Emisioni “Në Shënjestër”i gazetares Klodiana Lala në News24 do të trajtojë sot çështjen e inceneratorit të Tiranës, ku 15 zyrtarë shtetërorë u vunë në prangat e SPAK.

Në pranga gjithashtu edhe Taulant Tusha, drejtor në Bashkinë Tirana. Ndërkohë, Lefter Koka dhe Allqi Bllako përballen me akuza të reja.

Në aferën e inceneratorit te Tiranës, janë. miliona euro të shpërdoruara . Hetimi nisi në tetor të vitit 2020.

Pjesa e parë e dokumentarit:

Ky është inceneratori i Tiranës. Në fakt duhet të ishte i tillë, pasi këtu nuk ka ekzistuar kurrë një djegës i ngjashëm për mbetjet urbane.

Përveç një mali me mbetje urbane dhe të një grope të quajtur landfill, që ka shërbyer jo vetëm si e tillë, por edhe si një gropë thithëse për miliona euro, të cilat tashmë rezulton se kanë shkuar në xhepat e disa biznesmenëve të lidhur me pushtetin.

Aferë që së fundmi ka çuar në prangat e SPAK, 15 zyrtarë shtetërorë, midis tyre edhe Taulant Tushe, drejtori i punëve publike në Bashkinë e Tiranës, por ka ngritur edhe një herë stekën e akuzave për disa prej personazheve kryesorë të megafërës së inceneratorëve, si Leftër Koka apo Alqi Bllako, të cilët jo vetëm po vuajnë ndërkohë dënimin për përfshirjen e tyre në inceneratorin e Fierit dhe të Elbasanit, por duhet të përballen edhe me akuza të reja, për implikimin e tyre si zyrtarë shtetërorë në inceneratorin e Tiranës.

Por cili është roli i këtyre personazheve në këtë aferë, që pritet ta trondisë edhe njëherë nga themelet politikën në Shqipëri? Cila është lidhja e tyre me biznesmenin Klodian Zoto, emri i të cilit del edhe në aferën e dy inceneratorëve të tjerë, të cilët tashmë akuzohen për disa akuza, shpërdorim detyre, korrupsion parash dhe deri te mashtrim me pasoja të rënda.

Përpara se të shkojmë te roli i këtyre zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe se si Klodian Zoto, sipas SPAK, i kishte vënë në rresht, të firmosnin çfarë ai donte, është me vend të ndalemi fillimisht te vetë krijesa me emrin inceneratori i Tiranës. Dhe se si kjo krijesë që nuk lindi kurrë, i kthye në një monstër për buxhetin e shtetit, duke përlarë nga aty miliona euro, që vetëm për incenerator nuk shkuan.

Sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, hetimi për inceneratorin e Tiranës, nisi në muajin tetor të vitit 2020, pas një kallëzimi atë kohë të dorëzuar në SPAK, nga Partia Demokratike, ku të paditur ishin kryeministri Edi Rama, ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj si edhe dy biznesmenët, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Një incenerator që në fakt kontrata koncesionare ishte lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë ‘Integrated Energy BV S.P.V’ sh.p.k, më datë 31 Gusht 2017, por që fillesat duket se i ka shumë më herët se kaq, që në vitin 2015.

Periudha kur Bashkia Tiranë përmes një shkrese dërguar Ministrisë së Mjedisit më 23 Dhjetor 2015, njofton këtë dikaster se Bashkia në fjalë së bashku me Koorporatën Ndërkombëtare Financiare /International Financial Coorporation (IFC), kanë përfunduar studimin për përmirësimin e shërbimit dhe trajtimit të mbetjeve në qytetin e Tiranës. Është pikërisht kjo shkresë në të cilën Bashkia e Tiranës, shpreh pikëpamjen e saj, edhe mbi mundësinë e përfshirjes së sektorit privat nëpërmjet skemës së PPP, apo ndryshe Partneritetit Publik Privat.

Ndërkohë, që po nëpërmjet të njëjtës shkresë, Bashkia e Tiranës informon Ministrinë e Mjedisit, në atë kohë të drejtuar nga Lefter Koka, se opsioni i zgjerimit të Landfillit të Sharrës është vlerësuar dhe nga ekspertët e Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

Pa kaluar tri muaj nga kjo shkresë, në muajin mars të vitit 2016, bashkërendimi i punëve midis dy institucioneve, në këtë rast Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Mjedisit, kalon në një stad më të avancuar. Tashmë stafet teknike të këtyre dy institucioneve, kanë arrtur në mendimin se është koha që të ngrihen dy grupe të përbashkëta pune, dhe se kjo procedurë të vazhdohet nga Ministria e Mjedisit.

Ndërsa duket se deri këtu nuk ka pasur asgjë të dyshimtë që mund të krijonte bindjen qoftë edhe sadopak të një afere korruptive, SPAK zbulon se biznesmeni Klodian Zoto, administratori dhe aksioneri i shoqërisë ‘Integrated Technology Services’, i cili është edhe përfituesi më i madh i fondeve për inceneratorin e Tiranës, kishte dijeni për çdo lëvizje brenda këtyre dy dikastereve.

Madje ai kishte dijeni për shkresën që Ministria e Mjedisit do t’i dorëzonte Bashkisë Tiranë, një ditë përpara se kjo letër ti shkonte vetë këtij dikasteri, çka tregonte edhe për padurimin e tij, që kjo aferë të shkonte sa më shpejt përpara.

Sipas SPAK, ky fakt provohet edhe nga ekspertimi i lap-topit të Klodian Zotos, kompjuter që biznesmenit iu sekuestrua në vitin 2021, ku nga akt-ekspertimi që iu bë një vit më pas, dhe komunikimet me e-mail që ai kishte me Vladimir Bezhanin, ish-këshilltar i jashtëm i Ministrit të Mjedisit Lefter Koka, rezulton se ai e informonte Zoton për çdo shkresë të shkëmbyer midis Ministrisë së linjës dhe Bashkisë Tiranë, në lidhje me inceneratorin e Tiranës.

Ndërkohë që Bezhani pavarësisht se ishte larguar nga Ministria e Mjedisit në vitin 2014, vazhdonte të përdorte emailin zyrtar të Ministrisë në fjalë, duke shkëmbyer me dhjetra emaile me Klodian Zoton.

Si këto emaile të vitit 2016, të administruara tashmë nga SPAK, apo edhe ky email tejet i ngrohtë midis të dyve, ku Ladi, Vladimir Bezhani, pasi e informon Zoton për zhvillimet më të fundit për Master Planin e Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta në Tiranë, i uron këtij të fundit edhe një javë të këndshme në vazhdim me familjen.

“‘Përshëndetje Klodi,

Po të dërgoj Master Planin për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta Urbane të Tiranës, hartuar nga JICA (Japonezët). Është një material tepër i plotë, që do të na shërbej edhe për studimin e fizibilitetit përfundimtar, pavarësisht opsionit që do të përzgjidhet.

Kalofsh një fund javë të këndshme me familjen. Ladi.’”, thuhet në mesazhin e Vladimir Bezhanit për Klodian Zoton.

Por, ndërsa Vladimir Bezhani, kishte këtë shkëmbim emailesh me Klodian Zoton, si këshilltar i jashtëm i ministrit të kohës së Mjedisit, Lefter Koka, interesant është fakti se njëkohësisht në konflikt të pastër interesi, ai ishte i punësuar në vetë kompaninë me administrator Zoton. Pra në kompaninë ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k, që më pas do të fitonte edhe konceisionin e inceneratorit të Tiranës.

Se si mund të ndodhte një gjë e tillë, këtë e dinin vetëm personazhet që ndërkohë po gatuanin në tenxheren e tyre, këtë PPP jo vetëm të kushtueshme, por edhe me qëllime grabitqare për financat e shtetit.

Vetë Vladimir Bezhani, pohoi përpara oficerëve të SPAK, se këtë rol të dyfishtë ia kishte kërkuar Alqi Bllako, në atë kohë shërbente si Sekretar i Përgithshëm në Ministrinë e Mjedisit, ndërsa më vonë si deputet i Partisë Socialiste dhe sot pas hekurave i dënuar fillimisht me 4 vite burgim për inceneratorin e Fierit. Dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar si përfundim iu konvertua në vetëm 2 vite e 8 muaj, privim nga liria.

“Në vitin 2014 unë kam qenë i punësuar pranë Ministrisë së Mjedisit, me pozicionin ‘Përgjegjës Sektori i Menaxhimit të Mbetjeve’, me detyrë kryesisht në hartimin e politikave të menaxhimit të mbetjeve.

Këtë detyrë e kam ushtruar deri më datë 7 Nëntor 2014, kohë në të cilën dola edhe në pension.

Pozicionin si Këshilltar i Jashtëm i Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka,  ma propozoi Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, Alqi Bllako.

Por duke qenë se kjo detyrë nuk paguhej dot nga Ministria e Mjedisit, Alqi Bllako më propozoi që për të marrë pagën si këshilltar i jashtëm i ministrit, unë të punësohesha në kompaninë e Klodian Zotos, ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k.

Në kompaninë e Klodian Zotos unë jam paguar  me 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë. Ku si detyrë kisha të zgjidhja problemet teknologjike. Pozicion të cilin e kam mbajtur deri në fundin e vitit 2021.”, thuhet në dëshminë e Vladimir Bezhanit.

I pyetur se cili ishte roli i tij si këshilltar i Jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në lidhje me inceneratorin e Tiranës, dhe cilat ishin informacionet që kalonte te kompania e Klodian Zotos, Bezhani u përgjigj se kryesisht ai e mbante në dijeni këtë kompani lidhur mbi anën teknike të projektit.

“Unë kam punuar në shoqërinë ‘Integrated Technology Sevices; sh.p.k, në pronësi të shtetasit Klodian Zoto, nga viti 2014 deri në vitin 2021. Ku deri në vitin 2017 nuk kam pasur kontratë pune. Pasi përfundoi procedura e dhënies së inceneratorit, unë lidha kontratë formale pune me shoqërinë e Klodian Zotos.

Përsa i përket inceneratorit të Tiranës, unë kryesisht kam dhënë informacione në lidhje me sasinë e mbetjeve të qarkut, strukturën e mbetjeve që do të trajtohej në këto impiante, si edhe për projektin e landfillit.”, ka dëshmuar më tej Vladimir Bezhani.

Por fakt është që Klodian Zoto e dinte për projektin e inceneratorit të Tiranës, përpara se edhe vetë Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Mjedisit të investoheshin të paktën me shkresa, për të nisur procedurat për dhënien e konceisionit, këtë fakt e vërteton edhe një email midis Vladimir Bezhanit dhe Klodian Zotos, në vitin 2015.

Pra një vit para se të firmosej inceneratori i Tiranës, ku Bezhani e vë në dijeni Zoton për sasinë e mbetjeve që depozitohej në Landfillin e Sharrës, për vitin 2015.

“I pyetur për komunikimet që kanë rezultuar me shtetasin Klodian Zoto në lidhje me sasitë e mbetjeve të depozituara në landfillin e Sharrës gjatë vitit 2015, shtetasi Vladimir Bezhani deklaron se ia ka nisur këto të dhëna shtetasit Klodian Zoto, pasi këtij të fundit i duheshin për të hartuar një studim fizibiliteti.

Ai më tej sqaron se Klodian Zoto nuk kishte asnjë mundësi të hartonte një studim fizibiliteti të tillë. Pasi edhe studimin që kishte ia kishte hartuar një kompani italiane.”, thuhet në dosjen hetimore.

Por hijet e skandalit zgjaten edhe më përtej në skutat e labirinthit të këtij inceneratori, iku në skenë tashmë del biznesmeni tjetër, Mirel Mërtiri, i cili edhe ky është dënuar nga GJKKO, me 3.2 vite burgim për inceneratorin e Elbasanit. Kjo nga 10 vite heqje lirie që SPAK kërkoi për të.

Sipas Vladimir Bezhanit, menjëherë pasi shoqëria ‘Integrated Energy BV S.P.V’ sh.p.k, në pronësi të Klodian Zotos, u shpall fituese e koncesionit të Inceneratorit të Tiranës, Mirel Mërtiri paraqiti ndërkohë të gjithë projektin e skicuar në letër. Ku ndër të tjera ishte edhe impianti i riciklimit të mbetjeve, një teknologji shumë e përparuar.

 “Hetimi ka zbuluar se Ministria e Mjedisit ka patur komunikime të mëhershme me kompaninë e Zotos, përpara se Ministrisë t’i bëhej propozimi i pakërkuar nga kjo shoqëri.

Shkresat që Zoto dërgonte në Ministri, rezulton se ishin hartuar nga këshilltari i Lefter Kokës, Vladimir Bezhani.

Shkresa të cilat më pas i dërgoheshin edhe Mirel Mërtirit.”, thuhet në dosjen hetimore.

Pra siç vihet re komunikimet midis kompanisë së Zotos dhe Ministrisë së Mjedisit, kanë nisur përpara se kjo kompani ti bënte propozimin e pakërkuar kësaj ministrie, ku në shkresën kthim-përgjigje të Ministrisë së Mjedisit për propozimin e pa kërkuar, është në dijeni edhe Bashkia e Tiranës.

“Nga të dhënat e gjetura në kompjuterin e Klodian Zotos, rezulton se në momentin kur është dërguar letër interesi në Ministrinë e Mjedisit, shoqëritë ‘Energy Recuperator S.P.A’, ‘Paul Ëurth Italia S.P.A’ dhe ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k, ende nuk e kishin hartuar studimin e Fizibilitetit.

Vetëm në gusht të vitit 2016, Ministria e Mjedisit iu është drejtuar Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO), për caktimin e anëtarëve të komisionit të dhënies së koncesionit. Por ende duke mos patur një projekt konkret të dorëzuar nga këto tre shoqëri.”, thuhet në dosjen hetimore.

Dhe sikur të mos mjaftonin të gjithë këto shkelje, më 31 gusht 2016, shoqëria holandeze ‘Integrated Energy B.V’, në shkresën e saj dërguar Ministrisë së Mjedisit dhe për dijeni Bashkisë Tiranë, nuk vendos nënshkrimin e përfaqësuesit të shoqërisë.

Po kështu nuk e përcjell me dokumentacion shoqërues, por vetëm me një vulë në fund të saj.

Ndërsa vetëm një ditë më pas, Bashkia Tiranë  i konfirmon Ministrisë së Mjedisit, se kishte caktuar anëtarët e komisionit të Dhënies së Koncesionit, midis të cilëve figurojnë edhe Taulant Tushe, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike si dhe Namik Simixhiu, Drejtor i Drejtorisë së Pastrimit të Mbetjeve Urbane.

Ndërkohë që Klodian Zoto, mbante komunikime me email edhe me Valbona Ballgjinin, në këtë kohë Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Mjedisit si dhe Alba Thoma, me detyrë Drejtoreshë Juridike ne këtë institucion.

“Rezulton se nga shoqëria holandeze ‘Integrated Energy BV’ nuk është nisur në rrugë zyrtare dokumentacioni i kërkuar nga Ministria e Mjedisit.

Ky dokumentacion është nisur nga Klodian Zoto nëpërmjet adresave të email-it privat tek Valbona Ballgjini dhe Alba Thoma.

Po kështu rezulton se në datën kur është dërguar email-i, Valbona Ballgjini ende nuk ishte emëruar nga Autoriteti Kontraktor në Komisionin e dhënies së koncesionit.”, thuhet në dosjen hetimore.

Por edhe pse Autoriteti Kontraktor nuk e kishte shpallur ende zyrtarisht komisionin e dhënies së konceisionit, Klodian Zoto duket se ishte gjithmonë një hap përpara zhvillimeve që po ndodhnin nëpër dikastere, ku edhe në këtë rast ai që del si guri lëvizës, është Alqi Bllako.

Ashtu si në rastin e ish-drejtoreshës së Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Mjedisit, Alba Thoma, ku në adresën e emailit të saj personal u zbulua dokumentacion në lidhje me procedurën e dhënies koncensionit të Inceneratorit të Tiranës, e cila tha se nuk e dinte se kush ia kishte vënë në dispozicion apo se kush i kishte thënë Klodian Zotos ti niste dokumentet e mësipërme.

“Dokumentacioni fizik është përcjellë në Ministrinë e Mjedisit zyrtarisht në ‘hard copy’, përpara se të nisej me email tek adresa e ime personale. Mua më ka orientuar Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, që të komunikoj herë pas here me përfaqësuesin e shoqërisë propozuese, shtetasin Klodian Zoto, që t’i siguronte informacionet e nevojshme që nevojiteshin për të konceptuar shkresat përkatëse dhe më pas për t’ja përcjellë Minisrisë së Financave apo insitucioneve të tjera të përfshira në këtë procedurë, kur ishte nevoja.

Me Klodian Zoton më ka prezantuar Alqi Bllako që në procedurën koncesionare të Inceneratorit të Elbasanit.”, ka dëshmuar Alba Thoma.

Por, Alba Thoma nuk është e vetmja e cila komunikon me Klodian Zoton, siç rezulton me tej nga hetimet e SPAK, Etleva Kondi, është një tjetër zyrtare që informon Zoton me email, lidhur mbi procedurat e inceneratorit, uke vënë kështu në pah kësisoj se si shteti tashmë ishte vendosur në dispozicion të plotë të pronarit të ‘Integrated Technology’….

“Me urdhrin Nr.169, datë 5 Shtator 2016, të Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, është ngritur komisioni për dhënien me koncesion/PPP, me objekt: ‘Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë’.

Katër ditë pas ngritjes së komisionit, Etleva Kondi i ka përcjellë Klodian Zotos, me email dokumentacionin që përmbante hapat që do të ndiqeshin për dhënien e një koncesioni të projektit.

Klodian Zoto këtë dokument ia ka përcjellë po atë ditë Valbona Ballgjinit, duke ndryshuar vetëm emërtimin e titullit të tabelës: ‘Hapat procedurialë-dhënia me koncesion e ndërtimit dhe administrimit të impjantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut Tiranë dhe prodhim energjie’.”, thuhet në dosjen hetimore.

Pra, nga hetimi rezulton se  Etleva Kondi dhe Valbona Ballgjini kanë pasur komunikime të shpeshta me Klodian Zoton, duke i dhënë këtij të fundit konsulencë juridike për hapat e ndjekjes së procedurës së dhënies së koncesionit.

Vetëm katër ditë më pas, Komisioni i dhënies së koncesionit ka mbajtur procesverbalin së parë, kanë shqyrtuar propozimin e pa kërkuar të kompanisë së Klodian Zotos. Ndërsa më 20 Shtator 2016, në mbledhjen e dytë, të pranishëm janë edhe përfaqësues të shoqërisë propozuese, të cilët kanë bërë një prezantim të studimit të fizibilitetit, të dorëzuar nga kjo shoqëri pranë Ministrisë së Mjedisit.

Pikërisht në këtë mbledhje, Bashkia e Tiranës, shpreh pamundësinë e saj për të përballuar kostot e projektit, kjo sipas tyre, pasi tarifa e pastrimit që mblidhet nga ky institucion nuk mjaftonte për të përballuar as shpenzimet që kishte në atë moment Bashkia Tiranë, duke kërkuar që i gjithë projekti të implementohet nga konceisionari në masën 100 përqind.

“Përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë kanë kërkuar mundësinë e financimit në masën 100% të kostove të depozitimit të mbetjeve në impiant, jo vetëm për ta, por edhe për bashkitë e tjera të Qarkut Tiranë.

Së paku për 4 vitet e para të projektit, pasi mendonin që me ndarjen e re territoriale do të ishin në gjendje të përballonin një pjesë të kostove të menaxhimit të mbetjeve urbane të Qarkut Tiranë.”, thuhet në dosjen hetimore.  

Pikërisht, brenda 8 ditëve nga mbledhja e parë, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, del se i ka kërkuar mendim Ministrisë së Financave duke theksuar se për 8 vitet e para, Bashkitë e Qarkut Tiranë, konkretisht ato Tiranë, Vorë, Kamëz dhe Kavajë nuk disponojnë të ardhura të mjaftueshme për depozitimin e mbetjeve në impiant dhe për këto arsye propozohet që për këto 8 vite, këto institucione të mbështeten financiarisht nga qeveria qendrore.

 “Më datë 4 nëntor 2016, Komisoni ka vendosur se studimi ekonomik i paraqitur nga shoqëria, i plotësonte elementet ligjorë.

Dhe për këtë arsye ka vendosur t’i propozojë Ministrisë së Mjedisit hartimin dhe fillimin e procedurave për dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve shoqërisë propozuese.

Tri ditë pas kësaj mbledhje Lefter Koka i dërgon shkresa disa ministrive, si Drejtësia, Financat, Turizimit,  Ministrisë së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ministrisë së Energjisë, ku kërkon që shoqërisë ‘Integrated Energy BV’ t’i jepej bonus prej 8 % të pikëve, në rast se ai merr pjesë në garë.

Në këtë relacion përshkruhet se projekt idea është me interes publik dhe paraqitet si propozim i pa kërkuar nga shoqëria ‘Integrated Energy BV’ sh.p.k.”, thuhet në dosjen hetimore.

Por skandali qëndron në faktin që shoqëria ‘Integrated Energy BV’, nuk ka qenë ndonjëherë e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, por rezulton se më datën 31 Gusht 2017, në QKB është regjistruar shoqëria ‘Integrated Energy BV S.P.V’ sh.p.k.

Datë që përkon edhe me atë të lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë fituese të koncesionit, ‘Integrated Energy BV S.P.V’ sh.p.k dhe Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Mjedisit.

Sipas shkresave të zbuluara nga SPAK, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, në atë kohë Ermonela Felaj, që më vonë do të bëhej një nga mbrojtëset më të flakta të aferës së inceneratorëve, i ka kthyer përgjigje kolegut të saj Lefter Koka, duke u shprehur se nuk konstatohet që shoqëria ‘Integrated Energy BV’ sh.p.k, të jetë e regjistruar në QKB.

Nga dokumentet e administruara nga SPAK rezulton se në kundërshtim me një vendim të Këshillit të Ministrave: ‘Nuk është mbajtur raporti përmbledhës i propozimit që duhet të bënte Komisioni i Dhënies së Koncesionit, për dhënien e bonusit prej 8 pikësh, shoqërisë propozuese ‘Integrated Energy BV’.

“Me Vendimin e Këshillit të Ministrave, nr.855, datë 07.12.2016, ‘Për miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë për dhënien me koncesion për ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitim te vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë’, i është akorduar bonusi prej 8% të pikëve shoqërisë “Integrated Energy BV”, për rezultatin teknik dhe financiar.”, thuhet në dosjen hetimore.

Siç rezulton nga hetimi të gjitha korespodencat që Alba Thoma, nën cilësinë e Drejtoreshës së Drejtorisë Juridike në Ministrisë së Mjedisit mbante me Alda Klosin, Drejtoreshë në Ministrinë e Financave, i kalonte nga adresa e saj zyrtare në atë personale dhe prej andej ia përcillte Klodian Zotos, ku bashkërendonte punët me Klodian Zoton në lidhje me kërkesat për procedurën e dhënies së koncesionit.

“Ministria e Mjedisit nuk rezulton që të ketë kryer ndonjë studim tregu mbi koston e kontraktimit të një shoqërie, dhe aq më tepër që vlera të shkonte rreth 3 000 000 euro.

Pavarësisht konstatimeve të Ministrisë së Financave, e cila ka kërkuar që para se të shpallej procedura koncesionare, të ishin bërë rregullimet dhe sqarimet përkatëse nga ana e Ministrisë së Mjedisit, rezulton se është vijuar me studimin e fizibilitetit të njëjtë me atë që ka dorëzuar shoqëria propozuese.”, thuhet më tej në dosjen hetimore.

Por këto vetëm disa nga hijet e skandalit me inceneratorin e Tiranës. Pasi në vazhdim, siç shikohet edhe më tej, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit atë kohë, Alqi Bllako, nuk ka denjuar as të marrë mendimin e bashkive të tjera që ndodhen në qarkun e Tiranës, duke injoruar plotësisht qëndrimin e tyre dhe shkelur ligjin. E vetmja bashki që është pyetur në këtë rast është ajo e Tiranës, e cila ka dhënë menjëherë pëlqimin e saj për studimin e fizibilitetit.

“Në shkurt të vitit 2017, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, i është drejtuar me kërkesë Bashkisë Tiranë, për miratimin e vazhdimit të procedurës koncesionare.

Nga aktet rezulton se Bashkitë Vorë, Kamëz, Rrogozhinë nuk disponojnë dokumentacion apo korrespodenca të mbajtura në lidhje me procedurën koncesionare.

Sa i përket Bashkisë Kavajë, konstatohet se korrespondenca më e hershme e këtij institucioni me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, fillon me datë 21 Dhjetor 2017.

Pra disa muaj pasi ishte lidhur kontrata koncesionare me shoqërinë propozuese.

Në mars të 2017 Ministria e Financave i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Mjedisit, duke i kërkuar që të marrë miratimin nga Qarku Tiranë, pasi ai projekt do të prekte gjithë Qarkun e Tiranës.

Me datë 27 mars 2017, Kryetari i Bashkisë Tiranë i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Mjedisit duke u shprehur dakord me studimin e fizibilitetit të paraqitur nga Ministria e Mjedisit.”, thuhet në dosjen hetimore.

Por një pikat më të diskutueshme në dhënien e konceisionit për ngritjen e inceneratorit të Tiranës, ka qenë mënyra e përllogaritjes së tarifës prej 29 euro për ton, që duhet të paguajnë Njësitë e Qeverisjes Vendore për depozitimin e mbetjeve.

Në studimin e fizibiletit që është hartuar nga Komisioni i dhënies së koncesionit, i cili sqaron mënyrën e llogaritjes së tarifës, vërehen pasaktësi, si dhe kostot dhe të ardhurat e llogaritura nuk pasqyrojnë realitetin.

“Në lidhje me tarifën e mbetjeve për ton, rezulton se ja ka përcjellë Klodian Zotos adresën e postës elektronike të shtetases Alba Thoma në Ministrinë e Mjedisit.

Në studimin e fizibilitetit të përgatitur nga Komisioni i dhënies së koncesionit, nuk janë marrë në konsideratë të gjitha të ardhurat reale që do të përfitonte shoqëria koncesionare.

Këto të ardhura, të cilat nuk janë përfshirë, ndikojnë negativisht në buxhetin e shtetit, pasi nëse do të ishin llogaritur, atëherë vlera e tarifës që do të duhej të paguanin Njësitë e Qeverisjes Vendore do të ishte më e ulët.

Vlera prej 29 Euro/ton është e synuar nga shoqëria koncesionare, dhe kostot e vendosura në studimin e fizibiliteti nga shoqëria koncesionare, nuk janë reale, por janë përshtatur për të arritur në këtë vlerë.

Komisioni i dhënies së koncesionit nga ana e tij ka përfshirë të dhëna të kostos në studimin e fizibilitetit, vërtetësinë e të cilave nuk e ka verifikuar, si edhe vlerat që ka marrë për llogaritjen e tarifës, kanë dukshëm mospërputhje.”, thuhet më tej në dosjen hetimore.

Sipas SPAK, personi kyç në aferën e inceneratorit të Tiranës, është Alqi Bllako. Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, gjatë periudhës se negocimit dhe firmosjes me kompaninë e Klodian Zotos. Bllako, i cili del se jo vetëm instruktonte anëtarët e komisionit, por sipas SPAK, me paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, kishte blerë edhe një pajisje teknologjike për mbushjen e shisheve të birrës.

“Në kompjuterin e Klodian Zotos janë gjetur emaile ku Alqi Bllako, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, më datë 15 Nëntor 2016, ka bërë komunikime nëpërmjet adresës elektronike të tij me përfaqësuesin e shoqërisë italiane ‘IC Filling Systems’, shtetasin Marco Solferini.

Nga aktet e administruara rezulton se shtetasi Alqi Bllako, ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, vlerën monetare prej 119 755 Euro, me qëllim favorizimin gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, shoqërinë koncesionare ‘Integrated Energy BV’, në përbërje të së cilës ka qënë aksionere edhe shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k.

Këtë përfitim të parregullt shtetasi Alqi Bllako e ka siguruar në mënyrë të tërthortë nga shtetasi Klodian Zoto nëpërmjet pagesës për pajisje ‘Makineri për mbushjen, mbylljen, vulosjen apo etiketimin e shisheve, makineri për gazimin e pijeve’, me vlerë 119 755 Euro.”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas SPAK, është e vërtetuar se pajisja që mbush birrat, jo vetëm është blerë, por edhe ka shërbyer për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të Alqi Bllakos, shtetasit Edmond Bllako, ku pajisja rezulton se është blerë nëpërmjet kompanisë së bashkëshortes së Klodian Zotos.

“Kjo pajisje ka shërbyer për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të tij, Edmond Bllako, që ka pasur si fushë veprimtarie prodhimin dhe tregtimin e birrës në qytetin e Ersekës.

Kjo pajisje është blerë pas kërkesës së bërë nga shtetasi Alqi Bllako, me porosi të shtetasit Klodian Zoto, bërë nëpërmjet shoqërisë së bashkëshortes së tij, ‘Artemis Farm’ sh.p.k (aktualisht me emrin e tregtar ‘Artcon” sh.p.k). Pagesat për këtë pajisje janë bërë nga shoqëria e bashkëshortes së shtetasit Klodian Zoto, e cila e ka blerë këtë pajisje nga shoqëria italiane ‘IC Filling Systems SRL’.”, thuhet në dosjen hetimore.

———————————————————————————————————————————

Pjesa e dytë e dokumentarit:

Si u zbulua që Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë bosët e vërtetë të inceneratorit të Tiranës? Si përfituan ata miliona përmes krijimit të shoqërive fiktive dhe paratë ose i morën cash ose i transferuan jashtë vendit dhe si u tradhtuan ata nga aksionerët italianë dhe gjermanë?

Sipas SPAK, tashmë është e vërtetuar se të gjitha dokumentet që kinse u tha se ishin përgatitur nga institucionet përgjegjëse shtetërore, që lidheshin me procedurën e konceisionit, në fakt u hartuan nga punonjësit e Klodian Zotos, të cilët më pas ua dërguan drejtorëve Ministrisë së Mjedisit, konkretisht Alba Thoma dhe Bledar Karoli.

Ata kanë shërbyer si urë lidhëse, ndërmjet  Komisionit të dhënies së koncesionit, Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë së shtetasit Klodian Zoto.  Dokumente të cilat më pas ngarkoheshin në sistemin e prokurimit elektronik nga Valbona Ballgjini, e cila ishte edhe Kryetare e Komisionit të dhënies së koncesionit, njëkohësisht edhe Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Mjedisit.

“Më datë 31 Gusht 2017 është lidhur kontrata ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë propozuese ‘Integrated Energy B.V’.

Në kontratën e hartuar ndërmjet Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare ‘Integrated Energy BV SPV’ sh.p.k, periudha e koncesionit është parashikuar për një periudhë 30 vjeçare.

Në këtë kontratë është parashikuar se çmimi për ton për mbetje urbane që do të paguhej në favor të shoqërisë koncesionare ishte 29 Euro/Ton.”, thuhet në dosjen hetimore.

E pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, kryetarja e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, pohoi për hetuesit e SPAK, se urdhërat ajo i merrte direkt nga Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, Alqi Bllako. Ndërkohë që edhe pse ajo ishte kryetare e komisonit, nuk e dinte se si ishte llogaritur kostoja që çoi në 29 euro për ton për mbetjet.

“Unë kam komunikuar me email me Klodian Zoton, pasi më kishte thënë ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, që shoqëria propozuese do t’i sillte disa dokumente me email.

Dokumenta të cilat ia ka dorëzuar më pas shtetasit Alqi Bllako.

Lidhur mbi hartimin e studimit të fizibilitetit që ka bërë Komisioni i dhënies së koncesionit, unë nuk e di se si janë llogaritur dhe nxjerrë të dhënat që përmban ky studim.”, ka dëshmuar Valbona Ballgjini.

Por ajo që vihet re gjatë dëshmive të tyre është se anëtarët e komisionit, ia pasojnë topin njëri-tjetrit, kur vjen puna te përgjegjësitë. Siç rezultojnë të jenë edhe thëniet në SPAK të Taulant Tushes, Drejtorit të Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, edhe ky i ndaluar në kuadër të operacionit të ndërrmarrë për inceneratorin e Tiranës.

“Në lidhje me mënyrën se si kam komunikuar me shoqërinë propozuese ‘Integrated Energy BV’ në lidhje me kërkesat e ndryshme që ka pasur Komisioni i dhënies së koncesionit gjatë procedurës, çdo kërkesë e komisionit është përcjellë pranë Kryetares së këtij komisioni dhe se komunikimi me shoqërinë propozuese është mbajtur nga punonjësit e Ministrisë së Mjedisit.

Në lidhje më hartimin e studimit të fizibilitetit që ka bërë Komisioni i dhënies së koncesionit dhe se si janë nxjerrë të dhënat që ai përmban, unë nuk e mbaj mend se si kanë dalë këto të dhëna që janë në studimin e fizibilitetit.”, thuhet në dëshminë e Taulant Tushës.

Sipas SPAK procedurat për dhënien me konceision të inceneratorit të Tiranës, kanë qenë të paracaktuara. Ashtu si edhe fituesi, që rezultoi të jetë shoqëria propozuese ‘Integrated Energy BV’, në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria e shtetasit Klodian Zoto ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k. Kjo falë ndihmës që u ka dhënë kohë pas kohe funksionarë të Ministrisë së Mjedisit dhe të Bashkisë Tiranë, të lartë, apo që ishin pjesë e komisionit të dhënies së koncesionit. Por interesant në gjithë këtë histori groteske tashmë mashtrimi, është përfshirja e dy aksionerëve italiane dhe gjermanë, ku Klodian Zoto del se me kompaninë e tij kishte lidhur një kontratë me atë të shtetasit italian Xhuzepe Çafalione, për të kryer disa punime në inceneratorin e Tiranës. Kontratë e cila mohohet të jetë lidhur nga vetë Çafalione.

“Giusseppe Ciaffaglione, i cili rezulton të ketë qenë administratori i shoqërisë ‘Integrated Energy BV SPV’ sh.p.k, nga momenti i themelimit të saj, datë 31 Gusht 2017, deri në Mars të vitit 2022, është pyetur përmes letërporosisë për faktin e nënshkrimit të kontratës së lidhur ndërmjet shoqërisë  së tij, dhe asaj ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k, më datë 7 Dhjetor 2017,

Ai deklaron se nuk është nënshkruar nga ai kjo kontratë, të cilën po e shikonte për herë të parë. Po ashtu ai deklaron se nuk ka dijeni që shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k, të ketë furnizuar apo sjellë ndonjëherë materiale për punime tek kantieri i Inceneratorit të Tiranës.”, thuhet në dosjen hetimore.

Mjaftoi ky zbulim që SPAK të kuptonte se faturat e punimeve ishin bërë në mënyrë fiktive dhe se Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, i kishin futur paratë në xhepat e tyre, duke mashtruar.

Duke falsifikuar edhe kontrata, si në rastin e Çafaliones, ku në saj të faturave tatimore të falsifikuara, kanë përfituar vlerën monetare prej 409 428 000 lekë,

“Në rastin konkret shtetasi Klodian Zoto ka deklaruar punime të kryera për llogari të shoqërisë koncesionare në bazë të një kontrate nënkontraktimi të falsifikuar, duke e paraqitur situatën vetëm si një marrëdhënie kontraktuale mes shoqërisë së tij “Integrated Technology Services” sh.p.k dhe shoqërisë koncesionare ‘Integrated Energy BV SPV’ sh.p.k.

Por që në të vërtetë rezulton se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë aksionerët ‘de facto’ të shoqërisë koncesionare ‘Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, që ka fituar kontratën koncesionare Nr. 6597, datë 31 Gusht 2017 me objekt ‘Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë’”, thuhet në dosjen hetimore.

Por mashtrimi i Zotos dhe Mërtirit duket se nuk është ndalur këtu, pasi edhe kompanitë që ata kanë përdorur si mbulim për blerjen e materialeve në lidhje me punimet në incenerator, nuk kanë lidhje aspak me këtë lloj aktiviteti tregtar. Por më së shumti janë marrë me aktivitet tregtar ushqimor.

“Në përmbajtje të këtyre faturave, shtetasi Klodian Zoto ka paraqitur si kryerje të punimeve dhe blerje mallrash me subjektet ‘Lumi-06’ sh.p.k, ‘AA-117’ sh.p.k, ‘Al-BerCo&Co’ sh.p.k, ‘EZ & LA’ sh.p.k, por që në të vërtetë përmbajnë rrethana të rreme të përshkruara në to.

Nga analizimi i librave të blerjes rezulton se blerjet janë kryer vetëm nga shoqëri që operojnë në fushën e tregtisë së artikujve ushqimore ndërsa shitjet janë kryer të gjitha në subjekte që operojnë në fushën e ndërtimit.

Po ashtu, rezulton se subjekti “Lumi 06” sh.p.k, nuk ka kapacitete në burime njerëzore dhe në mjete për të bërë të mundur ushtrimin e këtij aktiviteti tregtar, si dhe nuk mund të faturojë në volumet, në të cilat janë deklaruar faturat e shitjes, duke marrë parasysh se ka të shënuar një numër shumë të vogël punonjësish, si dhe për një periudhë të gjatë kohore ka pasur shënuar si të punësuar vetëm administratorin e shoqërisë.”, thuhet në dosjen hetimore.

Të pyetur si administratorë të këtyre kompanive, vetë të ashtuquajturit të tillë kanë ngritur supet përpara SPAK., duke thënë se nuk kanë asnjë lidhje me këto kompani.

“Lumturije Murati ka deklaruar se nuk ka themeluar ndonjë operator ekonomik me emrin ‘Lumi 06’ sh.p.k dhe nuk ka dijeni se kush e ka themeluar dhe regjistruar këtë operator ekonomik, si dhe nuk ka kryer ndonjë aktivitet tregtar në emër të kësaj shoqërie.

Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe shtetasja Vexhide Malo, e cila thotë se është pensioniste dhe se nuk është marrë me ndonjë aktivitet, si dhe nuk e ka dëgjuar asnjëherë këtë operator ekonomik.

Po kështu Mariglen Haka deklaron se nuk ka punuar asnjëherë tek operatori ekonomik ‘AA-117’ sh.p.k, pasi ai është me profesion mekanik i industrisë së rëndë dhe në vitin 2018 dhe në vijim ka qenë i punësuar tek kompania ‘KURUM’ sh.a.”, thuhet në dosjen hetimore.

Të njëjtat mohime kanë dhënë për hetuesit e SPAK edhe persona të tjerë, emrat e cilëve dalin  si pronarë të kompanive të përdorura nga Zoto dhe Mërtiri, ku madje njëri prej tyre rezulton se është hekurkthyes.  “Santiliano Çifliku ka deklaruar se ai nuk e ka krijuar apo themeluar shoqërinë ‘Al-Ber Co&Co’ sh.p.k.’ dhe se nuk ka qenë i punësuar tek kjo shoqëri, si dhe nuk ka kryer ndonjë aktivitet tregtar në emër të kësaj shoqërie.

Ai mban mend se kartën e tij të identitetit ia ka kërkuar miku i tij i familjes Dashamir Ymeraj, por nuk ka dijeni se ku e ka përdorur këtë dokument identifikimi.

Artur Xhambolli deklaron se nuk e ka dëgjuar asnjëherë këtë shoqëri.

Ai deklaron se nuk ka punuar asnjëherë tek operatori ekonomik  ‘Al-BerCo&Co’ sh.p.k., pasi ai është me profesion hekurkthyes.

Po ashtu, ai deklaron se nuk ka dijeni se kush është pronari i i operatorit ekonomik “Al-BerCo&Co” sh.p.k.”.

I pyetur për faktin se në sistemin “C@ts”, të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve rezulton se ka qenë i punësuar pranë operatorit ekonomik “Al-BerCo&Co” sh.p.k.” ai deklaron se nuk di gjë, ai nuk e njeh këtë shoqëri dhe nuk ka punuar asnjëherë tek kjo shoqëri
Genci Skifteri deklaron se nuk ka punuar asnjëherë tek operatori ekonomik “Al-BerCo&Co” sh.p.k.”, pasi ai është meprofesion shofer kamioni.”, thuhet më tej në dosjen hetimore.

Pra për SPAK ishte e qartë se Zoto dhe Mërtiri kishin krijuar kompani fiktive, duke punësuar fiktivisht punonjës të ndryshëm që as e kishin dijeni se këto shoqëri ekzistonin, ku në sajë të këtij mashtrimit nëpërmjet paraqitjes së faturave të falsifikuara, këta dy personazhe mundën të përfitonin rreth 400 milionë lekë të rinj, ku pjesën më të madhe të parave ose e tërhoqën cash, ose e transferuan jashtë vendit në mënyra të ndryshme.

“Më datë 19 Gusht 2016, rezulton se është hartuar akti i themelimit i shoqërisë ‘Integrated Energy B.V’, me seli në Holandë, ku kapitali themeltar i kësaj kompanie ka qenë 50 000 Euro me vlerë nominale aksioni prej 1 Euro.

Nga dokumentacioni që shoqëria “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, ka dorëzuar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), për të kryer deklarimin e pronarëve përfitues fundor të kësaj shoqëris, rezulton se nuk është dorëzuar dokumentacioni shoqërues justifikues për të provuar ndryshimin e aksionerëve përkatës për periudhën kohore në fjalë, sipas përcaktimeve ‘Për regjistrin e pronarëve përfitues’.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit që shoqëria ‘Integrated Energy BV SPV’ sh.p.k, ka dorëzuar në QKB, për të kryer këtë deklarim të pronarëve përfitues fundorë, rezulton se administratorja e kësaj shoqërie, shtetasja Arjola Kodra ka dorëzuar kopjen e pasaportës të shtetasve Alberto Pressezzi dhe Salvatore Ruselli, nëpërmjet të cilave këta shtetas janë deklaruar të shënuar si aksionerë me përqindjet përkatëse të përshkruara më sipër, por që në të vërtetë nuk rezulton që të kenë qenë aksioner këta shtetas në momentin e regjistrimit në QKB.”, thuhet në dosjen hetimore.

Por edhe këtu duket se ndërhyrja ka qenë nga lart. Pasi qoftë punonjësi që e ka regjistruar në shkelje shoqërinë që fitoi konceisionin e inceneratorin e Tiranës, apo edhe drejtuesja e tij, ia lënë fajin njëri – tjetrit.

“Jetmir Llapaj deklaron se në vitin 2021 ka qenë i punësuar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, por nuk i kujtohet ky aplikim i operatorit ekonomik ‘Integrated Energy BV S.P.V’ sh.p.k, pasi në atë kohë ka pasur një fluks shumë të madh aplikimesh.

I pyetur në lidhje me faktin se pse është miratuar aplikimi i operatorit ekonomik ‘Integrated Energy BV S.P.V” sh.p.k, pasi rezulton se në këtë aplikim, ky operator nuk ka dorëzuar dokumentacion e kërkuar sipas Ligjit ai deklaron se eprorja e tij ka qenë shtetasja Silena Tola, me pozicion Drejtoreshë e Regjistrit të Pronarëve Përfitues dhe ajo ka pasur aksesin që të ishte personi i fundit që refuzonte aplikimet.

Ai deklaron se ai ka patur qëndrimin që këtij operatori duhej t’i refuzohej aplikimi dhe t’i kërkohej dokumentacion shtesë provues, por pasi eprorja e tij, shtetasja Silena Tola, i ka thënë që duhej të rishikonte aplikimin pasi ai ishte në rregull, ai ka bërë miratimin e aplikimit të këtij subjekti tregtar.

E pyetur për faktin e përditësimit të të dhënave në regjistrin e pronarëve përfitues fundorë në Qendrën Kombëtare të Biznesit në muajin Qershor të vitit 2021, për operatorin ekonomik

‘Integrated Energy BV S.P.V’ sh.p.k, shtetasja Silena Tola deklaron se ajo ka qenë në pozicionin e Drejtoreshës së Regjistrit të Pronarëve Përfitues dhe se komunikimi që ka pasur me vartësin e saj, shtetasin Jetmir Llapaj duke i lënë në sistemin elektronik të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, komentin ‘rishikoje se më duket në rregull’, nuk ka qenë urdhër për miratimin e aplikimit dhe se miratimi është kryer nga vartësi i saj, shtetasi Jetmir Llapaj.

Ajo ka deklaruar se bazuar në dokumentacionin që ka dorëzuar operatori ekonomik në muajin Qershor të vitit 2021, aplikimi i këtij subjekti raportues duhej që të ishte refuzuar në bazë të ligjit, pasi ka mungesë dokumentacioni, siç janë ekstraktet e kompanive të huaja, që janë pronarë të subjektit raportues”, thuhet ndër të tjera në dosjen hetimore.

Sipas prokurorisë, rezulton se punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit, të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, Jetmir Llapaj dhe Silena Tola, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin. Në deklarimet e tij shtetasi italian Alberto Pressezzi ka deklaruar se ai është presidenti i shoqërive “Bruno Presezzi SPA” dhe “Franco Tosi Meccanica SPA”.

Shoqëria ‘Franco Tosi Meçanica SPA’, rezulton të jetë aksioner ‘i fjetur’ i shoqërisë holandeze ‘Geogenix BV’(ish- Integrated Energy BV), ku ai deklaron se nuk ka dijeni se çfarë ndodh me menaxhimin dhe kontrollin financiar të shoqërisë holandeze ‘Geogenix BV’, pasi ai dhe shoqëria zviceriane ‘ICARE’, me të cilin bashkëpunon, nuk kanë arritur akoma që të sigurojnë financimin për ndërtimin e Inceneratorit të Tiranës.

Po ashtu ai deklaron se nuk ka përfituar asnjë të ardhur apo përfitim tjetër nga shoqëria hollandeze ‘Geogenix BV’ dhe se që nga koha që rezulton si aksioner i fjetur, nuk ka dijeni për ndonjë mbledhje të Asamblesë së shoqërisë holandeze ‘Geogenix BV’. Po kështu nuk ka dijeni se ku shkojnë të ardhurat që grumbullon shoqëria koncesionare ‘Integrated Energy BV SPV’ sh.p.k, e cila zotërohet nga shoqëria hollandeze ‘Geogenix’.

Ai thotë se njeh vetëm shtetasin Klodian Zoto dhe Mirel Mertiri, të cilët ia ka prezantuar shtetasi italian Giusseppe Ciaffaglione dhe me të cilët ka folur shumë herë gjatë vitit 2022 për inceneratorin e Tiranës, ku në këto takime ka qenë i pranishëm edhe Ciaffaglione.

“Nga të dhënat e nxjerra nga kompjuteri i sekuestruar shtetasit Klodian Zoto,  është konstatuar një dokument në formatin ‘word”, i pavulosur dhe i pa nënshkruar ‘marrëveshje e datës 29 Korrik 2016, ndërmjet shoqërive ‘Integrated Technology Services” sh.p.k, dhe shoqërive italiane ‘Energy Recuperator SPA’ dhe ‘Paul Ëurth Italia SPA’, ku në përmbajtje të saj përshkruhet se shoqëritë italiane ‘Energy Recuperator SPA’ dhe ‘Paul Ëurth Italia SPA’ ishin të detyruara që t’i shisnin aksionet që ato zotëronin tek shoqëria hollandeze ‘Integrated Energy BV’, tek shoqëria shqiptare e shtetasit Klodian Zoto ‘Integrated Technology Services” sh.p.k, në momentin që do t’i kërkohej nga kjo shoqëri.

Rezulton se kjo marrëveshje i përket kohës para se të kryhej regjistrimi i shoqërisë hollandeze “Integrated Energy BV” në Hollandë.

Në këto rrethana rezulton se shoqëritë italiane janë përfshirë si aksionerë të shoqërisë hollandeze “Integrated Energy BV”, vetëm për të plotësuar kriteret teknike, por “de facto” si përfituese reale e koncesionit ka qenë shoqëria e shtetasit Klodian Zoto “Integrated Technology Services” sh.p.k.”, thuhet në dosjen hetimore.

Nga emailet e zbuluara nga SPAK, rezulton se personi që merret me transfertat jashtë të kompanisë së Zotos dhe Mërtirit del të jetë Denisa Tollkuçi, ku në një moment, në njërin prej emaileve që Mirel Mërtiri i dergon Klodian Zotos, shikohet edhe një përplasje midis tyre.

Sipas SPAK, nga aktet e administruara rezulton se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë ‘de facto’ pronarët e shoqërisë holandeze ‘Geogenix BV’ (me emrin e mëparshëm ‘Integrated Energy BV’), të cilët kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët.

“Email i datës 7 Shtator 2018, i nisur nga adresa e postës elektronike e shtetasit Mirel Mërtiri në drejtim të adresës së postës elektronike të shtetasit Klodian Zoto.

‘Klod miremengjes. Në attachment më posht do të gjesh të gjithë debitorët që ne kemi si group. Do të vëresh që ka patur edhe shumë prioritete të tjera për tu paguar të cilët janë lënë komplet në hije … Të lutem nuk dua që të më ndërhysh më në listën e pagesave si veprove këtë herë me gocat.

E kemi bërë qindra herë këtë bisedë dhe përsëri me atë stilin tënd të veçantë vazhdon të dalësh atje ku do.

Vëlla herë tjetër nëse ke prioritete mi thuaj dhe ske më punë me listën. Përse jam rrugëve s’do të thotë që skam përparësi në ecurinë e punëve apo mbarëvajtjen. Unë s’jam aty, por s’mund të lejoj që financa (e përpunuar nga ty) të më hedhi hi syve me miratimin tënd.

Kjo të lutem s’dua të ndodhë më. Bashkë i kemi ndarë detyrat/ Mund të diskutojmë për çdo gjë por jo të përpunojmë njëri-tjetrin se unë se bëj kurre. TE LUTEM MOS më vë më në një siklet të tillë … Financa është zyre më vete dhe duhet të jetë transparente si për ty edhe për mua.  Mos më vë në siklet të LUTEM…’.”, thuhet në dosjen hetimore.

Ndërkohë që nuk vonon edhe falja nga ana e Zotos në drejtim të Mërtirit. Ku zotohet se nuk do e bëjë më një gabim të tillë se tani e tutje gjithçka do shkojë në mënyrën më të mirë.

“Shtetasi Klodian Zoto, më datë  7 Shtator 2018, i përgjigjet shtetasit Mirel Mërtiri.

‘Mirëmëngjesi Të më falësh. Sinqerisht të siguroj që sdo të ndodhë më ndërhyrja për sa thua ti. Besoj që nuk do kemi me nevoje ta bëjmë këtë diskutim dhe nuk do përpunoj më njeri. Dhe njëherë të kërkoj falje Ditë të mbarë & nbsp”.”, thuhet ndër të tjera në dosjen hetimore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb