Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Ina Zhupa, Turizmin dhe Diasporën, ka reaguar ndaj publikimit të “Flamingo Mirror” nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar atë si “pasqyrë propagandistike” dhe jo si transparencë reale.
Zhupa deklaron se qytetarët dhe institucionet europiane kanë kërkuar shfuqizimin e ligjit 21/2024, ndërsa ajo thotë se nisma e saj për shfuqizimin është depozituar në Kuvend që më 14 maj.
Zhupa ngre gjithashtu pikëpyetje për publikimin e dokumenteve që lidhen me Pishë Poro–Nartën dhe veçanërisht me ndërhyrjet në Zvërnec, duke kërkuar transparencë për aplikimin për leje ndërtimi infrastrukture, vendimin e KKT-së dhe dokumentet e plota të procedurave, lejeve dhe vlerësimeve.
“Flamingo Mirror është pasqyra e propagandës, jo transparenca që kërkojnë qytetarët”, shprehet Zhupa, duke kërkuar publikimin e plotë të dokumentacionit.
Reagimi i Ina Zhupës:
Qytetarët kërkojnë shfuqizimin e ligjit 21/2024. Edi Rama u ofron një pasqyrë propagandistike si Flamingo Mirror!
Edi Rama tenton t’i bëjë qytetarët për budallenj me receta të gatshme propagande.
Ndërkohë që kërkesat për shfuqizimin e ligjit 21/2024 janë bërë nga qytetarët dhe institucionet europiane, dhe janë depozituar në kuvend nga unë që në 14 Maj, Rama zgjedh të na shesë si “transparencë” publikimin e vetë ligjit në një tjetër faqe.
Pastaj, për ta plotësuar recetën, publikon edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e la në fuqi ligjin 21/2024, një vendim i turpshëm që e rrëzoi vetë rezoluta e parlamentit europian.
Transparenca vazhdon VKM nr. 596, për Pishë Poro–Nartë, për të cilin kemi depozituar ankim në Gjykatën Kushtetuese. Kjo VKM ndryshoi regjimin e mbrojtjes së zonës, kaloi statusin nga kategoria IV në kategorinë V dhe eliminoi nënzonimin e mëparshëm. Pikërisht këto ndryshime janë sot objekt kundërshtimi por për Ramën çelësi i ndërtimit.
Kjo është tallje e madhe!
Po edhe dokumentat nuk janë të plota, nëse qëllimi është thjesht transparenca, pse nuk publikohen të gjitha?!
Pse nuk publikohen dokumentet që tregojnë çfarë ndodhi realisht në Zvërnec, që u rrethua, hynë kamionë dhe fadroma?
Pse nuk publikohen Aplikimi nr. 3218 Prot., datë 28.04.2026, për Leje Ndërtimi Infrastrukture për rrethimin dhe punimet përgatitore në funksion të rrugëve të aksesit?
Pse nuk publikohet Vendimi nr. 05, datë 29.04.2026, i Këshillit Kombëtar të Territorit, me të cilin është miratuar kjo leje?
Pse nuk publikohen të gjitha dokumentet e procedurave, lejeve, vlerësimeve dhe vendimmarrjeve që lidhen me ndërhyrjet në këtë zonë?
Dhe pse nuk publikohet gjithçka që lidhet me projektet e Zvërnecit të paraqitura në “The Albanian Files”?
Kjo është transparencë me regji. Flamingo Mirror është pasqyra e propagandës, jo transparenca që kërkojnë qytetarët.
Qytetarët e dinë shumë mirë gjendjen. Nuk kanë nevojë për një pasqyrë që t’u tregojë gjendjen e mjerueshme. Kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës si e vetmja rrugë për të ndryshuar gjendjen dhe për mbrojtur vendin.
