Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me vrasjen e 41-vjeçarit Asim Gjoni nga babai i tij 74-vjeçar Hekuran Gjoni.
Gazetari Igli Çelmeta ka zbërthyer dinamikën e ngjarjes, ku zbulohet se në momentin e krimit, në banesë kanë qenë 4 persona, autori Hekurani, nëna e Asimit, motra e tij dhe viktima. Ndërsa gruaja e Asimit dhe dy fëmijët e tij nuk kanë qenë në banesë ditën e ngjarjes.
Asimi sapo ishte kthyer nga puna pasi punonte në ndërtim dhe kishte shkuar te prindërit për t’i përshëndetur dhe aty ka gjetur dy prindërit dhe motrën e tij duke ngrënë bukë. Më pas është hapur sërish debati për pronën dhe gjysmën e pjesës së shtëpisë që e kërkonte motra. Pasi janë konfliktuar verbalisht dhe më pas fizikisht, 74-vjeçari Hekuran Gjoni ka marrë thikën e bukës duke vrarë djalin e tij.
Fillimisht u tha që autori dhe viktima ishin të dehur në bazë të dëshmisë së motrës së viktimës e cila nuk ka treguar të vërtetën dhe ka tentuar të fshehë shkakun e ngjarjes, por rezultoi që viktima nuk ka qenë i dehur dhe nuk konsumonte alkool dhe ishte një njeri i qetë dhe punëtor që mbante familjen më punën në ndërtim.
Ndërsa, sa i përket autorit të krimit, në bazë të dëshmive të familjarëve dhe të afërmve Hekuran Gjoni ishte përdorues i alkoolit dhe bëhej i dhunshëm me familjarët sa herë ai konsumonte alkool.
Ndërsa motra e vogël e Asimit e cila kërkonte edhe pjesë shtëpie ditën e ngjarjes ka mbetur e lënduar, ku ka marrë edhe mjekim në spital dhe më pas është larguar dhe nuk është kthyer më as në banesë, madje nuk ka shkuar as në varrimin e vëllait të saj.
Viktima 41-vjeçari Asim Gjoni kishte filluar që në moshë të vogël të punonte për të ndihmuar familjen që të ndërtonin shtëpinë dhe kishte bërë disa punë dhe së fundmi punonte në ndërtim për të mbajtur familjen. Sipas dëshmive të familjarëve dhe të afërmve Asimi nuk ishte njeri konfliktual dhe gjithmonë mundohej të ndihmonte familjen.
(BalkanWeb)