Takimi Tirana-Partizani nuk ka shkuar pa incidente. Tifozët kanë hedhur sende të forta, shishe e shkopinj në fushë duke shkaktuar një situatë të tensionuar. Fill pas këtyre incidenteve, policia e Tiranës arrestoi 9 tifozë, mes tyre edhe Dejvi Mukën, drejtori Teknik i Tiranës. Sipas të dhënave zyrtare nga blute e kryeqytetit, dyshohet se Muka është përfshirë në përplasje fizike. Ndërkohë që policia ka shoqëruar drejtorin e stadiumit.

REAGON KLUBI I PARTIZANIT: U DHUNUAN DRITAN DERVISHI DHE DY PËRFAQËSUES TË PARTIZANIT
Klubi i Partizanit ka reaguar me anë të një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, duke dënuar sipas tyre dhunën nga ana e tifozëve dhe drejtues të skuadrës së Tiranës.

REAGIMI
Klubi reagon për dhunën barbare të ushtruar nga tifozët dhe drejtues të Tiranës ndaj drejtuesve tanë në përfundim të takimit Tirana – Partizani. Në ambientet brenda stadiumit Drejtori i Përgjithshëm Dritan Dervishi dhe dy përfaqësues të tjerë të klubit janë goditur jo vetëm nga tifozë por ajo që është më e rëndë nga drejtues të klubit bardheblu drejtori teknik Devi Muka por edhe persona të paautorizuar të cilët kanë sulmuar stafin e Partizanit. Pamjet flasin qartë, por ne do ti bëjmë publike edhe me pamje të filmuara. Përfaqësues të klubit tonë mbahen padrejtësisht në ambjentet e komisariatit Nr. 2, ndërkohë që ndaj dhunuesve nuk merret asnjë masë. Klubi i kërkon të gjitha instancave kompetente organeve shtetërore, drejtësisë dhe policisë të marrin masat ndëshkuese ndaj individëve për këtë sulm vandal që ndodh në fushat e futbollit. Tirana si klubi organizator ka përgjegjësinë kryesore për mbarvajtjen e takimit dhe sigurinë e ekipit mik. Kurrsesi nuk mund të pranohet nga ana e klubit tonë një mikpritje e tillë e cila ka shkelur rëndë Fair – Play -in mos treguar aspak mikpritje sportive.

NDESHJA
Në pjesën e parë, Partizani shënoi gol me Sukajn në minutën e 21’ të takimit, ndërsa Tirana barazoi me Muçajn në minutën e 27’. Derbi ka ngjallur interesin e lartë të fitozëve dhe deri pak minuta para fillimit të takimit, janë shitur rreth 6 mijë bileta.

Ndeshja merr një rëndësi të veçantë jo vetëm për përballjet historike të dy ekipeve në Superiore, por edhe për ecurinë e kampionatit. Partizani i vendit të dytë është në ndjekje të Skënderbeut që fitoi sot me rezultatin 6-1 ndaj Laçit, ndërsa bardheblutë shpresojnë ende për një vend në kupën e Europës.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: