Gazetari Osman Stafa, në një diskutim në emisionin “Prime News24”, ka ngritur shqetësimin për rastet e dhunës policore ndaj të rinjve që marrin pjesë në protesta, duke deklaruar se shumë prej tyre kanë pësuar dëmtime nga plumbat e gomës, por kanë frikë të denoncojnë për shkak të mungesës së besimit te institucionet.
Stafa tha se ka pasur kontakte të vazhdueshme me të rinj që kanë marrë disa plumba gome në pjesën e sipërme të trupit, por që nuk kanë besim se do të gjejnë drejtësi. Sipas tij, një pjesë e efektivëve të policisë mund të jenë të detyruar të zbatojnë urdhra abuzivë nga eprorët, përfshirë arrestimin dhe dhunimin e protestuesve.
Gazetari akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e përdor Policinë e Shtetit për të frikësuar qytetarët që protestojnë, duke theksuar se ajo që po ndodh është një situatë e paprecedentë.
Ai u ndal edhe te kufizimet e vendosura ndaj protestave në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë pasi kanë njoftuar Policinë e Shtetit. Sipas tij, e drejta për protestë garantohet nga Kushtetuta dhe është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2021.
Stafa pretendoi se policia ka ndryshuar mënyrën e veprimit ndaj protestuesve, duke kaluar nga identifikimi dhe gjobitja e tyre te kufizimi i drejtpërdrejtë i tubimeve. Sipas gazetarit, kjo lidhet edhe me frikën e pushtetit nga 28 Nëntori, datë për të cilën, siç tha ai, po flitet shumë në radhët e protestuesve.
Duke iu referuar simbolikës së kësaj date, Stafa e krahasoi protestën e sotme me momentet historike të nëntorit në Shqipëri, duke argumentuar se këtë herë qytetarët po përballen me atë që ai e cilësoi si “armikun e brendshëm”, të cilin e akuzoi se u ka vjedhur të ardhmen të rinjve dhe i ka lënë pensionistët me të ardhura të pamjaftueshme.
Në vijim, gazetari foli edhe për dy drejtuesit e Komisariatit nr. 1, emrat e të cilëve ishin përmendur gjatë denoncimeve të fundit për dhunë ndaj protestuesve. Ai shpjegoi se territori ku zhvillohen protestat, nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në zonat përreth, mbulohet kryesisht nga ky komisariat.
“Pas fytyrës së çdo polici është fytyra e kryeministrit. Policia poshtë reflekton vullnetin që ka ai sipër”, deklaroi Stafa, duke pretenduar se përgjegjësia për veprimet e efektivëve lidhet edhe me urdhrat që ata marrin nga drejtuesit e tyre.
