Alket Hyseni, deputet i PS-së thotë se nuk është e nevojshme një kohë e gjatë për ndryshimet kushtetuse, pra hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve duke hedhur poshtë një nga arsyet e paraqitura nga opozita parlamentare për këto ndryshime siç është koha e shkurtër.

Ai tha në “Opinion”, News24 se kemi të bëjmë me elementë teknik. Sipas tij, PD bën kalkulime elektorale, ndërsa PS ligje për t’u mundësuar shqiptarëve shprehjen më demokratike të votës.

“Nuk është asnjë ndryshim thelbësor që ka nevojë për kohë të gjatë nuk po preken elementë esencialë të Kushtetutës dhe as kodit zgjedhor. Kemi një element teknik. Çështja e listave është element teknik se si do jenë listat e votimit. Nuk e kuptoj se ku është frika. Unë e kuptoj që mund të ndiejnë frikën por është problem politik jo juridik.
Roli jonë është që vullnetin e qytetarëve ta kthejmë në ligj. Janë dy dispozita të thjeshta për t’u prekur. PD e ka të gjithë ekspertizën për ta lexuar. PD bën kalkulime elektorale. Ne nuk bëjmë dot kalkulime elektorale që sjellin fitoren apo humbjen e PS. Ne bëjmë ligje për tu mundësuar shqiptarëve shprehjen më demokratike të votës së tyre. Për t’u mundësuar ligje dhe Kushtetutë që qëndron së paku një dekadë por do uroja disa dekada”, deklaroi Hyseni.

Ai i bëri thirrje opozitës për bashkëpunim.
“Uluni dhe bashkëpunoni për të miratuar më 30 korrik ato që kërkohen nga 85% e shqiptarëve”, u shpreh ai.

I pyetur se përse ky nxitim i maxhorancës për t’i kaluar më 30 korrik, ai tha se pse nuk ka më kohë.
“Sepse nuk ka kohë dhe procedurat janë të tilla dhe kodi zgjedhor ka përcaktuar afate. Rregullat e lojës i kemi bërë bashkërisht. Të gjitha që kërkoi PD dhe aleatët e saj ne i përfshimë në ato ndryshime dhe pse me dhimbje dhe pa dëshirë. Ne u tërhoqëm nga shumë gjëra për hatër të opozitës. Dialogu është të lëshosh për të mirën e vendit.
T’i shmangen debatit me shpresën që mund t’i pamundësojnë gjërat nuk kanë asnjë shans për ta bërë. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet për konsensus maksimal.
Nuk është e njëanshme por e dyanshme. Kemi një opozitë e zgjedhur nga votat e opozitës. Nuk kemi të gjithë konsensusin por është problemi i opozitës.
Nuk ka gjëra që bëhen me 100% konsensus. Koha e ultimatumeve ka përfunduar, është koha e dialogut dhe e institucioneve.
Ta lexojë opozita dhe mbështetësit e opozitës dhe t’u bëjnë presion liderëve të opozitës për të mirën e tyre dhe të Shqipërisë”, u shpreh Hyseni.

Deputeti socialist tha se “ne kemi bërë të gjitha përpjekjet për të qetësuar klimën politike por është një çështje kërkon dy palë”.

“Përgjegjësia jonë do ishte nëse nuk do të bënim të gjitha përpjekjet. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet.
Ne nuk na tremb asnjë kërcënim sepse kemi institucione solide, një shtet të fortë që e ka treguar veten. Ne na shqetëson fakti që kemi një opozitë jo në lartësinë e kohës dhe momentin”, deklaroi ai.

Sa iu përket koalicioneve ai tha se nuk hiqen por nuk duhet të bien ndesh me listat e hapura.

“Koalicionet nuk hiqen, opozita i referohet një drafti të opozitës parlamentare, fillestar që nuk qëndron. Koalicionet janë të lejuar dhe do ta shikoni që janë aty. Por nuk ka koalicione që bien ndesh me listat e hapura. Janë koalicione me lista të përbashkëta.
Opozita kujton se duke bërë pazare do i hedhë hi syve shqiptarëve. Nuk ka më pazare. Çdo formë koalicioni siç e kanë vendet perëndimore është e lejuar”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb