NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE- Ka ikur nga Shqipëria rreth 15 vite më parë. Ka pasur sukses në skenat amerikane, ndërsa në Shqipëri emri i tij ka mbetur në hije. Balerini shqiptar me origjinë nga Delvina, ka interpretuar në teatrot e SHBA në “Pacifik”, “Arizona” apo “Majemi”. Kritikët e huaj e kanë cilësuar Astrit Zejnatin si një thesar të ardhur nga Shqipëria. “Ai ka një stil evropian, elegancë dhe përkulshmëri”, shprehej George Balanchine. Tashmë, ai do të jetë drejtor i Trupës Kombëtare të Baletit.

Një prezantim të shkurtër për të na e bën Ilir Kerni, drejtori i përgjithshëm i TKOB, duke u ndalur doemos edhe te ato çka pritet të jenë risitë e sezonit të ardhshëm.
Zejnati, ka treguar hapat e parë të tij në balet, duke e lidhur talentin me familjen. “Babai im ishte violinist, ai më lidhi me baletin. Kam studiuar në Shkollën e Baletit në Shqipëri. Prova e parë që bëra përpara profesorëve ka qenë në moshën 9-vjeçare, provë që konsistonte në fleksibilitetin e këmbëve dhe elasticitetin tim, të cilat, nuk ishin të gjitha në formën më të mirë në atë kohë, por megjithatë ata pëlqyen mënyrën se si unë e ndjeja muzikën dhe sillesha me të”. Prej asaj dite, ai la Delvinën dhe erdhi drejt Tiranës, ku mësimet në balet zgjatën tetë vjet. “Të gjithë mësuesit e mi kishin ndjekur modelin e shkollës sovjetike. Me ta kemi studiuar karakteret botërore, karaktere të folkut, baletit, pianos dhe mandolinës”, – ka rrëfyer ai. Ilir Kerni, flet për të dhe për operën, ku ka rikthime dhe projekte që nisin nga rikonstruksioni e deri te problemet e artistëve, që kanë të bëjnë me ligjin për pensionet.

-Cilat do jenë ndryshimet në opera sezonin e ardhshëm?
Do të kemi sezon me evente që do të shënojnë jetën artistike jo vetëm të Tiranës por të Shqipërisë… Edhe më shumë se kaq, në këtë sezon i një rëndësie të veçantë është ligji për pensionin e artistëve dhe mbi të gjitha i shumëprituri, rikonstruksioni total i TKOB-it, në fakt ngjarje historike. Gjithçka që po bëhet për artin në këtë vend është investimi më gjurmëlënës, por edhe sinjali më i mirë i qytetarisë së munguar dhe aq i dëshiruar për të gjithë. -Do vijë pranë Operës Astrit Zejnati. Një drejtor baleti si ai, me eksperienca në skena të mëdha, sa mund t’i japë operës? Astrit Zejnati, nga vetë koha mori bekimin për t’u quajtur artist i vërtetë. Kanë qenë vetëm talenti dhe puna e tij, që e bënë t’i rezistojë me sukses konkurrencës së pamëshirshme në profesionin tonë të vështirë si prima-balerin, aq më tepër në SHBA. Eksperienca e tij e madhe në teatër është ajo që i duhet sot TKOB-it, duke marrë gjithë përgjegjësitë që i takojnë drejtorit artistik të trupës kombëtare të baletit…

-Priten përmirësime?
teatri nuk ka kohë të humbë! Në drejtim duhen njerëz kompetentë që bëjnë punë me vullnet e pastërti, pavarësisht vështirësive. Sistemi i sotëm në teatër është puna në ekip; kush del nga sistemi, humbet ekipin, pra humbet gjithçka. Astrit Zejnatin do ta kem bashkëpunëtor të ngushtë në rrugëtimin tonë pasionant, ndershëm me profesionin, për teatrin serioz të së nesërmes me nivel të lartë.

-Në fakt, janë rikthyer disa artistë, për shfaqje të caktuara; këtë herë, dikush rikthehet për të qëndruar?
Kthimi i Astritit ngjan me atë çka ndodhi 60 vjet më parë kur u themelua TKOB-i nga “hiçi”… Sot jemi në avantazh të madh në krahasim me atë kohë, sepse kemi teatër të konsoliduar këtu, por edhe me një kontingjent të madh artistësh të shpërndarë, “huazuar botës”, të cilët në një formë apo në tjetër po japin kontribut të çmuar për teatrin. Përfytyroni sikur të ishim shtet ekonomikisht i fuqishëm e t’i mblidhnim të gjitha potencialet artistike shqiptare në TKOB, do të ishim superfuqi artistike… Mbase një ditë edhe mund të ndodhë… Gjithsesi, për 18 muaj u mblodhën në skenën e TKOB-it e gjithë ajka e artit shqiptar, dhe kjo s’duhet harruar, përkundrazi, mbetet fenomeni më mbresëlënës shpirtëror që ndodhi në Shqipëri këtë periudhë. Rikthimi vazhdon, është koha e TKOB!

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb