Zbardhet dëshmia e pronarit të mobilerisë në Durrës, e cila u bë shënjestër e një sulmi me lëndë plasëse.
Gazetarja Klodjana Haxhiaj ka siguruar për BalkanWeb dëshminë e Artan Allës, i cili pohoi para oficerëve të policisë se kjo ishte hera e tretë që e sulmonin me lëndë plasëse. Ai nga ana tjetër pohoi se nuk kishte konflikte me askënd.
“Unë e kam këtë dyqan këtu. Nuk kam konflikt me asnjë njeri. Këtu rri tërë kohës. Nuk kam prona për këtë pronë. E kam me letra me të gjitha. Rri serbes këtu në derë të dyqanit tërë ditën. Nuk kam dyshime. Nuk di asgjë. Kamerat e kanë kapur autorin. U fiksua një person duke hedhur lëndën. Ishte me maskë, me kapuç. Kjo është e treta herë që ka ndodhur kjo. Hera e parë në nëntor, një herë para 3-4 javësh dhe sot. Jam në punën time. Punëtorët i kam florinj. Edhe drekën ua sjell çdo ditë te puna. Nuk kam probleme pronësie. Rri deri në darkë këtu.”, tha pronari i këtij biznesi.”, tha ai.
Durrës/Informacion paraprak
Në orët e para të mëngjesit, në Rrashbull, Durrës, në ambientet e jashtme të mobilierisë në pronësi të shtetasit L. A., 36 vjeç, është hedhur një sasi lënde e dyshuar plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se lënda plasëse është hedhur për shkak të një konflikti për motive pronësie.
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës janë shoqëruar 3 shtetas që dyshohet se kanë dijeni për rastin. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për zbardhjen e rastit, identifikimin e kapjen e autorit/ve.
(BalkanWeb)
