Gjykata e Fierit vendosi sot masën e sigurisë “arrest me burg” për dy autorët e grabitjes me dhunë në Klos të Mallakastrës, ku humbi jetën si pasojë e dhunës së ushtruar 89-vjeçari Caush Shehaj. Dy autorët 22 dhe 28-vjeç u arrestuan disa orë pas ngjarjes.

Gazetari Ervis Kuçi raportoi për “BalkanWeb” se në seancën e sotme pala mbrojtëse ka kërkuar analizë gjaku për të parë nëse dy autorët janë përdorues droge. Të tre të ndaluarit përfshirë dhe 16-vjeçarin e ndaluar për moskallëzim krimi kanë dhënë gjatë përballjes me togat e zeza deklarime kontradiktore midis tyre duke evidentuar faktin se i mituri ka deklaruar se të tre janë përdorues hashashi.

Një prej tyre Musa Godo nuk është një figurë e panjohur për blutë e Fierit pasi kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu ku vuante dënimin për përdhunimin e një 23-vjeçareje në Fier.

Dy autorët e grabitjes në Mallakastër Ervis Halimi dhe Musa Godo kanë mbërritur në gjykatë të shoqëruar nga forca të shumta policia, ndërkohë familjarët e të moshuarit kërkojnë dënimin maksimal për autorët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb