Ish-Drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj, i konsideroi subjektive, të pavend dhe pa bazë ligjore opionet për pasurinë dhe profesionalizmin e tij, të paraqitura nga vëzhguesi ndërkombëtar, Teo Jacobs, në Kolegji e Posaçëm të Apelimit.

Në seancën e radhës para trupës së Shkallës së dytë të Vetingut, të zhvilluar këtë të Martë, Hajdarmataj deklaroi se priste që përfaqësuesi ndërkombëtar të respektonte procesin administrativ, duke iu shmangur gjuhës plot ngjyrime dhe pa prova.

Hajdarmataj, i cili tashmë është prokuror në Tiranë, u shpreh se ai nuk e di se përse zoti Jacobs e bën këtë gjë, kur, sipas tij, vetë vëzhguesi ndërkombëtar e ka të qartë që rrethanat nuk përbëjnë shkak për shkarkimin nga detyra të prokurorit.

Një seancë më parë, zoti Jacobs pyeti ish-shefin e Krimeve të Rënda se, si ka mundësi që ai nuk kishte krijuar kursime, megjithëse pagën e kishte të lartë, duke aluduar se Hajdarmataj mund të ketë fshehur pasuri.

Po ashtu, Jacobs ngriti pikëpyetje mbi të paktën 3 procedime penale të zhvilluara nga Krimet e Rënda, kur drejtoheshin nga Hajdarmataj, duke u shprehur se “subjekti sillet sikur ishte drejtues vetëm për letrat higjenike” dhe se nuk mbante përgjegjësi për hetimet e kryera nga vartësit e tij.

Prokurori Hajdarmataj vendosi t’i përgjigjej me argumenta të gjithë pretendimeve të paraqitura nga Jabobs, duke deklaruar se e vlerëson si shumë të rëndësishëm rolin e vëzhguesve ndërkombëtar në procesin e Vetingut.

Lidhur me pretendimet e mungesës së kursimeve, prokurori deklaroi se të dhënat e prezantuara nga Teo Jacobs nuk përputhen me realitetin.

“Vëzhguesi përdori një logjikë të gabuar financiare kur thotë se sa më e ulët është e ardhura, aq më i lartë është shpenzimi, në vitin 1997, dhe sa me e lartë është e ardhura, aq më i ulët është shpenzimi, në vitin 2016”, u shpreh Hajdarmataj.

Sipas tij, z. Jakobs, duhet të mbaj në vëmendje se paraja ka vlerë kohore, dhe kosto e jetesës, nuk është e njëjtë në vitin 1999 në raport me vitin 2016.

Nga ana tjetër, Hajdarmataj u shpreh se nuk mund të përpjestohen vitet në mënyrë aritmetike, pasi jeta ka dinamikën e saj, edhe në drejtim të të ardhurave dhe shpenzimeve.

Megjithatë, u shpreh ai, të dhënat e deklaruara prej meje ndër vite, tregojnë se unë kam kryer kursime të logjikshme dhe nuk kam kryer jetë mondane, por kam mbuluar shpenzimet e nevojshme.

Pasi dha sqarimet për kriterin e pasurisë, Hajdarmataj u ndal më shumë në kriterin profesional, për të cilin Teo Jacobs u shpreh më herët se kishte kritika mbi mënyrën se si ka menaxhuar ish-Prokurorinë për Krime të Rënda, sidomos në tre raste konkrete, ku janë kapur sasi të mëdha lënde narkotike.

Zoti Jacobs, fillimisht, ngriti pretendime për një rast, kur nga Prokuroria për Krime të Rënda u kap një sasi prej 700 kilogram kanabis dhe më pas çështja u transferua në prokurorinë lokale të Shkodrës, ndërkohë që vetëm 5 persona u trajtuan nga gjykata e posaçme.

Hajdarmataj e kundërshtoi këtë deklarim të vëzhguesit ndërkombëtar. Prokurori paraqiti faktet se, për rastin konkret, që i përket një procedimi penal të vitit 2013, janë marrë të pandehur dhe dënuar 12 persona, pra shumë më tepër se shifra e cituar nga vëzhguesi ndërkombëtar.

Po ashtu, ai tha se një pjesë e kësaj dosje u veçua dhe vijuan hetimet. Në vitin 2017, pasi konstatoi se prokurori i çështjes nuk po avanconte me hetimet, u detyrua të ngrinte një grup hetimor.

Megjithë veprimet proceduriale, për një numër të vogël të personave të përfshirë, dosja u përcoll për në Shkodër, pasi nuk u arrit të siguroheshin elementë të përfshirjes së tyre në grup kriminal për trafikim narkotikësh.

Për këtë detaj, Hajdarmataj u shpreh se problemi qëndronte që në kryerjen e veprimeve të para nga Policia, e cila nuk kishte arritur të siguronte prova për përfshirjen e këtyre personave në veprimtarinë kriminale.

Në një rast tjetër, ku u kapën 668 kilogram kanabis, vëzhguesi ndërkombëtar u shpreh se Hajdarmataj, si drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, nuk ka bërë sa duhet në kontrollin e prokurorëve të çështjes dhe rasti kaloi për kompetencë në Prokurorinë e Durrësit, duke aluduar për zbutje të pozitës penale të personave të përfshirë.

Hajdarmataj i kundërshtoi këto pretendime, duke i kujtuar vëzhguesit ndërkombëtar, se prokurorët veprojnë në bazë të provave dhe jo me subjektivizëm.

Sipas ish-drejtuesit të Krimeve të Rënda, në rastin konkret, është e vërtetë që në një ambjent u gjet sasia e narkotikëve, por nuk u arrit të provohej asnjë element që ajo ishte për trafikim jashtë Shqipërisë.

Dhe, për këtë arsye, nuk mund të akuzoheshin për trafik, vepër e cila ishte në kompetencë të Krimeve të Rënda, duke iu përcjellë prokurorisë së Durrësit dhe personat e përfshirë janë dënuar.

Një rast i tretë, i përmendur në opinionin e Jacobs, ishte ajo që u konsiderua si sfumim i dosjes së Pagrisë, ku u kapën rreth 12 ton kanabis në një magazinë në periferi të Përmetit.

Për këtë rast, u arrestuan nga Policia vetëm dy elektriçistë dhe kryeplaku i fshatit, ndërkohë që nuk u zbuluan personat përgjegjës të ngarkesës.

Hajdarmataj deklaroi se Policia ndërhyri në mënyrë të nxituar në atë rast, duke cënuar vijimësinë e hetimeve.

“Vëzhguesi ndërkombëtar duhet të ketë të qartë,- u shpreh Hajdarmataj- se, sipas legjislacionit shqiptar, krim të rëndë nuk e përbën sasia e narkotikëve, por mënyra e organizimit dhe funksionimit të grupit kriminal”.

Në rastin konkret, ndërhyrja e pamenduar e Policisë, hoqi mundësitë për të krijuar këto lidhje dhe, për këtë arsye, rasti u përcoll më tej në Prokurorinë e Përmetit.

Më tej, Hajdarmataj, duke iu përgjigjur atyre që i konsideroi si komentee fyese të vëzhguesit Jacobs për “menaxhimin e letrës higjenike”, i paraqiti trupës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit disa prej rezultateve më domethënëse nga Krimet e Rënda, kur drejtoheshin prej tij.

Rezultatet e fundit të SPAK për goditjen e grupeve kriminale Shqipëri-Itali, u shpreh Hajdarmataj, janë rezultat i grupeve të përbashkëta hetimore të ngritura me firmën time.

Po ashtu, gjatë drejtimit të tij, Prokuroria për Krime të Rënda ka zhvilluar një numër të konsiderueshëm hetimesh me partnerë ndërkombëtarë, si edhe ka kryer operacione për përfshirjen e zyrtarëve të lartë në trafik narkotikësh apo edhe në korrupsion.

Hajdarmataj iu përgjigj edhe një dyshimi të ngritur nga vëzhguesi ndërkombëtar, lidhur me një situatë konflikti interesi dhe udhëtim me persona të papërshtatshëm.

“As Komisioneri Publik dhe as vëzhguesi ndërkombëtar nuk ka gjetur prova për një udhëtim të mundshëm me persona problematikë”, u shpreh Hajdarmataj.

Zoti Jacobs i referohet një denoncimi anonim, ndërkohë që anashkalon të dhënat e sistemit TIMS dëshmojnë se nuk ka asnjë udhëtim timin me persona problematikë.

Në përfundim të kësaj seance, trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit, Besim Hajdarmataj, që të paraqesin konkluzionet e tyre në datën 16 Korrik 2021.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb