* Do i bllokojmë varrezat greke qoftë edhe me kondicionim të qeverisë me votat e PDIU-së

TIRANË- “Studio e Hapur” ka pasur mbrëmjen e sotme të ftuar një nga aleatët e maxhorancës qeverisëse, kreun e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi. Përball gazetares Eni Vasili, Idrizi flet për rolin e PDIU-së në qeveri, marrëveshjen e bërë me kryeministrin Edi Rama, pakënaqësitë dhe kritikat që shpesh herë i ka bërë edhe publike. Pikërisht për këtë çështje, Idrizi u shpreh se aleanca nuk ka ecur në shpejtësinë e duhur, duke pretenduar për përshfirjen e PDIU-së në ndryshimet që i janë bërë kabinetit qeveritar nisur nga pesha e saj specifike në zgjedhjet lokale, ku mori më shumë se 65 mijë vota. Kreu i PDIU-së deklaroi se kjo forcë është gati të tërhiqet nga koalicioni nëse nuk është e mirëpritur.

Ndalemi tek bashkëpunimi juaj me PS dhe LSI. Ju keni kërkuar të rishikoni marrëveshjen tuaj?
Praktikisht ne në vigjilje të zgjedhjeve lokale iu bashkuam kësaj maxhorance, ka qenë momenti i reformës administrative. Ishte reformë shumë e rëndësishme, i vlente kohezionit të Shqipërisë. Një reformë administrative, nuk mendoj që është më e mira, por ishe e domosdoshme, ndaj iu bashkuam maxhorancës.

Hymë në zgjedhj esë bashku me maxhorancën aktuale dhe morëm rezultat shumë të mirë, si forcë e 4-t. Kandidatët tanë fituan në 4 bashki. Dizenjuam një aleancë për pushtetin vendor por marrëveshje edhe për pushtetin qendror. Kjo aleancë nuk ka ecur në shpejtësinë e duhur.

Cila ishte marrëveshja, ku është shkelur?
Besoj që nuk ka ndonjë gjë të veçantë, për shkak edhe të peshës sonë specifike, për atë peshë duhet të përfaqësoheshim në pushtet lokal dhe qendror.

Katër deputetë në sa ministri përkthehej?
Ne kemi marrë pjesë dhe kemi këshilltarë në të gjitha bashkitë. Në nivel kombëtar kemi pasur rezultat shumë të mirë, mbi 65 mijë vota dhe kemi kërkuar të bëhemi pjesë me kapacitetet tona. Për pushtetin ekzekutiv nuk ka qenë asnjëherë në krye të herës diskutimi për ministër, kemi dizenjuar një marrëveshje pjesë e së cilës janë disa zv.ministra.

Nuk iu është premtuar një ministri?
E gjithë ajo që ka shkuar midis nesh… është edhe qëndrimi i qeverisë për çështjen çame. Sigurisht nuk ka qenë pakënaqësia dhe kënaqësia jonë për shkak të një ministri. Sa herë maxhoranca do kërkonte të rikompozonte qeverinë, pesha jonë specifike na bënte ne të arsyetuar që në rast të rikompozimit të merrte parasysh edhe peshën tonë.

Qeveria e ka shumë të qartë. Marrëveshja jonë nuk ka filluar dhe ka mbaruar me ministrinë. Është marrëveshje shumë e gjerë. Fillon me kauzat e PDIU-së, pjesë e saj dhe pjesëmarrja në ekzekutiv. Marrëveshja nuk ka ecur në shpejtësinë e duhur. Diskutimi për ministri ka dalë në pah sa herë ka pasur ndryshime në qeveri.

Ajo çka e bëri më të qartë pakënaqësinë tonë, është që nuk kishim pushtetin në nivel lokal dhe vendor. Në Sarandë ne kemi goxha elektorat, por vetëm sot kemi një kryetar nga vota jonë.

A është e vërtetë se Rama ju ka premtuar ministrinë e Diasporës?
Një ndër gjerat që kemi kërkuar është që Shqipëria të ketë një Ministri të diasporës. Pasi ne jemi një vend në botë që një pjesë të popullsie kemi jashtë. Shteti shqiptar nuk ka asnjë lloj institucioni për dokumentacione.
U është premtuar ky projekt? Qëndron si ide?
është një projekt i kahershëm dhe ne jemi fokusuar dhe studiuar rreth 22 shtete. Dhe Kosova ka një ministri Diaspore.

A jeni duke kërkuar këtë nga Qeveria?
Ne e kemi kërkuar dhe gjatë qeverisjes së kaluar dhe në këtë të sotmen.

Cila ka qenë përgjigja e Ramës?
Do ta ndaj dhe me opinionin publik. Zakonisht perceptimi që ka një forcë pulitke është që ti të heshtësh të zhdukesh.

S’keni pasur as po e as jo të qartë?
Ndoshta nuk kemi qenë dhe në shumë të qartë.

Qëndrojmë tek përmbushja e pakteve dhe marrëveshja me koalicionin. Sipas jush pse s’po e zbaton këtë marrëveshje Rama?
Dua të them qartë se kontributi që kemi dhënë ne në zgjedhje është kontributi i PDIU dhe atyre që na kanë mbështetur. Realisht nuk e di arsyen se pse PS dhe Rama e ka shtyrë në kohë këtë marrëveshje. Ky është problemi i Ramës. Unë mund të them qartë se ne kemi qenë kontributor dhe kemi dhënë votat, por nëse nuk na duan është problemi i tyre. Ne jemi të gatshëm që të shohim rrugën tonë dhe mundësitë të tjera janë të pafundme.

Sa do prisni?
Nuk kemi duke pritur me. Jemi duke parë marrëveshjen dhe shpejtësinë e kësaj marrëveshje. Do kemi dhe takim me kryeministrin.

Sa shpejt?
Se di ta them me kohë. Do rishohim se ku ka ngelur marrëveshja. Kemi pasur takime me kryeministrin, si kemi ndërprerë takimet. Ne jemi të pritur që ta shohim atë me dinamikë. Kemi dhe reformën në drejtësi, reformën zgjedhore, çështja çame po ashtu është pikë debati.

Çfarë prisni në takim me kryeministrin?
Do presim marrëveshjen, zbatimin e saj apo jo.

Do prisni më?
Do presim nëse do zbatohet marrëveshja, se jemi të hapur.

Nuk po i bëni presion?
Jemi të qartë. Jem besimplotë se ne do ta gjejmë gjuhën ne bashkëpunimit midis nesh. Nëse nuk na duan dhe s’kanë vlerësimin e duhur, ne do qëndrojmë në pozicionin tonë.

Çfarë humbi ju duke dalë nga qeveria?
Qenia që qeveri të jep avantazhe sidomos në ato çështje themelore për ne; çështja çame, apo çështje të diasporës.

Cili do jetë qëndrimi juaj për ligjet që do kalojnë në parlament?
Zakonisht të gjithë, dhe perceptimi publik është që është gjithmonë që është parti e madhe dhe bashkohen disa parti të vogla, e kaq. Por skena politike ka ndryshuar. PDIU është rritur me këmbët e veta dhe s’ka qenë pjesë e kabineteve qeveritare. Ne kemi qëndrueshmëri elektorale. Ndaj e quaj me vend që PDIU nëse vendoset në koalicion do ruaj kauzat. Unë nuk besoj se ky diskutim apo rishikim që do bëjë me kryeministrin do jetë çështje javësh apo muajsh. Por, në çdo rast votat e PDIU do jetë si një votë që i shërben qytetarëve të Shqipërisë, do ta votojmë.

A bëhet kjo për më shumë vota në 2017?
Nuk është një pyetje që i vjen vetëm Shpëtim Idrizit. Por të njëjtën gjë bën dhe Basha, Rama, Meta. Në këtë kuptim, qëndrimi dhe pozicioni im është i fokusuar në këtë pikë. Ne mendojmë se kemi kapacitete për ta përfaqësuar PDIU me një ministër në kabinet. Nëse kjo qeveri do kompozohet të vijë natyrshëm përfshirja e PDIU-së.

A është filozofi e juaja për të qëndruar në qeveri?
Unë e kam thënë vazhdimisht. pa dyshim që për kauzën që kemi preferojmë të  jemi pranë maxhorancave. Por kjo varet nga rezultati. Deri më sot për të gjithë ata që e kanë parë me shumë merak edhe në kohën e zotit Berisha kam ndenjur 1 vit me nja 2 drejtorë. nuk është se kemi qenë ndonjë herë në pushtet, as me post ministror.

A do varet qëndrimi juaj në zgjedhjet e ardhshme nga plotësimi i marrëveshjes nga Rama?
Padyshim edhe nga kjo gjë por edhe faktorë të tjerë. Reforma në drejtësi, reforma zgjedhore. Ecuria e qeverisë deri në fund të mandatit të saj.

Është projekti juaj, krijimi i një poli të tretë?
Jo, nuk është krijimi qëllimi në vetvete. Jam i prirur të gjej pozicionin më të mirë, ku PDIU imponohet me kauzën e saj. në rast se do bëj një analizë, ajo që më shqetëson, ndaj kemi hyrë edhe në ndryshime kaq drastike, Shqipëria është një vend i vogël, dhe mund të kishte 2 parti një të majtë e një të djathtë. Ne sot nuk kemi 2 parti të majta dhe të djathta. Nuk janë e majtë klasike dhe e djathtë klasike. Ka një problem shumë të madh filozofik tek e majta evropiane, ndaj Toni Bler nxori një model të tretë. Por sot praktikisht shqiptarët nuk zgjedhin 2 programe. Njerëzit e dinë shumë mirë që janë 2 detashmente që një  herë në 4 vjet zëvendësuar njeri-tjetrin. Do doja që skena politike shqiptare të ndryshojë.

Cila janë marrëdhëniet tuaj me Metën?
Jam njeri që i mbaj kanalet e komunikimit me gjithë spektrin politik shqiptar. kam bashkëpunim dhe komunikim shumë të mirë me zotin Rama dhe me zotin Meta.

Takimet tuaja u komentuan si një lloj presioni ndaj Ramës?
Nuk besoj se kjo maxhorancë trembet nga një kafe në Rogner.

Kafe, dreka, darka publike?
Me këtë që po më thoni po më bëni ta marr për një kafe zotin Meta se kam kohë pa pirë. Kam një marrëdhënie më të afërt institucionale me zotin Meta. Kafet tona nuk kanë të bëjnë me këtë gjë.

Do t’i bënit bashkë votat me Ilir Metën për të dëmtuar koalicionin?
Nuk është rasti i PDIU-së. Partitë e mëdha takohen sa herë duan, bëjnë marrëveshje në kurriz të të gjithëve dhe kjo quhet marrëveshje. Ne do t’i rrimë strikt kauzave tona. Nuk ka asnjë forcë politike në Shqipëri që mund ta marrë PDIU-në as si shtojcë as si xhep. Vendimet tona në favor të PDIU-së dhe kauzave të saj.

Si është qeveria me çështjen çame deri tani?
Unë kam qenë shumë entuziast me këtë mazhorancë, pasi propozoi dhe rezolutë alternative. Çështja çame na ka dhënë mbështetje në momente të ndryshme, dhe artikulimi i zotit Bushati, por jo për këtë takim. U fut në programin qeveritar, dhe pjesë e diplomacisë.

Tashmë dukeni i pakënaqur nga Bushati. Çfarë ka ndodhur?
Ne e shohim marrëdhëniet në një skeptër më të gjerë. Shohim se pse politika e jashtme e Shqipërisë shfaqet e intimiduar dhe kompleksuar. Sa i takon debateve me Bushatin. Ka ndodhur pak kohë më parë. Kur në ministrinë e Jashtme të Greqisë u mbajtën një takim me disa tematika interesante, ku ishin dhe çështja çame si diskutim. Ndihem mirë që në Ministrinë e Jashtme greke mbahet një konferencë për çështjen çame.

Pse mendoni se nuk është serioz?
Në radhë të parë jam i shqetësuar si qytetar dhe jo si politikan, që politika jonë e jashtme shqiptare është e intimiduar. Për herë të parë flitet për Vorio-Epirin dhe ndaj ministria e Jashtme duhet të bënte një notë proteste. Zoti Bushati nuk e pa të arsyeshme këtë gjë. Kjo ishte fillesa e një përplasje në parlamentin shqiptar. Bushati futi në disa shporta çështje të Luftës së Parë dhe të Dytë. Çështja çame nuk është një çështje që mund të fshihet.

Ju e konsideroni një hap prapa këtë?
Sa i takon diplomacisë, e quaj një hap prapa. Bushati nga terminologjia që ka përdorur ka bërë një hap përpara, por tashmë u pa siç duhet ta shoh, si një çështje të rëndësishme e të drejtave të njeriut. Kritika ime e parë ishte që zoti Bushati, nuk duhet ti fshihet çështjet çame në tryeza, por dhe një deklarata për shtyp. I kërkova që shteti shqiptar duhet të jetë më i kujdesshëm në axhendën dhe reciprocitetin me Greqinë.

Reciprociteti ka shumë pika të tjera. Në një marrëveshje shumë të dëmshme për Shqipërinë, në fund të vitit 2009, parlamenti miratoi vendimin për ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë. Ligji thotë që ndërtohen varreza monumentale siç i kanë ushtarët britanikë.

Ka qenë presion i Greqisë për të dhënë viston për marrjen e statusit vend kandidat për BE-në.

Kujt i drejtohet ky paralajmërim?
Ja kërkoj Shqipërisë, ministrisë së jashtme dhe qeverisë. Kërkesa jonë të ngrihen edhe varrezat e çamëve të vrarë. Gjërat kanë ndryshuar ata thonë që ka një çështje çame por e lidhin me historinë e kolaboracionistëve.

Po kërkohet që në Shqipëri të hapen varreza në rreth 600-700 vend-varrime. Është një lojë e rrezikshme që unë kam për detyrë ta shtyj qeverinë shqiptare të kërkojë reciprocitet.

Si do i bllokoni këto varreza?
Ka shumë metoda demokratike, protesta etj. Po marr rastin e vendosjes së Zajednicës. Qeveria këmbëngul dhe ne do të këmbëngulim, qoftë edhe me kondicionim të qeverisë me votat e PDIU-së. Do kërkojmë dhe do t’i ndalojmë. Pa u ngritur varrezat për gjyshin tim, stërgjyshin dhe të parëve tanë, padyshim kemi të drejtën të mos i lejojmë.

Është çështje personale?
Jo Çamëria nuk është kontinent tjetër. Çamëria është pjesë e trungut shqiptar. Nuk po kërkojmë ndryshim të kufijve por të drejtat tona që do i kërkojmë deri në fund. Për dikë është çështje e luftës së 2 botërore. Por padrejtësitë historike vazhdojnë sot e kësaj dite. Sot nuk ka rikthim të të drejtave.

Keni shkëmbyer disa replika me Aurel Plasarin. Ai ka deklaruar se Napolon Zerva  ishte me origjinë çame…
Kam dashur të botoj një material shumë interesant të kohës së Zogut, që përshkruan shumë familje shqiptare, me emra e mbiemra, të cilët në një qarkore të Ministrisë së Brendshme të kohës së Zogut, i bënte thirrje prefekturës së Gjirokastrës të mbahen nën vëzhgim sepse merren me veprimtari anti-shqiptare. Ishin 65 familje që mbaheshin në vëzhgim. Kam dashur ta botoj. Mbiemrat që janë në këtë qarkore të mbretit Zog, janë familje aktuale. Mu kujtua kjo histori. Kam pasur respekt për profesorin, por ka hyrë kot në këtë histori. Më është dukur qesharak.

Ç’mund të na thoni në lidhje me deklaratat e studiuesit Plasari?
Napolon Zerba ishte komandant grek qe vrau çamët. Unë e di shumë mirë historinë dhe të vërtetën. Kam pasur respekt për atë profesor dhe për veprat e tij, por kësaj radhe përveç syzeve të tij, është treguar miop. Ai zotëri hyri kot në këtë histori.

Pezull është dhe marrëveshja e detit. Pse nuk po shkohet në zgjidhje?
Për marrëveshjen e detit, qeveria shqiptare ka një pozicion të mirë. Kur ishte në opozitë kjo qeveri ka çuar në Kushtetuese kërkesën për detit. Greqia dhe Italia nuk e kanë një marrëveshje për detin, ashtu si ne.

Pse nuk po merr zgjidhje?
Është çështje teknikalitetesh. Qeveri shqiptare ka vullnetin për të zgjidhur këtë çështje. Do jetë një çështje që do zgjidhet shumë mirë. Qeveria shqiptare duhet të vendos një marrëveshje për kufijtë tokësor.

Ju për kufijtë tokësor keni një kërkesë për bashkim kombëtar…
Nuk është kjo çështja. Por kam bërë kërkesë që të hapet një konsullatë në Çamëri. Bushati i dëgjoi këto kërkesa por akoma nuk është gjë.

Bashkimi kombëtar…
Një nga ato gjëra që i kemi në themel të programit tonë, kemi bërë një propozim edhe në ndryshimet kushtetuese që po bëhen, kemi propozuar që për diasporën të ketë zona zgjedhore. Ka edhe modele tek fqinjët tanë. Realisht për sa i përket bashkimit kombëtar nuk kemi asnjë lloj intimidimi. E kemi detyrim kushtetues të punojmë për bashkimin kombëtar. Po shohim që jetojmë në një kohë globale dhe nuk besoj se dikush do të pengojë bashkimin tonë.

Integrimi europian përparësi absolute po nuk na pengon të punojmë dita-ditës. Programet e BE për të rritur kapacitetit midis nesh. Ne e kemi përparësi bashkimin kombëtar. Nuk do të thotë folklorizma por hapa dita-ditës. Abetarja u bë. Kjo është çështje kohësh dhe mënyre se si punojmë drejt saj. Kemi detyrë kombëtare dhe kushtetuese të heqim barrierat midis nesh.
Ne po flasim për bashkim politik, format do jenë federatë, konfederatë, nuk e përcaktoj unë sot.

Ne duhet të thyejmë barrierat ekonomike. Duhet të shohim ekonominë e 7 mln shqiptarëve si ekonomi të përbashkët. Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që nuk do të bashkohet.

Reforma zgjedhore, a keni një paketë propozimesh?
Do t’i referohem kushtetutës. Në kushtetutën e Shqipërisë vota është vetjake, e lirë e barabartë. Me kodin zgjedhor jemi me parimin stalinist. Me nxjerr një deputet në Tiranë duhen 3%, në Kukës 25%.

Mendoni se do keni mundësi ta kushtëzoni?
Neve na u hoq e drejta për të pasur numërues. Ne do hyjmë në votimin elektron ik dhe do kalojmë në lista të hapura ku vota e shqiptarëve të jetë e barabartë. Ne do bëjmë zgjedhje evropiane.

Si e mendoni se mund ta kushtëzoni PS dhe PS, se ata bëjnë dhe pakte. Mendoni se mund të imponoheni?
Për hir të të vërtetës nuk mendoj, sepse ata e kanë vënë veton e dy drejtuesve.

Si është drejtimi i të majtëve?
Është shumë larg pritshmërive të mija. Ekonomia është problemi më i madh. Dhe përqasja e qeverisë nuk ka qenë atje ku duhet dhe mungon prioriteti i saktë i qeverisë për sektorin e ekonominë. Ka një deprimim të konsumit dh nuk është një klimë e mirë që mungon dhe për shkak të aksioneve të qeverisë. Po merren më shumë me biznesin e vogël. Kësaj qeverie mungojnë resurset për të futur shumë investime për të futur.

E quani paaftësi?
Ky nuk është vetëm opinioni im. Në politikat ekonomike dhe fiskale qeveria ka gabuar

Për këtë maninë për koncesioneve, sic e percepton publiku, a keni një qëndrim?
Besoj se nuk është problemi tek koncesionet por tek transparenca. Bashkëpunimi ekonomik nuk është u gabuar, por perceptimi është se mungon transparenca. Do doja të dëgjoja shumë zërin e atyre që merren me zërin e atyre që merren me ekonomi dhe jo me zërin e opozitës. Shteti shqiptar nuk mund të delegojë për çështje të rëndësishme.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për reformën në drejtësi.

Më vjen keq, përgjegjësia e të dyja palëve. Ajo që më shqetëson është edhe mënyra e vendimmarrjes. Besoj që nëse ka një reformë shumë të rëndësishme, është kjo.

Kushtetuta…
Duhet ta kalojmë këtë reformë në referendum. Nuk jam shumë optimist për procesin, për kalimin e saj. Duhet referendum. Me miratimin e reformës në drejtësi nuk është se të nesërmen do vendoset drejtësia. Ne nuk jemi pjesë e kësaj tryeze, janë ata të mëdhenjtë.

Keni nisur procesin zgjedhor në parti, do jeni kandidat i vetëm?
Deri më 15 maj, çdo njeri që pretendon është i lutur të garojë për këtë post. Jam shumë i kënaqur nga fluksi i anëtarësimeve. Sadisfaksion kam marrë edhe nga anëtarësimet online. Është momenti për ta bërë sa më mirë këtë proces. Më 21 maj me parimin 1 anëtar 1 votë do të zgjidhen drejtuesit.

Nuk keni rival?
Deri tani jo, por besoj se do ketë.

Vizita e Erdogan, patët një takim kokë më kokë. I konfirmoni zërat që keni kontribuuar në afrimin e Erdogan me Ramën?

Jo nuk është e vërtetë. Kam pasur një kontakt me presidentin Erdogan kur kam qenë në Izmir të Turqisë. Në Izmir ka një komunitet shumë të madh çam por që nuk voton për Erdogan.

Çfarë interesi ka?
Unë jam edhe kreu i komisionit të miqësisë Turqi-Shqipëri. Nëse ka takim të hapur, ka qenë për këto gjëra.

Qytetar: A do bëhen investime për rrugët në Rrogozhinë?
Ka qenë bashki e lënë pas dore. Kreu i bashkisë është shumë aktiv dhe bashkë me të kemi bërë presion dhe kemi arritur të kthejmë vëmendjen në zonë dhe do ketë investime të rëndësishme, kryesisht në rrugë.

Qytetar: Kur do kenë të drejtë çamët të shkojnë në Greqi?
Shpejt, jo kalendash greke që do fitojmë të drejtat tona.

(m.k/ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: