Një nga atraksionet turistike të Indisë, Taj Mahal, pritet të rihapet pas më shumë se gjashtë muaj mbylljeje, deklaruan zyrtarët, pavarësisht se vendi po përjeton raste masive vdekjesh dhe rastesh të reja prej koronavirusit.

India kaloi Brazilin si vendi me barrën e dytë më të lartë të rasteve të koronavirusit në botë, me më shumë se 4,2 milionë raste, pas SHBA-së.

“Taj Mahal, i cili u mbyll në mes të marsit pak përpara bllokimit kombëtar, do të rihapet më 21 shtator”, theksoi zyrtari i departamentit rajonal të turizmit Amit Srivastava.

“Turistët do të duhet të ndjekin të gjitha protokollet Covid-19, të tilla si distanca fizike, të mbajnë maska ​​dhe të dezinfektojnë duart e tyre”, tha ai duke shtuar se ”biletat duhet të blihen në internet”.

Vetëm 5 000 vizitorë do të lejohen të hyjnë në dy turnet ditore, shifër kjo më poshtë se mesatarja ditore prej rreth 25 000 personash.

Godina mahnitëse prej mermeri të bardhë, e famshme si një “monument për dashurinë”, ndodhet në veri të Uttar Pradeshit, një prej pesë shteteve indiane më të goditura nga virusi.

Taj Mahal u ndërtua në mes të shekullit XVII nga perandori Mughal Shah Jahan si një mauzole për mbretëreshën e tij të tretë dhe të preferuar, Mumtaz Mahal.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: