Pritjes po i vjen fundi. Nëse zbatohet afati i përmendur nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, atëherë deri nesër do të mësohet se cili do të jetë formati i ri i Abissnet Superiore.
Final Four do të hiqet siç “Panorama Sport” ka mësuar, por duhet parë nëse do të rikthehet formati klasik. Një alternativë tjetër është që pas pjesës më të madhe të sezonit, kampionati të ndahet në dy grupe. Pesë të parat për të vendosur titullin kampion dhe Europën, ndërsa pesë ekipet e tjera për të mos rënë nga kategoria. Do të ishin 8 javë për t’u luajtur në total.
Vetë presidenti Duka u shpreh më 31 maj, që brenda 15 ditëve të para të qershorit do të ketë një vendim nga Komiteti Ekzekutiv.
ÇFARË DEKLARONTE PRESIDENTI DUKA
“Për edicionin e ardhshëm është e pamundur që të ketë një ndryshim në numrin e skuadrave sepse është e palejueshme nga rregulloret e FSHF dhe kompeticioneve në përgjithësi. Për formatet është diçka që duhet të diskutojmë. Faktin që mund të rikthehemi për një vendim tjetër për ‘Final Four’ është se mesa duket tifozeritë e rretheve e kanë të vështirë të udhëtojnë në Tiranë dhe mbështesin skuadrat tyre. Pjesëmarrja në Final Four nuk ka qenë e kënaqshme. Dhe pjesëmarrjen e tifozëve e ka penalizuar mospjesëmarrja e Tiranës dhe Partizanit, që do jepnin më shumë atmosferë në ‘Air Albania’. Për edicionin tjetër do të rishohim çfarë formati do kemi. Këtë e vendosim brenda 15 ditëve të para të qershorit.
Ndryshim? E pamundur, për në edicionin 2026/27 do jenë 10 skuadra. Nëse do ketë katër faza, apo play-off, kemi pajtuar kompani të specializuar që ka bërë formatin e Champions dhe formatin e ardhshëm të ekipeve kombëtare. Do shohim të gjitha versionet dhe do marrim vendim në Komitetin Ekzekutiv”.
