“Po flija në xhami, kur burra të armatosur dhe me fytyrë të mbuluar më zgjuan, dhe më shtynë drejt derës. Imami u përpoq t’i ndalonte, por ata e rrahën me tytën e kallashnikovit. Më pas më lidhën sytë dhe më futën në një makinë.”
Kështu fillon historia e Hilal Hamidi, i cili u rrëmbye nga talebanët në Afganistan, kur ishte 12 vjeç, me qëllimin për ta bërë kamikaz.

Historia e tij ka një fund të ndryshëm nga ajo e fëmijës që shpërtheu pak ditë më parë në Turqi, duke shkaktuar mbi 50 të vdekur, apo e adoleshentit tjetër që u kap nga policia në Kirkuk, në Irak, teksa përpiqej të shpërthente rripin me eksploziv që kishte fshehur poshtë bluzës së futbollistit Lionel Messi.

Sot Hilal Hamidi është 21 vjeç dhe punon në një pastiçeri në Romë.
Në një intervistë për ‘Tgcom24’, Hilal shprehet se ka shpëtuar vetëm sepse nuk u besoi fjalëve të talebanëve.

“E kam ditur gjithmonë se çfarë do të thoshte të ishte një mysliman i mirë. Dhe nuk ishte ajo që donin ata, një njeri që vret. Familja ime jetonte në gjendje të mirë ekonomike. Babai im punonte për amerikanët dhe një ditë e rrëmbyen dhe nuk u kthye më në shtëpi. Fati im, në njëfarë mënyre ishte i shkruar. E dinin që as unë nuk do të isha radhitur me talebanët. Që në fillim ata e kishin të qartë, se për ta mund të isha vetëm një bombë njerëzore.”- deklaroi ai.

A kishte fëmijë të tjerë me ty, kur të rrëmbyen?
Isha i vetëm kur më rrëmbyen. Pastaj më çuan në një kamp, ku ishin 7-8 fëmijë të tjerë, por nuk na linin asnjëherë vetëm. Natën na ndanin. Ndonjëri zhdukej, sepse e kishin çuar për të shpërthyer diku.

E ke menduar ndonjëherë mundësinë për tu bërë si ata, të luftoje për ta, që të mos bëheshe kamikaz?
Nuk ke mundësi zgjedhjeje. Fëmijët që janë shumë të vegjël për të luftuar, apo ata që dukeshin pak të pabindur, apo rebelë, nuk stërviteshin për tu bërë talebanë. Ishin të destinuar për tu bërë kamikazë. Të bënin lavazh truri për të të bindur se ishte e drejtë të shndërroheshe në një njeri-bombë, sepse sipas tyre “ishte detyrë e çdo myslimani të vriste jobesimtarët, që shkatërronin Islamin”.

Si nuk arritën të të bindnin?
Babai im më shtyu të studioja Kuranin. Ajo që shkruhet aty nuk ka lidhje me këto.

Po fëmijët e tjerë i besonin?
Disa fëmijë nuk patën mundësinë që pata unë. Besonin gjithçka dhe nuk kishin asnjë alternativë, sepse nuk kishin studiuar.

E ke menduar ndonjëherë mundësinë për të hedhur veten në erë?
Nuk kishte asgjë për të menduar. Ata të mësojnë se si të vendosësh rripin me eksploziv dhe si të shtypësh butonin për të shpërthyer. Unë nuk e kam besuar kurrë se në këtë mënyrë do të shkoja në parajsë, por rebelimi im nuk do vlente për asgjë. Kam parë kur kanë vrarë 2 fëmijë të moshës time, pasi nuk pranuan të hidheshin në erë. Në atë moment, mua dhe një tjetri na thanë: “Pas këtyre radhën e keni ju”.

Por nuk ndodhi…
Talebanët kishin frikë se fëmijët mund të dorëzoheshin në polici, kur u vendosnin rripin me eksploziv. Por, në atë kohë në Afganistan ishte e vështirë të kuptoje se cilën anë mbante policia. Dy herë u përpoqën të më dërgonin për të shpërthyer. Për të më bindur herën e parë më rrahën, ndërsa herën e dytë më hodhën në trup vaj të nxehtë. Atëherë vendosa t’ia mbathja, duke menduar se edhe po të qëndroja do të më kishin vrarë. Unë dhe një fëmijë tjetër që refuzonte të bëhej kamikaz, kërkuam për të ngrënë. Ishim aq të torturuar sa ata mendonin se nuk kishim fuqi t’ia mbathnim dhe na lanë vetëm. Vrapova aq shumë derisa më ra të fikët. Pastaj nuk di më asgjë, u zgjova në një dhomë që nuk e njihja.

Halili u shpëtua nga një burrë, i cili e mbajti në shtëpinë e tij për 9 muaj: “Nuk e di as si quhej, nuk ka tha kurrë. Pas nëntë muajsh , ai vendosi të më çonte në Pakistan përmes disa trafikantëve. Që atje kalova në Iran dhe më pas në Turqi, ku qëndrova për 8 muaj. Kur isha 14 vjeç mbërrita në Greqi dhe që atje në Itali. Kur erdha në Romë ndihesha keq, kisha makthe natën. Ditën isha gjithmonë me nerva dhe bëhesha i dhunshëm. Fillova të bëhesha mirë vetëm pasi u konsultova me një psikolog. U kurova edhe me ilaçe. Dalëngadalë jeta ime rifilloi. Bëra një kurs për pasticier dhe sot kam një punë, një shtëpi, të fejuar, kolegë dhe miq.

A ke një kujtim nga e kaluara që të vret më shumë?
Shenjën e kam në trup. Sa herë shikoj krahun tim të djegur nga vaji i nxehtë, më kujtohet gjithçka.
(Pershtati E.Nurcelli/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb