Florjon Mima, ish-deputet i PD-së paralajmëron se humbja e të ardhurave dhe zëvendësimi nga paketat e ndihmës qeveritare mund të shkaktojnë një dorëzim pa kushte në kthetrat e varfërisë, urisë e mjerimit të dhjetëra mijëra familjeve shqiptare. “Por – thotë Mima për ‘Gazeta Shqiptare’ – pa u mëkëmbur të ardhurat individuale dhe ato biznesore, do të jetë pothuajse e pamundur për të filluar kontribuimi në arkën e përbashkët”. Ish-zëvendësministri i Financave akuzon qeverinë si të pandjeshme ndaj varfërisë, teksa liston kategoritë që duhet të përfitojnë nga ndihma financiare, të cilën nuk preferon t’a quajë “paga e luftës”… Z.Mima i bën thirrje kryeministrit Edi Rama se është më mirë që të anulojë PPP-të sesa të pllakosë skamja në vend.

 Z.Mima, qëndrimi në shtëpi i shqiptarëve sa konsiston në humbjen e të ardhurave përgjatë kësaj periudhë të pandemisë Covid-19?

Sigurisht që ndikon, por nëse pjesa e parë e pandemisë kërkonte detyrimisht distancim fizik masiv dhe mbyllje po masive të aktiviteteve prodhuese, të tregtisë, të shërbimit etj., pjesa e dytë duhet të udhëhiqej nga numrat, numrat e mëdhenj të testimeve, të cilat do të na tregonin sesa është numri i të prekurve, se ku janë të përqendruar ata në hapësirën gjeografike e më tej nëpër industri të caktuara. Nëse kjo do të ishte bërë, ne sot do të ishim në gjendje të merrnim vendime të pjekura e të bazuara shkencërisht se cilat zona mund të hapeshin, cilat aktivitete mund të fillonin punë e kështu me radhë. Kjo nuk po ndodh, fatkeqësisht po ndodh një improvizim i madh për të vendosur kuturu se kush duhet të fillojë punë e kush jo. Prekja e Krujës, ku përhapja masive filloi nga një aktivitet, të cilin qeveria e deklaroi se nuk duhej mbyllur vetëm e vetëm për të mos marrë përsipër pagat e punonjësve tregon sesa amatorë, por edhe sa e pashpirt ishte kjo zgjidhje nga ana e qeverisë. Humbja e të ardhurave dhe zëvendësimi aspak dinjitoz i tyre nga paketat e ndihmës qeveritare mund të shkaktojnë dorëzim pa kushte në kthetrat e varfërisë, urisë e mjerimit të dhjetëra mijëra familjeve shqiptare.

Si i konsideroni masat e marra nga qeveria, paketën financiare?

Paketat janë të dobëta, të mekura e anemike. Ato ndonëse me lojëra fjalësh, tentohet të rriten për të mos e lënë Shqipërinë nën nivelin turpërues krahasuar me vendet e rajonit, përbëjnë vetëm 0.8% të PBB-së, duke ngelur në një nivel aspak dinjitoz krahasuar edhe me vende me të varfra se ne dhe duke i bërë gjyqin publik një qeverie gjasme të majtë, e cila duhet të kishte si yll polar të sajin mbrojtjen sociale, solidaritetin me më të dobëtit e më të varfrit etj.. Në të kundërt shohim një merak të shtuar për të mos anuluar PPP-të e vetëm dhjetë oligarkëve, ashtu siç shohim një merak të shtuar për të mos nxjerrë para nga buxheti, për të ndihur biznesin dhe shtetasit me mungesë të ardhurash. Por, pa u mëkëmbur të ardhurat individuale dhe ato biznesore, do të jetë pothuajse e pamundur për të filluar kontribuimi në arkën e përbashkët.

Të plotë e lexoni në: Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb