Historia e “Vatrës” do të rikthehet në një botim dokumentesh, të mbledhura nga arkivat brenda dhe jashtë vendit. Akademiku Beqir Meta do të sjellë për lexuesin një kolanë dokumentesh prej 5 volumesh me historinë e Vatrës nga themelimi e deri në ditët e sotme, falë edhe kontributit monetar të Presidentit të Hysenbelliu Group, Irfan Hysenbelliu dhe biznesmenit Kadri Morina.

Ky botim do të ndriçojë kontributin e jashtëzakonshëm të Federatës Panshqiptare “Vatra” për kombin dhe shtetin shqiptar.
Kryetari i shoqatës “Vatra” Elmi Berisha shprehu mirënjohjen ndaj biznesmenëve që kanë kontribuar për këtë botim dokumentarësh, që sipas tij do të jetë një arkiv i përjetshëm për shqiptarët dhe motivim për të rinjtë dhe të rejat.

Presidenti i Hysenbelliu Group, Irfan Hysenbelliu e ka mirëpritur të jetë pjesë e projektit dhe e shoqatës “Vatra”, që sipas tij po rritet dita-ditës. Hysenbelliu bëri të ditur se do ta vazhdojë angazhimin dhe kontributin e tij ndaj “Vatrës”.

Biznesmeni Kadri Morina kërkoi nga profesori Beqir Meta që të pasqyrojë në këtë botim dokumente të sakta, që të përcillen brez pas brezi.

Pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes midis institutit të Historisë Tiranë dhe Federatës Panshqiptare “Vatra” në SHBA për realizimin e botimit ishte edhe Naim Dedushaj, i cili ka udhëhequr zyrën e lidhjes demokratike të Kosovës në New York dhe ka kontribuar në zhvillimet lobuese në Washington.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb