Alqi Paguni, 51 vjeç, i dënuar me 15 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për “Masakrën e Qafe-Gjashtës” kërkon lirinë nga arratia. Ai ka bërë një kërkesë në Gjykatën e Sarandës për “parashkrim të ekzekutimit të vendimit”, pra shuarje të dënimit me burgim. Çështja pritet të shqyrtohet të martën, 8 shkurt ora 08:45 nga gjyqtarja Suela Xhani. Paguni mesa duket i referohet legjislacionit shqiptar që parashikon që “Vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar dhjetë vjet për vendimin që përmban dënim pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet burgim”.

Alqi Paguni, pronar i një karburanti në Sarandë, u arrestua nga policia në nëntor 2017 pas një operacioni të madh të policisë për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit për autorët e “Masakrës së Qafë-Gjashtës”. Ata akuzoheshin se në 4 mars 1997 vranë dhe dogjën oficerin e policisë Gjergj Mehmeti, mbajtën peng dhe torturuan oficerin Eduard Aliaj dhe tentuan të vrasin oficeret e policisë Sokol Bizhga e Myzafer Blushi. Për ngjarjen në fjalë u arrestuan Vladimir e Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Cipa e Edmond Sejko si dhe u shpallën shumë të tjerë në kërkim. Nga të gjithë të akuzuarit vetëm vëllezërit Sinani kryen dënimin e tashmë kanë dalë nga burgu, pasi Cipa u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit e Sejko u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje.

Ndërkohe që për Alqi Pagunin, dy shkallët e Krimeve të Rënda dhanë fillimisht “Arrest në burg” ndërsa në 13.02.2008, Gjykata e Lartë e la atë të lirë duke e quajtur të paligjshëm ndalimin e tij dhe duke mos caktuar fare masë sigurimi. Kjo i hapi rrugë arratisjes së Pagunit drejt Greqisë, duke bërë që gjyqi ndaj tij të bëhej në mungese e pas dënimit të shpallej në kërkim.

Në tetor 2011, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda dha këto dënime përfundimtare:
Vladimir Sinani 18 vjet burg
(E ka kryer dënimin)
Nestor Sinani 15 vjet burg
(E ka kryer dënimin)
Alqi Paguni 15 vjet burg
(Në kërkim)
Edmond Sejko
6 vjet burg
(E ka kryer dënimin)
Mikel alias Flamur alias Vladimir Këndezi 15 vjet burg
(Në kërkim)

Arben Këndezi 16 vjet burg
(Në kërkim)
Agron Qurku 16 vjet burg
(Në kërkim)
Aleksandër Bala 15 vjet burg
(Në kërkim)

Vlen të theksohet që të gjithë personat në kërkim janë arrestuar në kohë të ndryshme nga policia greke, por Gjykatat e këtij shteti nuk kanë pranuar t’i ekstradojnë. Mes të kërkuarve që nuk është ekstraduar është edhe Agron Qurku, i cili veç masakrës së Qafë-Gjashtës është dënuar edhe për vjedhje bankash, plagosje, rrëmbim etj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb