Kryetari i bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu i bëri thirrje gjyqësorit që të përballet me abuzimin e qeverisë turke ndaj gjykatave për të urdhëruar ndalimin e tij.

“Unë u bëj thirrje gjithashtu dhjetëra mijëra prokurorëve dhe gjykatësve të ndershëm… Ju duhet të ngriheni dhe të merrni masa kundër atyre kolegëve që po rrënojnë drejtësinë… ju nuk mund dhe nuk duhet të heshtni. Ju nuk mund dhe nuk duhet të heshtni”, shkruan ai në llogarinë e tij X në një mesazh të transmetuar përmes avokatëve të tij.

Imamoglu, i cili u arrestua në një bastisje të paparalajmëruar në shtëpinë e tij në Stamboll më 19 mars, po hetohet në dy raste të veçanta që përfshijnë akuza për korrupsion dhe lidhje me terroristët.

53-vjeçari, i cili u rizgjodh vitin e kaluar, do të shpallet si kandidati i partisë kryesore opozitare CHP për garën presidenciale të vitit 2028.

Në mesazhin e tij, Imamoglu i drejtohet Erdoganit pa e përmendur emrin, duke thënë: “Ti po synon gjithë ekzistencën time, punën time dhe ndërmarrjen që familja ime dhe unë kemi ndërtuar gjatë tre brezave”.

Ai gjithashtu i bëri thirrje publikut që të shprehet kundër padrejtësisë.

“Si komb duhet të bashkohemi kundër kësaj të keqeje”, tha ai.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb