ndryshon taktikë, ka shans të vijë”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb