Nga Aurora Golemi
Tre javë më parë, Entela Ftoji humbi bashkëshortin pasi ai ndërroi jetë brenda Komisariatit të Korçës, ndërsa sot 20-vjeçarja bashkë me tri vajzat e saj të mitura nuk kanë një dhomë ku të fusin kokën.
E mbetur në mëshirë të fatit e në mes të katër rrugëve, Entela iu drejtua emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” në News24. Ajo i kërkon ndihmë Elvis Naçit.

“Dua t’i bëj thirrje emisionit ‘Shqiptarët për shqiptarët’ ju lutem, i lutem zotit Elvis Naçi, të verë dorën në zemër për këta fëmijë. Jam në një gjendje shumë të keqe. Nuk kam ndihmë nga asnjë. Nuk kam durim. Nuk e përballoj dot jetën kështu”, tregon Entela që edhe pse është vetëm 20 vjeçe ka mbi vete një përgjegjësi të madhe.

Pasi i dha lamtumirën e fundit bashkëshortit, Entela mori vajzat e saj dhe iu drejtua shtëpisë së gjyshes, por ajo strehë nuk ofron asgjë tjetër përveç varfërisë. Edhe të afërmit e saj përballen me skamjen dhe nuk munden ta ndihmojnë. Tashmë i mbetet vetëm rruga, dhe endet sa andej-këtej me fëmijët në krahë nëpër lulishte dhe stola.

gruaja e enea ftojit korce

“Unë jam 20 vjeç, po fle rrugëve me fëmijët pa pasur asnjë krahë. Po përballem me një jetë që se kisha menduar kurrë. Jam me tre fëmije dhe po fle lulishteve. Ku të vete të përplasem me tre fëmijë? Fëmija më i madh është 5 vjeçe. Fëmijën e dytë e kam me probleme me gjëndër në zemër, është me probleme nga frymëmarrja. Ngaqë po flenë jashtë janë ënjtur komplet nga fytyra. Ku të vete të mbytem? Fëmijën e vogël e kam me bronkit. Nuk kam një shurup t’i blej. Nga e ftohta që po fle jashtë. Kështu do zgjatet jeta ime të fle rrugëve? Një dhomë ku të fus fëmijët se po me enden nga minuta në minutë. Po e shikoj që po më sëmuren nga minuta në minutë. Një dhomë kërkoj asgjë tjetër. Se do lyp dhe do ha. Por tani kam nevojë t’i fut fëmijët në një dhomë, të mendoj që më është vrarë bashkëshorti. Nuk po mendoj vdekjen e tij që më iku, po mendoj që po më vdesin dhe fëmijët tani”, shprehet Entela.

Përveç strehëzës që i mungon Entela nuk ushqen dot as fëmijët. Bukën e përditshme për 4 frymët e merr tek mensat e bamirësisë të qytetit të Korçës e ato pak ushqime që ua falin qytetarët. Historia e Entela Ftoji do të trajtohet në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” këtë të premte në News 24.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb