Vetëm pak minuta pas publikimit të lajmit se pedagogu Oltian Rrumbullaku është emëruar në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave si zëvendësministër i Arsimit, është akuzuar për plagjiaturë.


Ish-zv.ministri i Arsimit, Taulant Muka, ka publikuar në “Facebook” plagjiaturën e Rrumbullakut. Sipas Mukës, ai ka publikuar artikullin, “VAT Threshold and Some Implications in Albania” në vitin 2010 në revistën kineze “Journal of US-China Public Administration”. Muka thotë se artikulli shkencor i pedagogut Rrumbullaku është 100% i kopjuar, dhe i vetmi ndryshim sipas tij është zëvendësimi i valutës nga dollarë në lekë.


“Oltion Rrumbullaku, Zv. Ministri i Ri i Arsimit, me vetëm një artikull 100% kopje- ndërron vetëm valutën nga Dollar në Lek! Në databazën Google Scholar del se Oltion Rrumbullaku, i emëruar sot Zv/ Ministri i Ri i Arsimit, edhe pse është pedagog në Universitetin e Tiranës, të ketë vetëm një artikull “shkencor”- “VAT Threshold and Some Implications in Albania” të publikuar në vitin 2010 në revistën kineze “Journal of US-China Public Administration” (ISSN 1548-6591 October 2011, Vol. 8, No. 10, 1149-1155).


Nga një kërkim i shpejtë, del se pjesa më e madhe e artikullit të z. Rrumbullaku të jetë 100% kopje e librit “The Modern VAT” nga Laim P. Ebril. I vetmi ndryshim, siç edhe mund të shihet në fotot, është zëvendësimi i Dollarit me Lek. Për më tepër, z. Rrumbullaku shkruan si konkluzione përfundimet nga një tjetër botim të Markos Abraha Gebre-Egziabher në një Universitet të Etiopisë. Si mundet kjo qeveri të vazhdojë të tallet me shqiptarët? Kjo politikë është vrastare për arsimin, shkencën dhe të ardhmen e vendit”, shkruan Muka.

Por, menjëherë pas akuzës së Mukës, ka reaguar dhe zv.ministri Rrumbullaku, duke shkruar në rrjetet sociale: “Taulant, më jep një email të të dergoj librin që kam me 340 faqe, ta kontrollosh pak. Libër që e kam punuar për 4 vite rresht dhe që i shërben mijëra profesionisteve të fushës”.

Ndërkohë, nuk ka munguar dhe përgjigjja e Mukës, i cili replikon me Rrumbullakun, duke shkruar: “Olti, prisja të komentoje rastin publik. Tashmë je në Ministri, keni software antiplagjiaturë të cilin e paguajmë ne qytetarët e Shqipërisë. Nuk mund të shkruash libra akademik kur nuk ke shkruajtur artikull, është “A”-ja në arsimin e lartë. Komenti jot tregon rëndësinë e postimit tim dhe nevojën urgjente që ka vendi për njerëz me eksperiencë në shkencë!”

Replika vijon sërish me zv.ministrin: “Ka 7000 ish-studentë që dëshmojnë për punën time në auditor për kaq shumë vite. Një material i para 10 viteve që gjen online dhe që nuk ka shërbyer për asgjë, nuk të shërben. Kaq”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb