Një nga liderët e parë antikomunistë në Shqipëri, Bashkim Kopliku është përcjellë sot në banesën e fundit pasi nuk mundi të fitonte dot betejën me COVID-19.

Familjarë, miq, të afërm dhe personalitete shqiptare i kanë dhënë lamtumirën e fundit në një ceremoni të mbajtur në ambient të hapur në qytetin e tij, Durrësin.

Vajza e tij, që gjithashtu u prek nga COVID-19 teksa ka falënderuar të pranishmit nuk e ka mbajtur dot veten duke shpërthyer në lot. Por nuk kanë munguar dhe akuzat e saj ndaj shtetit. Ajo tha se i ati nuk vdiq nga COVID-19 por nga pakujdesia e shtetit.
“E pabesueshme për të gjithë. Për ju ishte Bashkim Kopliku për mua ishte im atë. Sa i drejtë që ishte, sa shumë bënte për gjithë njerëzit. Nuk vdiq nga COVID-19, por nga pakujdesia e shtetit. Ndërroi jetë pasi nuk kishte oksigjen. Vdiq kur po e dërgonim në avion në Itali për kurim më të specializuar”, tha ajo.

Kopliku ka qenë deputet tre herë në Kuvendin e Shqipërisë, Kryetar i Komitetit të I° pluralist në verën e largët të vitit 1991, Zv/Kryeministër, Ministër i brendshëm në qeverinë e parë demokratike, Ministër i ekonomisë dhe kryetar i komisionit të ekonomisë në Kuvendin e Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb