Një 47-vjeçar i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare është arrestuar nga autoritetet italiane, pasi ishte dënuar me 15 vite burg nga Gjykata e Posaçme për përfshirjen në një skemë të kalimit të paligjshëm të shtetasve nga Bangladeshi drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Bëhet fjalë për Alok Mittra, i cili pritet tashmë të përballet me procedurat e ekstradimit drejt Shqipërisë për ekzekutimin e dënimit.

Mittra është dënuar për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Sipas hetimeve, skema kriminale ka funksionuar gjatë viteve 2023-2024 dhe brenda rreth gjashtë muajve ka mundësuar kalimin e paligjshëm të 253 shtetasve nga Bangladeshi.

Rruga e ndjekur niste nga Dubai, prej nga shtetasit nga Bangladeshi silleshin në Shqipëri. Vendi ynë shërbente më pas si pikë tranziti për udhëtimin e tyre drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Për të krijuar kushtet e qëndrimit në Shqipëri, personat pajiseshin fillimisht me kontrata fiktive pune. Nëpërmjet tyre siguronin leje qëndrimi shqiptare, dokumente që më pas përdoreshin për të lehtësuar lëvizjen e tyre drejt vendeve të BE-së.

Sipas dosjes hetimore, Alok Mittra kishte rol konkret në funksionimin e skemës. Ai dyshohet se merrej me shoqërimin, transportimin dhe akomodimin e shtetasve të huaj, duke qenë pjesë e mekanizmit që organizonte lëvizjen e tyre.

Pas dënimit nga Gjykata e Posaçme, 47-vjeçari ishte shpallur në kërkim. Lokalizimi dhe arrestimi i tij në Itali i hap tashmë rrugën procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajë dënimin me 15 vite burg.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb