Thirrjen e kryeministrit Edi Rama për dialog, studentët e konsiderojnë hipokrite, duke argumentuar se ajo erdhi vetëm pasi protesta e tyre u zgjerua dhe ushtroi presion ndaj qeverisë.
Në një prononcim për News24, një studente u shpreh se të rinjtë janë ndjerë të shpërfillur prej muajsh, kur kërkesat e tyre shpreheshin përmes protestave paqësore dhe nuk merrnin përgjigje.
Ajo u bëri thirrje studentëve që dëshirojnë të rikthehen në auditorë të mos harrojnë arsyet për të cilat nisi protesta, duke theksuar se qëllimi është një e ardhme më e mirë dhe jo humbja e vitit akademik pa një kauzë të qartë.
Studentja kërkoi gjithashtu organizimin e të gjitha fakulteteve përmes strukturave të tyre përfaqësuese, në mënyrë që të vendoset për vijimin e një lëvizjeje të përbashkët studentore.
Ajo sqaroi se bojkoti mësimor nuk është shpallur nga një organ zyrtar, por është rezultat i vullnetit të vetë studentëve.
“Të rinjtë që marshojnë sot bëjnë thirrje për bojkot dhe të kujtojnë për çfarë protestojnë. Nuk dihet si do të veprohet nesër, sepse ne nuk kemi autoritet mbi askënd”, u shpreh studentja për News24.
Ndërkohë, studentët vijojnë marshimin në fakultetet e kryeqytetit, ku po u bëjnë thirrje kolegëve të tyre t’i bashkohen protestës dhe bojkotit të mësimit.
