Deputeti i PD Enkelejd Alibeaj, gjatë Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, bëri thirrje që të miratohet projektligji për “Për Ndërgjegjësimin, Kujtesën Kolektive, Ekspozimin dhe Ndëshkimin Publik të Regjimit Totalitar Komunist”, propozuar nga grup deputetësh të Grupit Parlamentar të PD.

Alibeaj tha se ky është një vendim i vonuar, por më mirë vonë sesa kurrë, duke thënë se pavarësisht ndasive politike, për këtë cështje duhet të bien dakord.

“Skena politike është e tillë që nuk shkëputemi dot nga përkatësitë e dikurshme, tifozeri partiake dhe elektorale, por besoj se pas 32 vitesh do duhet ta gjejmë kurajon intelektuale dhe maturinë publike që ky kapitull i rëndë dhe i dhimbshëm, të shndërrohet sot në një kalë beteje në betejat e skenës pulitke. Na ndajnë shumë gjëra, por nuk mund ta konsiderojmë veten si të paaftë dhe të rivitalizuar një histori të erret. Është e vonuar, ndjesë që nuk ju drejtohem juve kolegë të së majtës, kam një lloj ndjesë që dua t’u kërkoj kolegëve të mi të të djathtës, që kemi qenë kaq të vonua, kemi pasur mundësi dhe shtysë të asaj pjesë të shoqërisë që na ka mbështetur, por më mirë vonë se kurrë.

Me një ndjesë drejtuar gjithë shoqërisë shqiptare, ia kemi për detyrim që një paketë të plotë të dekomustizimin ta çojmë përpara. Nëse kalon, veç se të fituar ka. Ftesa ime është të shihet vetëm në këtë mënyrë ky projektligj. Besojmë se është nevojë ulëritëse e shoqërisë që këtë projektligj t’i konsiderojmë të mbyllura më mirë vonë sesa kurrë.”, tha ai.

RELACIONI

I. QËLLIMI I PROJEKTAKTIT DHE OBJEKTIVAT QË SYNOHEN TË
ARRIHEN

Shtetet demokratike dallojnë nga shoqëritë totalitare nga raporti që ndërtojnë me historinë e tyre, të kaluarën e afërt apo të largët. Në shtetet totalitare, historia rishkruhet, ndryshohet dhe manipulohet në varësi të interesave politike të atyre që udhëheqin nëpërmjet frikës, dhunës dhe terrorit. Një shembull tipik i kësaj sjelljeje me të kaluarën, ishte regjimi komunist i Enver Hoxhës. Për 45 vite, historia e Shqipërisë u rishkrua dhe u rikonceptua, me qëllim që t’i shërbente jo të vërtetës historike të popullit shqiptar, por konsolidimit të plotë të pushtetit hoxhist, si dhe shtypjes ndaj klasave politike të persektuara. Dhënia e atributeve historike familjarëve të diktatorit apo fshirja e personazheve të ndëshkuara nga regjimi në fotot zyrtare janë vetëm ilustrime të këtij fenomeni.

Fatkeqësisht, megjithëse kanë kaluar 31 vite nga ajo natë e ftohtë e 8 dhjetorit 1990, në qytetin Studenti, ku do të merrte rrugë fundi i pakthim i regjimit totalitar komunist dhe fillim i ndryshimeve demokratike, shteti dhe shoqëria shqiptare nuk ia ka dalë të ndërtojë një raport të drejtë me historinë e saj 45-vjecare. Shpesh mendimet, qëndrimet dhe qasjet kanë qenë të ndryshme ndaj kësaj periudhe dhe zhvillimeve të saj, duke krijuar konfuzion dhe keqkuptime rreth të vërtetës historike. Është për të ardhur keq që akoma sot në ceremoni publike dhe zyrtare, shihen individë të caktuar, përfshirë edhe funksionarë të lartë shtetërorë, në prani të të cilëve ekspozohen simbole të regjimit komunist, duke krijuar vuajtje dhe dhimbje të panevojshme tek ajo pjesë e shoqërisë që humbi prindërit, familjarët, të afërmit dhe miqtë, por edhe rininë e ndoshta pjesën më të madhe të jetës në burgjet dhe kampet komuniste. Mosnjohja e thellë e kësaj të vërtete, përballja e saj me kurajo dhe guxim, dhe mungesa e hapave të nevojshëm ligjorë kanë qenë pengesa reale në progresin demokratik të shtetit shqiptar.

Pikërisht, me shqetësimin e thellë për raportin problematik që shoqëria shqiptare ka ndërtuar me të kaluarën e saj nën regjimin totalitar komunist, me qëllim njohjen e thellë të së vërtetës historike, përballjen e saj, ndërgjegjësimin e brezave, zhvillimin e kujtesës kolektive, ekspozimin dhe ndëshkimin publik të elementëve të diktaturës komuniste, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike – forcës politike që ishte mishërimi i ëndërrave studentore të dhjetorit 90’ për liri dhe demokraci – kanë ndërmarrë nismën për ofrimin e një pakete ligjore gjithëpërfshirëse që synon dekomunistizimin e plotë të shoqërisë shqiptare. Deri më tani, kjo paketë ka ofruar projektligjin për shpalljen muze kombëtar të Kampit të Punës së Spacit dhe Kampit të Internimit të Tepelenës, si dhe projektligjin për deklasifikimin e plotë të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Ndërsa, ky projektligj synon që shteti dhe shoqëria shqiptare të arrijnë në një qëndrim të përbashkët mbi regjimin totalitar komunist, bazuar në opinionet shkencore, objektive dhe faktike të institutit me ekspertizën më të lartë në vend për krimet dhe pasojat e komunizmit në vend, pikërisht Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri (në vijim “ISKPSH”). Në përputhje me këtë qëndrim historik ndaj regjimit totalitar komunist, institucionet dhe organet publike, sipas fushave të kompetencës së tyre, do të duhet të marrin masat e nevojshme për të hartuar, shtuar apo ndryshuar dokumentet, platformat dhe strategjitë e tyre zyrtare. Jo vetëm kaq, por projektligji përcakton ndalime dhe sanksione për materiale të propagandës së regjimit komunist, simbolet dhe përgatitjen e veprave intelektuale për propagandë të kësaj periudhe, si dhe ndalimin e përgatitjes së materialeve audiovizive propaganduese dhe ndalimin e propagandës në veprimtarinë e partive e organizatave politike. Rol thelbësor në zbatimin e këtyre ndalimeve dhe sanksioneve, ashtu si edhe në ndërgjegjësimin e edukimin e brezave, do të ketë ISKPSH-ja, detyrat dhe kompetencat e të cilit janë përcaktuar në mënyrë të detajuar në projektligj.

II. ARGUMENTIMI I PROJEKTAKTIT LIDHUR ME PËRPARËSITË,
PROBLEMATIKAT, EFEKTET E PRITSHME

Ky projektligj ka për qëllim pranimin me vetëdije të të vërtetës historike të regjimit totalitar komunist, si dhe realizimin e paqes sociale, pajtimin dhe unitetin kombëtar pas një tranzicioni të gjatë shoqëror dhe institucional me përgjegjësinë që në të ardhmen të ndërtohet një shtet i së drejtës, demokratike e social, që ka në themel mbrojtjen e dinjitetit dhe personalitetit njerëzor. Në objektin e këtij projektligji janë përcaktuar format dhe mënyrat e ndërgjegjësimit, kujtesës kolektive, ekspozimit dhe ndëshkimit publik të natyrës kriminale të regjimit totalitar komunist, pjesë e historisë së Republikës së Shqipërisë, në funksion të ndërtimit për brezat e tashëm dhe të ardhshëm të një shoqërie të re dhe demokratike, që njeh dhe respekton të drejtat themelore të njeriut.

Qëllimi dhe objekti i këtij projektligj ofrojnë një qasje të re, bashkëkohore dhe demokratike, mbi raportin që shteti dhe shoqëria jonë duhet të ndërtojë me të kaluarën e saj. Shoqëritë demokratike që përnjëmend kërkojnë ta njohin thelbësisht historinë e tyre, nuk i tremben fantazmave të së shkuarës, por me kurajo vendosin të përballen me to. Në këtë frymë, ky projektligj ofron për herë të parë disa përcaktime historike, që kërkojnë ligjvënës të guximshëm, në lartësinë e detyrës së besuar nga populli shqiptar, për t’i shqyrtuar dhe miratuar me përgjegjshmëri të lartë politike e patriotike. Kështu për herë të parë projektligji ka sanksionuar “natyrën kriminale të regjimit totalitar komunist”; “regjimin totalitar komunist”; “simbolet e regjimit totalitar komunist”; “propagandën e regjimit”; dhe “organet e diktaturës komuniste”.

Kuptimi dhe pranimi i kësaj terminologjie është thelbësore për zbatim me efikasitet të masave ligjore të nevojshme për ndërgjegjësimin dhe kujtesën kolektive, si dhe ekspozimin dhe ndëshkimin publik të natyrës kriminale të regjimit totalitar komunist. Kështu, ky projektligj ofron për herë të parë detyrimin e ministrive të arsimit dhe kulturës, por edhe cdo organi tjetër shtetëror, që të rishikojnë kurrikulat, dokumentet, programet dhe strategjitë e tyre në përputhje me hulumtimet dhe gjetjet shkencore të ISKPSH-së mbi krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri. Projektligji përcakton detyrimin e cdo institucioni publik, vendor apo qëndror, për marrjen e masave të nevojshme për përmbushjen e rekomandimeve të ISKPSH-së brenda afateve të prera ligjore.

Po ashtu, projektligji ka ngarkuar ISKPSH-në me detyrën, ndër të tjera, të monitorimit dhe vendosjes së sanksioneve administrative ndaj cdo personi, fizik ose juridik, shqiptar ose i huaj, që në Republikën e Shqipërisë shpërndan mesazhe të propagandës komuniste, krijon dhe ekspozon simbole të regjimit komunist, përgatit dhe shpërndan vepra intelektuale dhe audiovizive me përmbajtje propagandistike komuniste, si dhe cdo lloj organizimi të partive politike që synon propagandimin e regjimit totalitar komunist. Madje, këtyre partive dhe organizatave politike iu ndalohet edhe propozimi i kandidatëve për anëtarë të pushtetit legjislativ dhe vendor, përfshirë pozicionin e kreut të shtetit, nëse gjatë veprimtarisë së tyre propagandojnë regjimin totalitar komunist dhe/ose përdorin simbole të tij. Tërësia e këtyre masave ligjore synon dekomunistizimin e shtetit dhe shoqërisë shqiptare, në cdo qelizë të saj; dhe mbi të gjitha ndërtimin e një raporti të drejtë e të vërtetë të brezave me historinë e atdheut të tyre.

III. VLERESIMI I LIGJSHMËRISË, KUSHTETUTSHMËRISË DHE HARMONIZIMI ME LEGJISLACIONIN NË FUQI VENDAS E NDËRKOMBËTAR

Projektligji është propozim i një grupi deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, në përputhje me nenin 81, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe nenin 68, pika 1 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Projektligji është mishërimi i preambulës së Kushtetutës së miratuar në periudhën postkomuniste, e cila përcakton se “Ne, Populli i Shqipërisë…me përgjegjësi për të ardhmen…me vendosmërinë për të ndërtuarnjë shtet të së drejtës, demokratike e social për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut…”. Po ashtu, ky projektligj është në harmoni me nenin 3 të Kushtetutës, i cili përcakton se “…drejtësia shoqërore, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare…janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë.”. Megjithatë, hartuesit e projektligjit janë kujdesur të ruajnë një balancë të shëndetshme ndërmjet qëllimit për njohjen e së vërtetës historike dhe përballjes me pasojat e saj, dhe parimeve të ligjshmërisë, procesit të regullt ligjor dhe të drejtës për informim.

IV. PËRMBLEDHJE SHPJEGUESE E PËRMBAJTJES SË PROJEKTAKTIT

Projektligji përbëhet nga pesë krerë dhe shtatëmbëdhjetë dispozita.

Kreu i parë, i cili përmban tre dispozita, ka përcaktuar qëllimin dhe objektin e projektligjit, përkufizimet dhe parimet e përgjithshme. Në pjesën e përkufizimeve për krijimtarinë intelektuale, ato janë në përputhje me përcaktimet e bëra në ligjin nr. 35/2015 “Për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Tjera të Lidhura me To”.

Kreu i dytë, i cili po ashtu përmban tre dispozita, sanksionon detyrimin e ministrive përgjegjëse për arsimin dhe kulturën, si dhe cdo organ tjetër shtetëror, për rishikimin e kurrikulave dhe dokumenteve të tyre strategjikë në përputhje me hulumtimet dhe rekomandimet e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Kreu i tretë, i cili përmban pesë dispozita, parashikon ndalimet e propagandimit të simboleve, materialeve të krijimtarisë intelektuale dhe audiovizive në cdo lloj veprimtarie publike dhe politike. Në të kundërt, ISKPSH-ja ka të drejtën e vendosjes së masave administrative gjobë. Në rast përsëritje të shkeljeve, ISKPSH-ja ka detyrimin e hartimit dhe dorëzimit të kallëzimeve penale sipas rregullimeve të Kodit Penal.

Kreu i katërt, i cili përmban tre dispozita, ka përcaktuar autoritetin qëndror për zbatimin e këtij ligji, përkatësisht Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, i cili është një organ i parashikuar me ligjin nr. 10 242, datë 25.02.2010 “Për Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri”. Në nenin 13 janë parashikuar në një listë shteruese kompetencat e këtij Instituti, në kuadër të këtij ligj, ndërsa në nenin 14 është përcaktuar fuqia ligjore e akteve administrative të nxjerra nga ISKPSH-ja.

Kreu i pestë, përmban tre dispozita, të cilat sanksionojnë detyrimin e Këshillit të Ministrave për nxjerrjen e aktit ligjor të parashikuar nga neni 8, pika 2 (transformimi dhe transferimi fizik në muze), brenda një afati 3-mujor nga hyrja në fuqi e ligjit; detyrimin e ISKPSH-së për nxjerrjen e akteve ligjore sipas nenit 9, pika 2 (shpërndarja në publik e veprave intelektuale me përmbajtje të përzierë) dhe nenit 10, pika 2 (shpërndarja në publik e materialeve audiovizive me përmbajtje të përzierë) brenda një afati 3-mujor nga hyrja në fuqi. Po ashtu, në këtë kre është parashikuar një periudhë kalimtare 6-mujore për ISKPSH-në, në mënyrë që të hartojë programin dhe masat konkrete që duhet të marrin institucionet shtetërore në zbatim të këtij ligji. Neni 17 parashikon hyrjen në fuqi, në përputhje me përcaktimin e bërë në nenin 84, pika 3 të Kushtetutës së Shqipërisë.

V. RAPORTI I VLERËSIMIT TË TË ARDHURAVE DHE SHPENZIMEVE BUXHETORE

Projektligji nuk parashikon efekte financiare për Buxhetin e Shtetit, pasi nuk krijon organe të reja shtetërore, por iu ngarkon atyre ekzistuese, vecanërisht Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, disa detyra shtesë. Nëse si rezultat i këtyre detyrave shtesë, ISKPSH-ja do të ketë nevojë për burime njerëzore dhe infrastrukturore shtesë, atëherë gjatë regjimit kalimtar, Bordi i ISKPSH-së, në përputhje me nenin 11 të ligjit nr. 10 242, datë 25.02.2010 “Për Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri”, duhet t’i propozojë Këshillit të Ministrave rishikimin e strukturës, organikës dhe buxhetit vjetor të Institutit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb