Kjo është hera e parë që një diplomat i lartë kinez viziton Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë në shkurt 2022.
“I dërguari, Li Hui bisedoi me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba për parimet e rivendosjes së një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë”, njoftoi sot Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës.

Kuleba theksoi se Ukraina nuk pranon asnjë propozim që parashikon humbjen e territorit të saj ose ngrirjen e konfliktit.

Ukraina vazhdon të kërkojë tërheqjen e të gjithë ushtarëve rusë nga territori i saj si kusht themelor për negociatat e paqes.

Kuleba dhe Li diskutuan gjithashtu marrëdhëniet midis dy vendeve të tyre. Gjithashtu Li pritet të vizitojë Moskën.

Sipas qeverisë kineze, ai do të vizitojë gjithashtu Poloninë, Gjermaninë dhe Francën për të diskutuar një zgjidhje të mundshme politike të konfliktit.

Që nga fillimi i luftës, Pekini ka theksuar vazhdimisht angazhimin e tij ndaj negociatave. Megjithatë, Kina ka mbetur një mbështetëse e fortë e presidentit rus, Vladimir Putin, duke marrë shumë kritika nga ndërkombëtarët.

Ndërsa udhëheqësi i Kinës. Xi Jinping bisedoi disa herë me Putinin dhe vizitoi Moskën në mars, deri më tani ka patur vetëm një telefonatë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Disa vende afrikane, si dhe Brazili dhe Vatikani janë shprehur gjithashtu në favor të bisedimeve të paqes.

Vendet që mbështesin Ukrainën, kanë ulur shpresat për një paqe të negociuar për shkak të këmbënguljes së Rusisë për të arritur qëllimet e saj të luftës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb