Gjyqtari Engert Pëllumbi e cilëson një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm situatën e krijuar lidhur me moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve.

Në një deklaratë për “Kjo Javë” në News24, Pëllumbi argumenton se çështja nuk ka të bëjë me një ngërç teknik apo me mungesë fondesh, por me një vendimmarrje politike të pushtetit ekzekutiv, të cilën ai e konsideron si shkelje të Kushtetutës dhe të dispozitave përkatëse të Kodit Penal.

“Është precedent shumë i rrezikshëm. Jo vetëm që është në shkelje të dispozitave përkatëse të Kodit Penal, por është edhe shkelje e pastër e Kushtetutës. Është atentat ndaj themeleve të shtetit të së drejtës. Nuk ka ndodhur kurrë një precedent i tillë”, shprehet Pëllumbi.

Sipas tij, argumenti se moszbatimi i vendimit lidhet me mungesën e fondeve nuk qëndron, pasi deri në fund të vitit ekzistojnë fonde të parashikuara në buxhetin e institucioneve të drejtësisë.

Pëllumbi shpjegon se buxheti për institucionet e drejtësisë, përfshirë gjykatat, miratohet në fillim të vitit duke marrë në konsideratë edhe numrin e parashikuar të punonjësve. Në rastet kur organika nuk plotësohet, fondet e parashikuara për pozicionet vakante mbeten të pashpenzuara dhe, në fund të vitit, rikthehen në buxhetin e shtetit.

Sipas tij, pikërisht këto diferenca buxhetore mund të përdoren për të përballuar efektin financiar të zbatimit të vendimit deri në fund të këtij viti.

“Deri në fund të vitit nuk shtrohet fare diskutimi për probleme buxhetore, duke qenë se ne kemi qesen tonë të buxhetit. Nuk po marrim nga qeset e të tjerëve. Me pak fjalë, nuk po na lejohet të marrim nga qesja jonë”, deklaron gjyqtari.

Për vitin 2027 dhe vitet në vijim, Pëllumbi argumenton se efekti financiar duhet të parashikohet në ligjin e buxhetit nga Ministria e Financave, qeveria dhe Kuvendi.

Ai kundërshton gjithashtu termin “rritje pagash”, duke argumentuar se bëhet fjalë për zbatimin e një formule pagash të përcaktuar më parë.

“Kur thuhet rritje, është spekulim. Po kërkojnë atë që na takon, pagën që duhet të merrnim”, shprehet ai.

Sipas Pëllumbit, efekti financiar i ndryshimit të formulës do të nisë të ndihet në mënyrë të plotë nga viti i ardhshëm dhe institucionet përgjegjëse kanë kohë që ta parashikojnë atë në buxhet.

Ai e vlerëson barrën financiare në rreth 40 milionë euro, duke e krahasuar këtë shumë me fondet që, sipas tij, konfiskohen çdo vit nga GJKKO-ja në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar.

“Janë aq para sa GJKKO konfiskon çdo vit krimit të organizuar. Nuk është barrë e madhe, për të mos përmendur këtu paratë që shpërdoron ekzekutivi në lidhje me tenderat”, deklaron Pëllumbi.

“Nuk është ngërç buxhetor, është arrogancë e pushtetit”.

I pyetur nëse situata mund të konsiderohet një formë shantazhi ndaj sistemit të drejtësisë, Pëllumbi e sheh atë si një çështje politike dhe si një përplasje të drejtpërdrejtë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Është politikë, është arrogancë, është çështje inati për fitoren tonë në Gjykatën Kushtetuese”, shprehet ai.

Sipas gjyqtarit, presioni i ushtruar ndaj Gjykatës Kushtetuese nuk solli rezultatin e kërkuar dhe, në vijim, pushteti ekzekutiv ka zgjedhur një tjetër mënyrë reagimi.

Pëllumbi i referohet edhe deklaratës së mëparshme të Kryeministrit Edi Rama:

“Do na detyrojnë të gjejmë ndonjë ilaç tjetër”.

Sipas tij, moszbatimi i vendimit të Kushtetueses është pikërisht “ilaçi tjetër” i gjetur nga Kryeministri.

“Dhe ky ishte ilaçi që ka gjetur Kryeministri, të mos zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Çështje inati, kaq është e gjitha”, deklaron Pëllumbi.

Në përfundim, i pyetur nëse një situatë e tillë mund të konsiderohet normale në funksionimin e një shteti, gjyqtari përgjigjet:

“Është çështje inati funksionimi i shtetit? Në disa gjëra ne jemi ende primitivë.”

Deklarata e Pëllumbit vjen në një moment përplasjeje të fortë mes pushtetit ekzekutiv dhe sistemit gjyqësor, me në qendër zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyrën se si do të përballohet financiarisht efekti i tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb