Studentët kanë nisur këtë mëngjes marshimin në universitetet e kryeqytetit, duke vijuar protestën kundër qeverisë dhe duke kërkuar bojkotimin e procesit mësimor.

Pas Politeknikut, marshimi ka nisur drejt Universitetit të Arteve, ndërsa më pas të rinjtë pritet të vijojnë në fakultetet e tjera të Tiranës, ku do t’u bëjnë thirrje studentëve që t’u bashkohen protestave dhe të braktisin auditorët.

“Protestë deri në dorëheqjen e Ramës”, është mesazhi që shoqëron lëvizjen e tyre, ndërsa studentët theksojnë se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave.

Ata bëjnë me dije se kanë zhvilluar diskutime dhe kanë vendosur bashkëpunim me grupe studentësh në universitete të ndryshme, përfshirë edhe studentët e Mjekësisë, me synimin për të zgjeruar bojkotin dhe për të bashkuar zërat e të rinjve.

Marshimi vjen në ditën e 22-të të protestës, e cila tashmë po shtrihet edhe në ambientet universitare, përmes thirrjeve për bojkot të mësimit dhe mobilizim të studentëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb