Policia e Lezhës ka arrestuar një 17-vjeçar, që pasi i ka vjedhur adresën e Snapchat-it një 16-vjeçareje, e ka shantazhuar atë.

Adoleshenti e shantazhonte 16-vjeçaren se do i publikonte foto intime, në rast se ajo nuk kryente marrëdhënie seksuale me të.

Njoftimi i policisë:

I vodhi llogarinë në Snapchat, një 16-vjeçareje, për ta shantazhuar, si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, kapet dhe vihet në pranga 17-vjeçari.

Menjëherë pas njoftimit nga gazetarët e emisionit “Piranjat”, se një e mitur shantazhohej nëpërmjet një llogarie të vjedhur, në rrjetin social Snapchat, se do t’i publikoheshin foto personale, nëse nuk kryente marrëdhënie seksuale me shtetasin që e shantazhonte, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë organizuan punën për vënien në pranga të autorit.

Si rezultat, u bënë të mundura kapja dhe arrestimi i një shtetasi 17 vjeç, banues në Lezhë. Veprimet procedurale me të për këtë rast, vijojnë të kryhen në prezencë të familjarëve, mbrojtësit ligjor dhe psikologut.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Lezhës falënderon gazëtarët e emisionit “Piranjat”, për denoncimin e rastit, si dhe fton ata, median dhe qytetarët që të kallëzojnë çdo rast paligjshmërie që hasin. Reagimi ndaj autorëve të tyre do të jetë i menjëhershëm dhe me ashpërsinë e ligjit.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb