TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka folur sot para mediave dhe për akuzën ndaj tij në kohën kur ishte Ministër i Transporteve në qeverinë “Berisha” për “Rrugën e Kombit”. Basha tha se ka qenë i vetmi që ka shkuar para drejtësisë dhe drejtësia e ka dhënë përgjigjen, duke e cilësuar një sulm të keqorganizuar politik. Ai tha se ka kërkuar heqjen e imunitetit për veten dhe se ndaj është sot para gazetarëve pa asgjë për të fshehur dhe pa askujt për t’iu trembur.

“I vetmi që kam shkuar para drejtësisë dhe që jam përballur me drejtësinë, i vetmi që kam kërkuar heqjen e imunitetit kam qenë unë. Por kjo s’do të thotë që ajo ka qenë e vetmja çështje. Ajo çështje e mori përgjigjen e vet. Drejtësia u përgjigj dhe vendimi i drejtësisë tregon se e gjitha ishte një sulm i keqorganizuar politik. Askush nuk e di për çfarë u ngrit ajo akuzë. Akuza ishte që ishin shpërdoruar 267 milionë euro ndërkohë që ishin paguar vetëm 60 milionë euro parapagesë sipas një kontrate të lidhur sipas ligjit. Kaq qesharake ishte akuza. Në fakt ajo as nuk u konsiderua as akuzë. Vendimi i Gjykatës së Lartë i formës së prerë konkludoi se prokuroria nuk arriti dot të ngrinte një akuzë, por të paktën unë u përballa. Nxirrni nga arkivi kërkesën time drejtuar parlamentit për të më hequr imunitetit. Unë kam dalë para shqiptarëve sa herë jam akuzuar dhe jam përgjigjur. Dy vjet e mbajti Rama akuzën që është bërë tani akuza Rama-Berisha për dosjen Muzin, u hetua, u hodh poshtë. Zero fakte dhe zero prova! U ankimua, shkoi deri në Gjykatë të Apelit. E kam thënë disa herë të vërtetën. Shkoni kërkoni në Prokurorinë e Tiranës, shkresën që flinte në sirtar nga SHBA që kishte zero procedim në SHBA, por helmi kur hidhet ditë për ditë si uji në rubinet i ngelet njerëzve. E vërteta është kjo që ju them unë.

Për pjesën tjetër të pyetjes, kam qenë para drejtësisë dhe në dispozicion të drejtësisë, kam kërkuar heqjen e imunitetit në momentin që më është drejtuar një akuzë, ndaj jam sot para jush kështu siç jam, ballëhapur, pa asgjë për të fshehur, pa askujt për t’iu trembur përveç Zotit”, deklaroi Basha.

Ai tha se shpifjeve dhe shpikjeve të Edi Ramës i është përgjigjur duke kallëzuar dhe duke u paraqitur në prokurori, duke e cilësuar standardin e tij, madje dhe holandez dhe europian.

“Na akuzuan që kishim frikë nga reforma në drejtësi, ja ku jemi. Ka 8 vjet Edi Rama në pushtet, ka shpikur dhe shpifur, i jam përgjigjur shpifjeve me kallëzime në prokurori, shpikjeve duke u paraqitur në prokurori.  Ky jam unë, ky është standardi im, po të duash dhe standard holandez e europian, por meqë shumica e shqiptarëve andej po na shkojnë, nuk po na shkojnë as në Kazakistan, as në Rusi, as në Kinë, besoj që është standardi që duan shumica e shqiptarëve. Pse politikanët që kanë 30 vjet në pushtet, që ndërrojnë vendin me njeri-tjetrin, këta, si nuk qenkan hetuar njëherë. U arrestua Ter Koka dhe u tund bota. Pse tek Ter Koka filloka e mbaroka gjëja, është bishti. Sa për korrupsionin gjatë qeverisjes sonë, zotimi im ka qenë që ditën e parë që jam bërë kryetar i PD-së që PD nuk bëhet mburojë e asnjë zyrtari që akuzohet për korrupsion. I qëndroj edhe sot sepse përndryshe bëhemi bajat”, tha Basha.

I pyetur se nëse SPAK nuk shkon tek koka e aferës së inceneratorëve si do të veprojë PD, Basha tha se do të ketë nxitje për drejtësinë.

“Jemi të vetëdijshëm për presionin që bën Edi Rama. Ju si gazetarë se do ju rritet presioni. Detyra jonë e parë të inkurajojmë drejtësinë të bëjë punën e saj deri në fund, me të gjitha format dhe mënyrat, por së pari duke drejtuar të gjithë fokusin tonë tek të korruptuarit, armiqtë e mirëqenies së shqiptarëve dhe drejtësia që është në sprovë. Sot është koha për të thënë më mirë vonë se sa kurrë dhe e filluar, vazhdojeni. Ta mbajmë në fokus këtë çështje sepse po shkoi dhe kjo pa u ndëshkuar, jo thjesht qindra miliona euro të vogëlushëve shqiptarë, apo ushqim dhe ilaçe për gjyshet dhe gjyshërit tanë, por shpresa e këtij vendi do të vidhet. Ngjarjet e djeshme na dhanë të drejtë. Do të hidhet shumë tymnajë për të na shfokusuar nga kjo betejë. Ata që do përpiqen të krijojnë ngjarje për t’i ikur kësaj do vetëdenoncohen, autorët i patë të vetëdenoncuar tek skena e krimit”, deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb