Një vendim i Këshillit të Ministrave i vitit 1996 ka miratuar kthimin e shtëpisë së poetit të madh Lasgush Poradeci në muze. Por pas afro njëzet vjetësh nuk është bërë asgjë për ta vënë në zbatim. Ish-Drejtori i Pallatit të Kulturës “Lasgush Poradeci” në Pogradec, Budjon Xhelo, flet për gjendjen e mjerueshme që gjendet sot shtëpia dhe bën një apel për institucionet…

Profetët nuk njihen në vendin e vet. Kështu do të pohonte shkrimtari Ismail Kadare, ndërsa përuronte Pallatin e Kulturës “Lasgush Poradeci” në vitin 1988, një vit pasi poeti i madh i Liqerit ish ndarë nga kjo jetë, një pjesë të madhe të së cilës e kaloi në mjerim dhe izolim, vetëm sepse nuk pranoi t’i shërbente regjimit komunist…

Kadare atëkohë, kur ende nuk ndihej në horizonte frymëmarrja e përmbysjes së diktaturës, citoi Biblën, duke i fshehur nën thënien e një proverbi të lashtë. Asnjë prej të pranishmëve nuk e kuptoi, as drejtori i atij institucioni rishtas të përuruar asokohe, Budjon Xhelo, i cili sjell ndërmend atë ditë.

Kanë kaluar 28 vite nga vdekja e poetit dhe ditën e djeshme, 27 dhjetori përkonte me 116 –vjetorin e lindjes dhe përpjekjet për ta nderuar emrin e tij, apo për t’i dhënë mbrapsht diçka si falënderim për atë që ai ka bërë për qytetin e tij dhe mbarë vendin, kanë qenë të vakëta, për të mos thënë që s’ka pasur fare.

Ashtu siç shkruhet në Librin e Shenjtë, vendlindja ia njeh e fundit vlerat profetit…Edhe pse e dinte këtë, ashtu si profetët biblikë Llazar Gusho vendosi t’i besojë vendit të tij, duke u pagëzuar me emrin e qytetit Lasgush Poradeci.

Budjon Xhelo thotë se e pat njohur poetin e madh më ’81, kohë kur punonte si gazetar korrespodent në Pogradec. Me kostumin e zi që Xhelo thotë se e kish prej vitit ’41 dhe kapelën e republikës mbi krye ku i dukej edhe ndonjë vrimë nga vjetërsia. Sistemi vetëm sa nuk e mbylli pas hekurave, por e dënoi me vetmi, izolim, thuajse i varrosur për së gjalli.

“E shihni Lasgushin si është katandisur. Në mjerim. Sheh do i bëhet varri, por më vonë lapidari”, kështu kujton Xhelo se thoshte Lasgushi kur fliste me njerëzit e thjeshtë.

E duket se kjo profecia e tij për fat të keq doli e vërtetë.

Qyteti i tij deri tani vetëm sa i ka ndërtuar një përmendore, ndërsa shtëpisë, tempullit të letërsisë së tij, ende nuk i kanë vlerën që ka për ta shndërruar në muze.

Për këtë të fundit ekziston një Vendim i Këshillit të Ministrave me nr: 350, i datës 13 maj 1996, miratuar nga Kryeministri i asaj periudhe, Aleksandër Meksi.

“Në zbatim te ligjit nr.7848, date 25.7.1994 “Për shpronësimet për interes publik, si dhe për marrjen në përdorim të përhershëm të pasurisë së paluajtshme”, Këshilli i Ministrave vendosi ‘Me qëllim që të mbrohen dhe ruhen vlerat kombëtare historike, arkitekturore dhe muzeore, miratohet publikimi i kërkesës për shpalljen e shpronësimit të ‘Hanit të Manastirit’ në qytetin e Korçës, godinës së Xhokaxhiut, sot muzeu etnografik, në qytetin e Beratit dhe shtëpisë së Lasgush Pogradecit në Pogradec. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sporteve. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.

Asgjë nuk është bërë nga ajo kohë, ndërsa shtëpia e Lasgush Poradecit –e cila dy vjet pas vdekjes së tij u shit nga të bijat, siç rrëfen Xhelo për shumën e katër televizorëve bardhezi “Iliria” –jep shpirt çdo ditë në gjendje të mjeruar, e tjetërsuar nga pronari i ri, e deformuar në atë çka i përngjante kullës së Lasgushit, ku gjetën frymëzim shumë piktorë dhe ndërtesat e larta nëpër rrugica ia kanë marrë frymën. “Mund ta shquash të ashtuquajturën shtëpi të Lasgush Poradecit vetëm në një kënd nga lumi”, – tregon Xhelo, i cili thotë se ky vendim është ende në fuqi dhe deri tani nuk ka dalë asnjë akt që e shfuqizon dhe askush deri më tani, ministra të qeverive të djathta a të majta në rotacionin qeverisës të këtyre 20 viteve nuk kanë bërë asgjë për ta kthyer shtëpinë e Lasgush Poradecit në shtëpi-muze.

Z.Xhelo, çfarë është kjo VKM, së cilës ju i referoheni, dhe a është ende në fuqi?

Nisur nga gjendja mjerane, në të cilën ndodhet sot shtëpia e Lasgush Poradecit që është një lloj aktakuze për pushtetin vendor dhe atë qendror, sjell në tavolinë dhe për median një VKM shumë të rëndësishme, nga një kryeministër i mençur i asaj kohe, Aleksandër Meksi, i cili qysh më ’96 me një VKM vë vijën e kuqe për të mbrojtur shtëpinë e Xhokaxhinjve në Berat, Hanin e Manastirit në Korçë dhe shtëpinë e Lasgush Poradecit, në Pogradec. Këto objekte thotë kryeministri Meksi duhen shpronësuar për interes publik, theksoj publik jo vetjak.

Dua të bëj një ballafaqim tani, se ka edhe një VKM të vitit 1995 që politika e shfrytëzon. Atje janë njerëz konkretë, emra konkretë dhe të parë nga largësia e 2014-ës a 2015-ës ata nuk duheshin dekoruar. Nuk gënjehet populli se na paska një VKM në atë kohë për të dekoruar kriminelët.

Ndërsa kjo VKM që themi, për shtëpinë e Lasgushit dhe objektet e tjera, nuk është vënë në zbatim dhe janë tërë ata ministra kulture që ngarkohen direkt me përgjegjësi- të majtë a të djathtë -nuk dua t’ia di, se cilët duhet të skuqen përpara kësaj gjendjeje. Përse nuk bëhet muze shtëpia e Lasgush Poradecit? Përse Hani i Manastirit në Korçë nuk është shpronësuar ende? Megjithëse me fondet e BE-së, punëtorët duarartë të Korçës, zanatçinjtë po e rregullojnë Pazarin e Korçës dhe tregon nivel qytetërimi, por ende nuk e ka zbatuar atë vendim të vitit 1996 për ta shpronësuar Hanin e Manastirit dhe ta bëjë pronë publike, për interesa publike e që është margaritari i Pazarit të Korçës. Por të ndalem diçka m shumë te shtëpia e Lasgush Poradecit.

Kur jeni njohur ju me këtë VKM?

Kam një histori të gjatë me këtë VKM. Ua kam vënë të gjithë kryetarëve të bashkisë në tavolinë, Madje edhe këtij të fundit që qeverisi 12 vjet. Por është një absurd ta përmend dhe më vjen neveri se kur i thashë: “ Ja ku e kemi anën ligjore sesi mund ta shndërrojmë në muze shtëpinë e Lasgushit!” Ai e pa edhe tha: “Duhet të presim të vdesë pronari aktual i shtëpisë!”. Ishte një përgjigje mizerabël dhe këta njerëz e shpërdoruan Pogradecin. Për 12 vjet nuk patën kohë të shihnin që të mos i zihej fryma shtëpisë e të bëhej muzeu se e kishin bazën ligjore ku ta mbështesnin. Edhe dy monumentet që u bënë,e Lasgushit dhe e Mitrushit, ua sugjeruam ne, por e përuruan po ata. Sikur ishin ca princër që e kishin privatizuar qytetin. Ndërsa duhej që Lasgushin ta zbulonte Kadareja, kurse Mitrushin, Dritëroi apo një tjetër. Është mentalitet feudalësh që drejtojnë provincën, gjë që duhet të ndryshojë.

Ku ka çaluar çështja, që ende pas gati 20 vitesh nuk është zbatuar ky vendim?

Përgjegjësi më të madhe mbajnë të gjithë ministrat e Kulturës, të majtë të djathtë, sepse kjo VKM ka që në 96-ën dhe nuk është shfuqizuar. Le të nxjerrin një akt shfuqizimi. Berati e zbatoi ndaj mori edhe mbrojtjen nga UNESCO-ja. Shtëpinë e Xhokaxhinjve e ka ‘Muze Etnografik’ dhe nuk e shëmton. Korça po e rinovon Pazarin, por nuk ka shpronësuar Hanin e Manastirit dhe asnjë tabelë nuk ka me “Hani i Manastirit”, por më keq akoma është shtëpia e Lasgush Poradecit. I drejtohem opinionit publik për ta sensibilizuar që kjo VKM të vihet në zbatim.

Cilat kanë qenë përpjekjet tuaja gjatë gjithë kësaj kohe ?

Gjatë kësaj kohe, përveç se kam mundur t’ia bëj të ditur përfaqësuesve të pushtetit vendor, nuk kam pasur mundësi të tjera. Pse do të thoni? Po ju tregoj një rast: Kam qenë shef i Pallatit të Kulturës dhe bëmë 100 vjetorin e Lasgush Poradecit më 1999-ën.

E ftuam Tiranën, Ministër Kulture asokohe qe Edi Rama. nuk erdhi asnjë. Ftuam kë nuk ftuam e nuk erdhi kush. Erdhi doktor Berisha si kryetar i Opozitës që mbajti një fjalim të mrekullueshëm pa asnjë intonacion politik dhe foli për Lasgushin me një adhurim të jashtëzakonshëm dhe hodhi një ide shumë të mirë që Lasgushin ta bëjmë të njohur në Europë dhe në botë, por na duhet një Fan Nol. Sepse është e vështirë të përkthehet Lasgushi. Nuk e bën dot. Po nuk njohe në imtësi gjuhën shqip dhe anglishten nuk e jep dot Lasgushin. Këtë tha. Atje ne ftuam dhe Kosovën, të entuziazmuar që ishin çliruar në qershor a korrik, dërguam edhe 10 ftesa dhe e di ç ‘ndodhi? I dërguam ‘Kosovë, Prishtinë, Akademia e Shkencave’. Dy muaj më pas na u kthyen 10 ftesat me zarf, me vulën e Beogradit. ‘Adresë e Gabuar’. Ne i nisëm në rrugë postare. Posta Pogradec, i a dërgon asaj Qendrore, Posta Qendrore i dërgon në Beograd. Na erdhën disa profesorë nga Maqedonia dhe ne e festuam 100–vjetorin, kurse më 2015-ën, këtë vit, Edi Rama e thërret Lasgushin të votojë për kandidatin e PS-së në Pogradec. Ç’bën politika! Mbante një fjalim mes dy shtatoreve dhe tha: “Lasgushi do të vinte të votonte për ne, po të ishte gjallë”.

Përse emri i Lasgush Poradecit është lënë kaq në harresë?

Është një çudi, se ashtu siç u rrethua me një mallkim gjatë komunizmit, për afro 20 vjet Lasgush Poradeci, tani po vazhdon në çerek shekulli, në një kohë që duhet të gjallonte sepse ai aderoi për këtë kohë të lirisë dhe shoqëria jonë politike u sul e babëzitur dhe do të jetë në rrethin e Ferrit të Dantes ku babëzia dhe interesat vetjake shkelën mbi çdo parim dhe njerëzillëk. Qoftë majtas a djathtas u sulën për interesa vetjakë; prona, hotele, motele, etj., etj.

Kjo është harresa, nuk u interesonte Lagushi. Edhe njerëzit nuk para lexojnë, nuk ushqehen shpirtërisht. Kultura ka rënë në nivele katastrofale. Nuk ka aktivitete kulturore. Kryetarët e pushteteve vendore bëhen feudalë, shohin kontot financiare dhe nuk u intereson kultura dhe interesat publike. Le ta mbajnë kujt i takon, le të bëjnë analiza, por gjyqin e kanë në Ferr. Kjo është arsyeja pse Lasgushi dhe poezia e tij brilante nuk vlerësohet, ku figura të mëdha të kombit nuk vlerësohen, ku me të drejtë Kadareja edhe në intervistën e fundit tha: “Pse bëhet sehir Pjetër Budi e Pjetër Bogdani kur kanë qenë shkrimtarë të një niveli europian në atë kohë?”. Nuk kujtohen. Është në kuadrin e marrëzisë kolektive, të politikës, të marrëzisë për të fituar dhe harrohen vlerat. Lasgushi është një vlerë dhe shtëpia e Lasgushit ka një vlerë të jashtëzakonshme jo vetëm për Pogradecin, por në plan kobtar. Shtëpia muze e Kadaresë në Gjirokastër është e paplotë me atë të Lasgushit, Sepse një pjesës të jetës Kadareja e ka në marrëdhënie me Lasgushin, e një pjesë e krijimtarisë së tij janë shkruar në marrëdhënie me Poradecin e madje në atë shtëpi. Si p.sh novela “Ikja e Shtergut” ku edhe Le Monde shkruan një artikull nën okelion “Kërcënimi i Diellit”, marrë nga kjo novelë. Te “Ftesë në studio” ku përsëri përmendet, apo te “Uragani i ndërprerë” ku Lasgushi, Mitrushi dhe të tjerë janë parë nga ky gjeni në këtë vizion. Po nuk i bëmë këto gjëra, atëherë harresa do të bjerë. Dhe brezat e ardhshëm nuk do na i falin. Unë ndoshta nuk arrita kur isha në marrëdhënie pune me zyrtarë të ndryshëm të çaja e të bëja diçka, megjithëse e kam ngritur zërin, por nuk donin të harxhonin paratë për Lasgushin, nuk kishin fitim prej tij. Por që të mos na gjykojë historia unë e ngre zërin dhe shtëpia e Lasgushit në mos sot, nesër do të bëhet muze dhe kjo VKM do të vihet në fuqi.

Pse ndodh ky fenomen kur gjëra të rëndomta fryhen? Sot dekorohet një kriminel si ai që ka torturuar At Zef Pllumin e Sami Rrepishtin dhe thonë që nuk e dinin, por gjetën këtë ligj. Ata i dinë të mirat dh të këqijat por do t’i zërë nën vete dhe do japin llogari. Këtë VKM do ta vëmë në zbatim. Do i lëvizim ku janë e ku s’janë dhe le ta mbajë në dorë këtë patate të nxehtë ministrja Mirela Kumbaro që duhet të skuqet kur ta lexojë. Siç duhet të skuqen edhe paraardhësit e saj nga çdo krah qofshin.

VKM-ja ngarkonte praktikisht të gjithë shtetin për zbatim, pra nuk ka qenë vetëm përgjegjësia e Ministrisë së Kulturës…

VKM-ja ngarkon të gjithë shtetin; Presidenca, Kuvendi Popullor, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Kasacionit, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ministria e Financave, Shërbimi i Kontrollit të Shtetit dhe Bashkitë përkatëse.

I gjithë shteti dhe të gjithë organizmat e shteti; ekzekutivi, ligjvënësi etj., aty mbajnë përgjegjësi për mos ekzekutimin e këtij vendimi. Kush jep llogari për këtë gjendje? Askush. Dhe kështu do të vazhdojë? Nuk do të vazhdojë kështu, sepse po thirret gjyqi i madh dhe para këtij gjyqi do të ngarkohen me përgjegjësi të gjithë ata që e kanë pasur përgjegjësi dhe kanë marrë paratë e shtetit për t’i bërë rrush e kumbulla e nuk ndërtojnë një shtëpi të një liriku të madh.

Ju përmendët pak më lart se një prej kryetarëve të Bashkisë Pogradec, të cilit ju i jeni drejtuar, ju ka thënë se ia lë në dorë pronarit në shndërrimin e shtëpisë në muze?

Jo, e thanë drejtorët korruptivë të Teodor Laços dhe ranë në pazar me pronarin dhe nuk e di ç’pazar dhe pronari e transformoi në një shëmti. Kryetari i Bashkisë tha: “Të presim të vdesë pronari”. Nuk ka pasur negociata. Pronari ua ka mbyllur gojën dhe as nuk i ka lëvizur një qime. Është në një moshë madhore, por nuk do ta lëmë derisa t’ia marrë Zoti atë. Kryeministri i asaj kohe tha të shpronësohet dhe të vihet për interes publik. Lasgushi i madh përmendte shpesh: “Tri janë temat e madha qysh nga Homeri e deri më sot: Atdheu, dashuria, natyra”. Kjo ishte motoja e tij. Ai iu kushtua këtyre të triave. Të gjithë rreth këtyre temave vërtiten. I këndoi dashurisë dhe atdheut në mënyrë të mrekullueshme, dhe atdheu t’ia shpërblejë kështu?!

A keni frikë se çdo ditë që kalon do të shkojë më keq dhe ndoshta shtëpia mund të rrënohet krejt?

Ajo shtëpi është rrënuar komplet. Më kujtohet një rast, kur më ’89-ën isha drejtor i Pallatit të Kulturës “Lasgush Poradeci”, dhe ka ardhur ministri i Kulturës i asaj kohe, i ndjeri Vath Koreshi, më mori me vete e shkuam te shtëpia. Kish dy vjet që kish vdekur Lasgushi dhe atëherë qe siç e kish lënë ai. Më kërkuan t’i çoja te vendi ku shkruante Lasgushi, dhe ai e kish mbushur me pula. E kishin mbuluar glasat e pronarit të ri vendin e shenjtë të poetit, dhe mesa di, ministri i dha porosi Institutit të Monumenteve të Kulturës të bëhej projekti që nga themeli e deri në kulm. Ai projekt është në arkiv të Institutit të Monumenteve, por mungon dashamirësia e këtyre zyrtarëve që ta marrin e të nxjerrin fondet e nevojshme që i jep kjo VKM dhe ta ngrejë me atë projekt që është gati. Ka qenë frymëzim për piktorët dhe ka dhjetëra vizatime, por mungon dashamirësia. Ndaj detyrohem ta bëj publike këtë VKM dhe këto mendime, sepse nuk kam mundur dot të bind njerëzit me të cilët kam punuar.

Nuk e identifikon dot shtëpinë. Kjo është shpërfillja, Dhe Ismail Kadareja kur e inauguroi Pallatin e Kulturës “Lasgush Poradeci’ citoi Biblën, por ne nuk e dinim. “Profetët nuk njihen në vendin e tyre”, por e kamufloi duke thënë: “ Një proverb i vjetër botëror që është pak i trishtueshëm…”. Ai citim u vërtetua. Vërtet profetët nuk njihen. Nuk njohën Lasgushin, as Kadarenë, e atëherë ky popull do të ecë në qorrsokak. Por po e lamë kështu, brezi i ri nuk do të dijë asgjë.

Po me ministren aktuale keni pasur ndonjë kontakt apo bisedë ? Duket që ajo e ka hedhur fokusin drejt objekteve dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore..

Kur ajo nuk ka ardhur në Pogradec dhe as ka kërkuar të takohet me ata që e kanë njohur Lasgush Poradecin. Kur nuk pyet kjo ministre, ku është shumë e vështirë t’i hysh deri te dera, më pret a s’më pret..?! Ata duhet të vijnë të takohen me ne. Apo vijnë vetëm për fushata elektorale, Përse e lë shtëpinë e Gjergj Fishtës në atë gjendje? Përse në rrënoja shtëpinë e Mitrush Kutelit dhe Lasgushit? E ç’është bërë? Vetëm ajo e Kadaresë dhe ajo është në korrelacion me shtëpitë e tjera të shkrimtarëve të mëdhenj.

Po qytetarët dhe qyteti i Pogradecit, a ka një zë që ngrihet për Lasgush Poradecin?

Qyteti është indiferent ndaj Lasgushit. Përse ? Sepse niveli kulturor ka rënë shumë, sepse njerëzit në përditshmëri merren me hallet e vogla të jetës, merren me budallaqet e jetës së përditshme dhe nuk merren me Lasgushin. Janë shterpë, nuk lexojnë. Një qytet me dy emra të mëdhenj të letërsisë, me natyrë brilante, sot Pogradeci është në gjendje të mjerueshme kulturore artistike e arsimore. E kujt do i bjerë ndërmend për shtëpinë e Lasgushit? Qeverisë? E ka për detyrë ministrja ta ngrejë, që të krenohemi me njerëzit e mëdhenj.

(d.b/Mapo/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: