55-vjecarja Ativie Qazimllari nga fshati Porodinë i Korçës ka bërë kallëzim penal për një 40-vjeçar po nga i njëjti fshat të cilin e ka komshi duke e akuzuar se ka ngacmuar seksualisht djalin e saj me aftësi ndryshe (me moshë madhore, 18 vjeç).

I akuzuari është shtetasi Dionis Myrtollari për të cilën thotë se e ka parë të zhveshur së bashku me djalin e saj në bodrum.

Sipas 55-vjeçares konfliktet me komshiun e saj janë të vazhdueshme dhe herë- herë kanë degraduar në dhunë, konflikte këto që janë zgjidhur me ndërmjetësimin e njësisë administrative dhe policisë.

Dionis Myrtollari pas denoncimit që i ka bërë 55-vjeçarja është shoqëruar në polici ku ka qëndruar për rreth 2 orë dhe më pas është lënë në gjendje të lirë pasi nuk ka prova të mjaftueshme.

Burime nga policia bëjnë të ditur që ende çështja mbetet në fazën e akuzave, ku e ëma e djalit, e cila pretendon që i biri është abuzuar seksualisht, duket se nuk ka pasur qëndrueshmëri dhe qartësi në deklaratat që ajo ka dhënë, duke hedhur hije dyshimi për deklarimin e saj.

55-vjeçarja ndër të tjera ka deklaruar: “Ma ka zhveshur djalin nga gjysma e trupit e poshtë dhe nuk e di a i bëri gjë apo jo, i pashë të dy lakuriq”.

Ndërkaq ajo pretendon se 40-vjeçari ka ushtruar dhunë të vazhdueshme (fyerje dhe goditje fizike) dhe se i ka raportuar situatat shpesh në polici.

Por për këtë çështje, banorët e fshatit mbrëmjen e kësaj të enjte kanë dalë në krah të të akuzuarit, pasi sipas tyre ai është një djalë i mirë dhe punëtor, i cili nuk mund të bëj kurrë gjëra të tilla. Ndërsa për familjen e cila ka ngritur akuzën, banorët thonë se familja është me probleme mendore.

Vetë i akuzuari ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se në shumë raste e kishte ndihmuar familjen e 55-vjeçares, por nga ana tjetër ai ka shtuar se fëmijët e tij ndihen të rrezikuar pasi ajo ka probleme mendore.

Për akuzat ai është shprehur se janë të pavërteta, teksa ka kërkuar hetim të plotë nga prokuroria, pasi kallëzimi synon t’i prishë imazhin.

Babai i tre fëmijëve ka marrë dhe mbështetjen e banorëve të tjerë, të cilët kanë thënë se nëse çështja nuk zbardhet plotësisht do të protestojnë dhe do e përzënë nga fshati këtë familje.

Kjo situatë mbetet ende e paqartë për policinë dhe nuk dihet nëse vërtet 40-vjeçari ka ngacmuar seksualisht djalin e 55-vjeçares, apo kjo e fundit ka kryer kallëzim të rrem kundrejt tij, për këtë çështje kanë nisur hetimet nga prokuroria e Korçës, për vlerësimin e ngjarjes.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet për vlerësim, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, pasi më datë 12.10.2022, ka bërë kallëzim shtetasja A. Q., 55 vjeçe, banuese në fshatin Porodinë, Korçë, e cila pretendon se 4 muaj më parë, shtetasi D. M., 40 vjeç, i ka ngacmuar seksualisht djalin e saj me aftësi ndryshe. Kjo ngjarje nuk është raportuar më parë në Polici, nga familjarët e djalit.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb