Analisti Evarist Beqiri ka komentuar në emisionin “News24-Fundjave” zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te protestat e opozitës dhe mënyra e funksionimit të saj.
Sipas Beqirit, protestat e zhvilluara së fundmi ndjekin të njëjtin model dhe nuk kanë prodhuar rezultat konkret politik. Ai u shpreh se përsëritja e të njëjtave veprime nuk sjell ndryshim dhe theksoi se institucionet nuk duhet të sulmohen, pavarësisht pakënaqësive që mund të ekzistojnë.
“Opozita ka një rol tjetër në demokraci. Opozita ka rolin të frymëzojë qytetarët, të krijojë shpresë, të krijojë alternativë, të krijojë besim për ne, për një të nesërme më të mirë. Nuk ka rolin që të dalë e t’i vërë flakën, të hedhë molotov apo çfarëdo lloj mjeti, pavarësisht pakënaqësive që mund të kemi ne ndaj institucioneve, dhe patjetër që kemi shumë.
Por jo, nuk është kjo zgjidhja; të djegim institucionet apo siç ndodhi me vilën e ish-diktatorit dhe pastaj të kërkojmë falje: “Jo, po nuk e dinim që kishte shkuar deri atje”. Domethënë veprime që unë s’e kuptoj se ku duan të dalin me këto që bëjnë”, tha Beqiri.
Beqiri deklaroi se opozita duhet të fokusohet në krijimin e një alternative politike dhe në ofrimin e shpresës për qytetarët, në vend të veprimeve që, sipas tij, nuk sjellin efekt politik.
Duke folur për pjesëmarrjen në protesta, ai vlerësoi se ajo nuk ka qenë masive dhe se nuk vërehet rritje e mbështetjes për opozitën. Ai ngriti gjithashtu pyetjen nëse brenda saj ekziston reflektim apo proces vetëpërmirësimi.
“E humbën shansin para zgjedhjeve dhe këtu të dyja palët, PS-ja ishte më në avantazh dhe ndoshta e kishte luksin… por prapë ndryshuan më shumë po t’i shikosh. Pra nuk shikoj refleksion. Në qoftë se do që të paraqitesh para shqiptarëve si një alternativë tjetër e besueshme, duhet të ndryshosh. Ata nuk e kanë këtë qasje. Pra janë aktorë të stërlodhur nga luajtja e të njëjtit rol. Këta kemi sot në Shqipëri. Janë mjeshtra për xhonglim, mjeshtra cirku, por nuk janë kampionë. Nuk ka kampion sot në fushë. Këta janë vetëm për interesat e veta, nuk luftojnë për ta bërë Shqipërinë diçka ndryshe ose për t’na dhënë një shans neve që po jetojmë sot këtu”, tha analisti Evarist Beqiri.
Analisti u ndal edhe te organizimi i brendshëm i opozitës, duke theksuar se mungon, sipas tij, hapja dhe përfshirja reale e aktorëve të rinj apo intelektualëve, si dhe reforma e brendshme funksionale.
Sa i përket pjesëmarrjes qytetare, Beqiri u shpreh se mungon kultura e konsoliduar e protestës dhe se qytetarët nuk ndihen të përfaqësuar në tubime që, sipas tij, përsërisin të njëjtin diskurs politik ndër vite.
