NGA VJOLLCA KONGJONI*

TIRANË- Lojërat e fatit çuan këtë të premte në komisionin e Ligjeve ministrin e Financave Shkëlqim Cani dhe drejtoreshën e këtij sektori Luneda Sufali. Për vetë delikatesën që ka ky projektligj diskutimi nisi paraprakisht me sens humori por më pas përfundoi me konflikt verbal. Ka qenë deputeti socialist Pandeli Majko i cili paraprakisht pyeti nëse ligji i lojërave të fatit binte në konflikt interesi me deputetët.

Duke iu drejtuar drejtoreshës së Lojërave të Fatit nëse janë kontrolluar më parë deputetët për këtë lloj biznesi. Sufali u përgjigj se të gjithë dalin me konflikt interesi. Por me ardhjen në sallë të kryetarit të Komisionit, i cili duke kërkuar të mbahej qetësi, pyeti se kush ishte zonja në fjalë. Por ka marrë me ironi prej saj përgjigjen se ishte një pastruese. Kjo ka bërë që Xhafaj të kërkojë largimin nga komisioni të saj.

DEBATET

Fatmir Xhafaj: Çfarë pune bën ti?

Juneda Sufali: Pastruese

Xhafa: Atëherë dil nga salla e mbledhjes.

Sufali: Më kanë thirrur në komision

Xhafa: Atë e vendos unë, të lutem largohu nga karrigia.

Sufali: Nuk largohem

Xhafa: Zonjë urdhëroj unë këtu

Sufali: Më kanë caktuar për të ardhur për të mbrojtur diçka

Xhafa: Atë e caktoj unë, prandaj tërhiqu prapa

Sufali: Nuk mund të largohem, e ke gabim

Xhafa: Tërhiqu po të them se do ndërpres komisionin

Sufali: Ndërprite

Xhafa: Zoti ministër do marrësh masa apo të ndërpres komisionin

Shkëlqim Cani: Leje tani se u morëm me shaka, ajo është Drejtoresha e Lojërave te Fatit.

Xhafa: Aq më keq akoma. Po pse për humor kemi ardhur ne këtu. Drejtoreshe që bëka shaka në komision. Nuk di çfarë është parlamenti, mësojini punonjësve tuaj se çfarë është parlamenti.

Pas këtij debati komisioni nisi shqyrtimin e projektligjit të lojërave të fatit, ku përgjigje dha vetëm ministri Cani, ndërsa drejtoresha Sufali qëndroi në heshtje. Shqetësimi i deputetëve mbi këtë projektligj lidhej me kostot sociale që sjell ky biznes, informalitetin dhe licencimin e tij.


(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb