Ish-drejtuesi i policisë Krenar Ahmeti në nj intervistë në “News24”, foli për protestën që u mbajt më 23 korrik në orën 08:30 para Kuvendit e cila u shoqërua me tensione e përplasje me policinë.

Ai tha se pati një çorientim të mënyrës së koordinimit të policisë dhe se sipas tij, policisë së shtetit i doli situata nga duart.

Gjithashtu Ahmetaj tha se mbështet protestën deri në largimin e Ramës, ndërsa theksoi se janë kundër dhunës. Më tej komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama, dhe qëndrimet e tij lidhur me protestën.

“I kemi marrë Ramës torren, por do t’i marrim edhe mbretëreshën, është luftë psikologjike. Më mirë një sorrë sesa të merrja urdhra të jashtëligjshme. Edhe mua më dhanë urdhra, por shkatërrova karrierën dhe nuk u prek asnjë fije floku e qytetarëve”, tha ai.

Një koment e ka bërë edhe për deklaratat e kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili më herët i ka quajtur protestuesit terroristë.

“Bashkë me zotin Balla që na quan terroristë, ta marrë mbrapsht atë fjalë se jemi djemtë e këtij vendi. Nuk jemi terroristë ne. Nëse do të bëjë politikë, të bëjë me fjalë të tjera. Nuk jemi terroristë, terroristin ta marrë mbrapsht zoti Balla”, u shpreh ai.

Gjithashtu ai bëri thirrje që qytetarët në protestë të mos bien pre e provokimeve, ndërsa u bëri thirrje policëve që të refuzojnë urdhrat për dhunë.

“Detyra funksionale e policisë së shtetit në këtë rast është menaxhimi i turmave. Masat para protestës ishin marrë mirë, por gjatë protestës nuk u menaxhuan mirë. Dhe mos-komunikimi i mirë i strukturave me njëra tjetrën. Duhet të kishte një përputhje mes përshkallëzimit të situatës, dhe përshkallëzimit të forcës që është e forcave të rendit. Dhe mospasja e këtij koordinimi çoi në atë situatë. Në bazë të përshkallëzimit të forcës vendosen edhe forcat.

Protestuesit kishin shkuar të gjuanin me vezë dhe nëse këta tremben nga veza atëherë është një tjetër punë. Po të ishin marra masa të sakta, nuk shihnim atë që pamë. Nga kordonët, nga përshkallëzimi i forcave se kë do vësh në fillim dhe kush do jetë skalioni i dytë. Kush do japë komandat… Kemi identifikuar persona brenda turmës që janë provokatorë. Janë përfaqësues partiak -5-6 vetë dhe besoj do marrin masa sepse nuk mundet të provokojnë. Ne kemi bërë thirrje që jemi kundër dhunës. Jemi përkrahës të protestës dhe që kjo qeveri të shporret, por jemi kundër dhunës. I dimë të gjitha teknikat dhe do mundohemi të jemi të saktë brenda kornizës ligjore.

Policia vepron dhe me uniform dhe pa uniformë. Por policët civil duhet të kenë patjetër shenja dalluese. Imagjinoni të dalë situate jashtë kontrollit dhe nuk e di kush ta rrëmben shokut. Por janë edhe aprofesionalë në prangosjen e një personi. Mund të dëmtojnë dhe qytetarin. Ka norma s’mund ta kapësh sikur është bagëti. Por duhet thënë se nuk duhet të kemi frikë se na shoqëron policia. Policia është e jona. Të merr të verifikon dhe të lëshon sërish”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb