Shkrimtarja, studiuesja dhe regjisorja zvicerane Hildegard E. Keller ka qenë në Tiranë në një bashkëbisedim dhe lexim letrar me Arian Lekën. Në një takim të organizuar nga Instituti “Goethe” dhe Poeteka, u soll në vëmendje, letërsia dokumentare, nisur nga romani i saj i fundit “Was wir scheinen”, kushtuar filozofes Hannah Arendt .
“Kam punuar për shumë personazhe gra e disa janë shumë të njohura, si Hannah Arendt. Por në përgjithësi nuk më intereson shumë kjo, se sa, fakti nëse ato janë tërheqëse për mua, ato duhet të më flasin mua, duhet të më thërrasin. Dhe Arendt, ka qenë në vitet ’50, ishte e vetmja grua që merrej me ato temat e mëdha, që ishin kryesisht tema që merreshin burrat”, tha ajo.
Çështjet e lirisë, rolit të intelektualit në shoqëri, temat që shqetësojnë dhe tërheqin vëmendjen e një shkrimtari, personazhet historike si personazhe letrare, jeta e përditshme e figurave publike, mes publikes e personales, ajo i preku në intervistën e saj për News24, duke vënë theksin edhe te roli i letërsisë në shoqëri, duke nisur edhe nga jeta e saj si gjermane e Zvicrës.
“Unë mendoj se zhanret në të cilat punoj, si filmi apo romani, janë një formë e lirie edhe pse jam në art. Unë punoj në art, por kam një formim si studiuese. Dhe gjej liri në këtë formë, liria ndaj historisë dhe fakteve, apo imazheve të ndërtuara, si ajo e ikonës së Arendt, dua të di, se di duhet një intelektual të jetë, ose çfarë ishte ajo. Mandej, gjej liri të dal prej tyre dhe të zgjerohem, të dal përtej ose matanë, dhe mendoj se është kontributi im kryesor. Dal jashtë kohës e dhe jashtë rrjedhës, jashtë asaj që është në modë të mendosh sot. Ndjek kuriozitetin tim”, tha ajo.
Keller, gjermaniste dhe hispaniste zvicerane është personalitet shumëdimensional i kulturës bashkëkohore evropiane, e angazhuar së pari si studiuese.
