Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja njoftuan sot një sërë kufizimesh udhëtimi për personat që vijnë nga zonat afrikane të prekura nga epidemia e Ebolës, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe vizitorëve gjatë zhvillimit të Kupës së Botës.
“Shëndeti dhe siguria e çdo personi mbetet përparësia jonë kryesore, ndërsa mirëpresim të gjithë në Amerikën e Veriut”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tre vendeve, pa u dhënë ende detaje të plota mbi masat e reja.
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi më 17 maj se shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos rrezikon të përhapet në vendet fqinje. Për këtë arsye, shumë qeveri kanë ndërmarrë masa parandaluese për të kufizuar rrezikun.
Javën e kaluar, SHBA ndaloi hyrjen e shtetasve jo-amerikanë që kishin udhëtuar së fundmi në Republikën Demokratike të Kongos, Ugandë ose Sudanin e Jugut. Të premten, ky ndalim u zgjerua edhe për mbajtësit e kartës së gjelbër që kanë qenë në këto vende gjatë 21 ditëve të fundit.
Ndërkohë, Kanadaja ka vendosur ndalim hyrjeje për 90 ditë për personat që banojnë në tre vendet afrikane të prekura, duke nisur nga dita e mërkurë. Qytetarët kanadezë dhe banorët e përhershëm që kanë qenë në këto vende, por nuk shfaqin simptoma, do t’i nënshtrohen një karantine 21-ditore duke filluar nga 30 marsi.
Edhe Meksika ka vendosur masa të ngjashme, përfshirë karantinën 21-ditore për udhëtarët që mbërrijnë me avion. Autoritetet meksikane kanë shtuar kontrollet në aeroporte dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet drejt Republikës Demokratike të Kongos.
Në të njëjtën kohë, kreu i agjencisë shëndetësore të Bashkimit Afrikan (Africa CDC), Jean Casey, deklaroi se një vaksinë për llojin Budibugio të virusit Ebola pritet të jetë gati brenda këtij viti.
“Ajo për të cilën jemi të sigurt është se deri në fund të vitit do të kemi vaksina dhe trajtim për Budibugio-n”, tha Casey gjatë një konference online me gazetarët.
Aktualisht, për shkak të mungesës së një vaksine dhe trajtimi specifik për këtë variant të virusit, masat mbrojtëse bazohen kryesisht në respektimin e protokolleve shëndetësore dhe identifikimin e shpejtë të rasteve të dyshuara.
