TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shigjetuar kryeministrin Edi Rama dhe tezën e hedhur së fundi për ndikimin rus në Shqipëri dhe parjen e këtij ndikimi si shkak për situatën në vend. Në një aktivitet social, Meta tha se nuk duhet ta katandisim rrezikun rus si rrezikun anglo-amerikan në periudhën e të kaluarës për të fshehur shkaqet e vërteta të kësaj krize kushtetuese, politike, morale përfaqësimi.

Ai tha se kriza është e krijuar nga politika dhe kërkon reflektim nga të gjithë.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm për ndikimet shpesh toksike për fat të keq të Rusisë në rajonin tonë, por nuk besoj se ky është një problem në rastin e Shqipërisë. Ne do të donim që Rusia të respektojë zgjedhjen e të gjithë popujve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO, por është e drejta e saj të reagojë ndryshe.
Gjithsesi, nuk duhet ta katandisim rrezikun rus si rrezikun anglo-amerikan në periudhën e të kaluarës për të fshehur shkaqet e vërteta të kësaj krize kushtetuese, politike, morale përfaqësimi, të cilat janë të krijuara nga ne dhe kërkojnë reflektim nga të gjithë”, deklaroi kreu i Shtetit

Duke folur sot në konferencën e titulluar “Kundër kulturës së mënjanimit, në dobi të kulturës së dashurisë” Meta tha se shoqëria duhet të tregohet më e përgjegjshme dhe të ndihmojë personat që kanë nevojë për trajtim njerëzor dhe mjekësor.

Presidenti Meta duke marrë si shembull humanizmin e Nënë Terezës, pohoi se dashuria ndaj njëri-tjetrit duhet të kultivohet, ndërsa tema të tilla shtoi ai, duhet të jenë në tryeza shkencore dhe në biseda në mediat audio-vizive.

“Kujdesi palietiv, na mëson se çdo i sëmurë ka nevojë  për të gjithë ne dhe të trajtohet me dinjitet deri në fundin e tij. Familja shqiptare nuk është më ajo ku brezat jetojnë së bashku, vitet e fundit shumë qytetarë janë larguar dhe kanë lënë prindërit në Shqipëri.

Këta kanë nevojë për shërbimin dhe kjo mbetet një detyrë e jona. Tema që po diskutojmë sot të behët pjesë në debatin publik në media, veçanërisht në atë vizive. Është e nevojshme të hartojmë politika të nevojshme sociale” tha mes tjerash, Presidenti Meta, në fjalën e tij tek Universitetit  “Zoja e Këshillit të Mirë’ .

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb