Gjykata e Apelit në Tiranë i ka dhënë të drejtë prindërve të fëmijës të infektuar me HIV, duke kërkuar nga Prokuroria të hetojë imtësisht rastin dhe pretendimet e tyre. Gjykata rrëzon kështu vendimin e Prokurorit Saimir Hysi, i cili vendosi mosfillim të hetimit me arsyetimin se nuk është konsumuar shkelje ligjore. Mirëpo Apeli mendon ndryshe. Ne vendimin e zbardhur thuhet se nuk është shqyrtuar dhe analizuar i plotë rasti, nuk janë marrë dëshmitë e personave të akuzuar e po ashtu, as një mendim i ekspertit mjeko-ligjor.

Kopje të kartelës së vogëlushit të infektuar dhe as të dhënat nga gjurmimi epidemiologjik që ISHP, pretendon se ka bërë për rastin. Gjithashtu Apeli ve në dukje se një prokuror, në këtë rast zoti Hysi, nuk mund të mosfillojë hetimin bazuar në të dhëna subjektive, por vetëm referuar fakteve, ligjit dhe dëshmive. Sipas Gjykatës, rastet e mosfillimit të hetimit, janë në rrethana të lehta, kur konkludimet nuk kërkojnë kohë, por në rastin në fjalë, ku është cënuar shëndeti i një fëmije, patjetër që duhej ndërmarrë një hetim. Ligji parashikon që nëse infektimi i 1-vjeçarit me HIV konfirmohet se ka ardhur si rezultat e neglizhencës mjekësore, dënohet nga 3 deri në 7 vite burgim. Procedimi penal, thekson Gjykata e Apelit, ndodh në rastet kur personi ka vdekur, është i pa përgjegjshëm ose nuk ka mbushur moshën për procedim penal, vepra penale është shuar etj, por në rastet e tjera duhet ndjekur të gjitha dispozitat ligjore.

Kësisoj, Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, që kërkon nisjen e hetimit dhe rrëzon pretendimet e prokurorit Hysi. Gjithashtu vënë në dukje se mosfillimi me dashje i hetimit, nga një Prokuror, përbën një vepër penale dhe mund të dënohet deri në 7 vite burgim. Të kontaktuar nga News 24, prindërit e vogëlushit kërkojnë një hetim të thelluar dhe zëvendësimin e zotit Hysi me një tjetër prokuror, pasi nuk kanë besim në hetimet që mund të kryhen prej tij dhe që sipas tyre, synojnë zvarritjen më tej të rastit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb