Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për protestat qytetare, duke i cilësuar ato si “hipokrizi, demagogji, përçmim dhe mashtrim”.
Sipas Mediut, Rama po tallet me qytetarët duke pretenduar se protestat janë pasojë e suksesit të qeverisë së tij dhe se shqiptarët kërkojnë “më shumë sukses”.
“Protesta e shqiptarëve është një nga momentet më të bukura të historisë së demokracisë shqiptare, e cila duhet t’i bëjë të reflektojnë çdo qeveritar, parlamentar dhe qytetar”, shkruan Mediu.
Ai akuzon kryeministrin se nuk po reflekton ndaj pakënaqësisë qytetare dhe se, sipas tij, problemet e vendit janë pasojë e një politike të qëllimshme.
“Përveç demagogjisë, nuk pres asnjë reagim tjetër nga Rama, sepse asgjë nuk ka ndodhur nga moskuptimi apo padija, por me qëllim: për të shkatërruar pluralizmin, për të eliminuar opozitën, për të manipuluar zgjedhjet dhe për të krijuar një pushtet absolut”, deklaron kreu i PR-së.
Mediu kërkon largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare për organizimin e zgjedhjeve, duke argumentuar se vendi ka nevojë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
“Demokracia ka në themel zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nevojitet një pakt për largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare, si dhe një ligj zgjedhor që garanton barazinë e garës dhe të votës”, përfundon Mediu.
“Hipokrizi, demagogji, përçmim dhe mashtrim!
Kjo është zgjidhja që Rama u ofron shqiptarëve që kërkojnë largimin e tij. Rama, në talljen më të madhe me turmën e tij socialiste, deklaron se njerëzit protestojnë sepse qeveria e tij është e suksesshme dhe se ata janë të pangopur nga suksesi i tij, prandaj, sipas tij, dalin në protestë sepse duan edhe më shumë.
Protesta e shqiptarëve është një nga momentet më të bukura të historisë së demokracisë shqiptare, e cila duhet t’i bëjë të reflektojnë çdo qeveritari, parlamentari dhe qytetari.
Padyshim, përveç demagogjisë, nuk pres asnjë reagim tjetër nga Rama, sepse asgjë nuk ka ndodhur nga moskuptimi apo padija, por me qëllim: për të shkatërruar pluralizmin, për të eliminuar opozitën, për të manipuluar zgjedhjet, për të shkatërruar Parlamentin, për të kontrolluar gjyqësorin, për të nxitur rritjen galopante të korrupsionit dhe krimit të organizuar, pastrimin e parave, largimin masiv të shqiptarëve dhe krijimin e një pushteti absolut, që e sheh Shqipërinë si plaçkë tregu dhe shqiptarët si numra në funksion të interesave të pushtetit.
Demokracia ka në themel zgjedhje të lira dhe të ndershme! Për të garantuar që shqiptarët të vendosin si njerëz të lirë, pa përdorimin e shtetit, korrupsionit, kërcënimit të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, ka nevojë për një pakt: Largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare për organizimin e zgjedhjeve. Po ashtu, nevojitet një ligj zgjedhor që garanton barazinë e garës dhe të votës, duke ua kthyer shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur”, shkruan Mediu.
